AKEP: Ndërprerja e sinjalit të telefonisë me kërkesë të policisë

AKEP: Ndërprerja e sinjalit të telefonisë me kërkesë të policisë

371
0

Ndërsa protesta e opozitës ka nisur prej orës 10:00 në sheshin përpara parlamentit, Partia Demokratike ka denoncuar një urdhër të AKEP, sipas të cilit është urdhëruar ndërprerja e paligjshme e sinjalit të gjithë operatorëve të telefonisë celulare në të gjithë Bulevardin, përfshirë zonën e protestës dhe përreth Partisë Demokratike. Opozita e bashkuar po mban sot protestën e radhës kundër qeverisë Rama, duke kërkuar një qeveri tranzitore e cila do i hapë rrugë zgjedhjeve të parakohshme. Një ditë më parë deputetët e PD, LSI e aleatët firmosën djegien e mandateve të deputetit si masën më ekstreme politike, një rast ky i paprecedentë për vendin.  “Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare njofton qytetarët se me kërkesën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me qëllim marrjen e masave për zbatimin e detyrimeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e interesave të vendit dhe të sigurisë publike, ka udhëzuar operatorët celularë të bëjnë ndërprerje të shërbimeve të komunikimeve elektronike në disa zona të Tiranës, nga ora 11:00 deri në orën 16:00 të datës 21 shkurt 2019.

AKEP ka vepruar në zbatim të Ligjit 9918/2008, ‘Për komunikimet elektronike në RSH’, i cili autorizon bllokimin e shërbimeve për nevoja të sigurisë publike.

AKEP ju kërkon ndjesë qytetarëve lidhur me kufizimet e përkohshme të shërbimeve dhe shpreson që situata të tilla të mos jenë të nevojshme në të ardhmen”, ka njoftuar AKEP.