Aktualitet

ADELË E DASHUR NE JEMI KAQ TË…/ Nga Trendafile Visha

By vizional

October 31, 2017

Është kohë kolere Adelë e dashur! Kohë kolere. Dhe nuk e di nëse kështu kolerë kanë qenë të gjitha kohët. Dhe nuk e di nëse lutja jote do na bëjë derman, kur ne vetë nuk e njohim lutjen.

Adelë e dashur! Ti më shembe në gjithçkanë time. Më përmbyse në kuptimin që kam për orët, për ditët, për ecjen, për pritjen, për ikjen. Për shembull, e diela ka kohë që nuk më thotë asgjë. Nuk më sjell erërat që fryejnë rreth e rrotull. Nuk më sjell të qarën e parë të një fëmije. Qukitjen nga brenda dhe daljen e një zogu. As këmbanat e kishave. As sirenën e anijes me të panjohurit që presin të zbresin në breg. As vellon e bardhë dhe rrëmujën gaztore të dasmorëve. As zërin makar, as zërin. Përveçse, shushatje, përhumbje dhe heshtje.

E diela nuk mblidhet dot në dorën time. Më del përtej nga dora tjetër. Dhe as që e mendoja se ajo ishte shenjë e përveçme për gjithë erërat që fryejnë, zërat që lëvizin, kohën e botën mu në pëllëmbën e dorës tënde. Dhe as që e mendoja se diela memece flet. Se do më përmbyste shumçka në të tashmen time. Se do më trandte kaq shumë sa të më thyente koracën që kisha veshur e të më përballte sërish me ty dhe me botën. Se ne e patëm një krisje. Një krisje të vogël brenda krisjes së madhe. Dhe unë nuk mund të rri pa ta thënë këtë. Të shtirem deri dhe në ikje. Në ikjen e beftë tënden.

Adelë e dashur! Ti nuk e di rropatjen time brenda orëve, nga e diela që më zgjoi tmerrësisht frikshëm. Koka ime është lëmsh. E në këtë lëmsh më vërtitet dhoma jote, divani a kolltuku ku rrije ulur deri vonë. Një dritare e pakëz e hapur. Një, një, një… Ku e di se çfarë një… Dhe topat e letrave. Topat e letrave Adelë e dashur, topat e letrave. Ti e di mirë se çfarë dua të them. Ndaj dhe kam heshtur deri në këtë moment. Prita që topat e letrave t’i mbaronin të tjerët. Mos qesh. Mos qesh. E di se tani nga atje ku je po më zbret këtu atë qeshjen e fshehur, të paqtë të Mona Lizës. Në atë qeshje fshihet e gjithë vetmia jote (vetmia jonë); e gjithë përballja jote (mefshtësia jonë); e gjithë lufta jote (egoizmi ynë). Ti besove dhe shpresove deri në momentin e fundit se bota përballë teje do t’i ulte armët dhe do të bënte paqe me ty dhe me veten. U lute pafund. Rezistove deri në fund. Dhe ike duke ia plasur qeshjen në fytyrë botës së vjetër që e shkelmon femrën, botës moderne shthurur e rrënuar brenda e jashtë. Ti ishe ajo preja e bukur për gjahtarët e egër. E destinuar të përdiqeshe deri në momentin e fundit. Me gjasë dhe pas fundit. Ndaj them se ti përmbyse gjithçkanë time. Më bëre të kuptoj qartë e më qartë se e bukura është e kundërta e kësaj bote. Se e bukura nuk është ajo që shohim. Ajo që lehtësisht dorëzohet. Ajo që shitet dhe blihet rëndom tregut të sotëm. Se shëmtia në qeninen e saj është e pangopur.

Adelë e dashur! Dua të të kujtoj se në vetminë tënde nuk ke qenë e vetme. As në rrëzimin tënd. As në ngritjen tënde. Dhe as në ikjen tënde. As dhe në përndjekje. Ne jemi kaq të vetmuar Adelë e dashur. Kaq të vetmuar! Ne jemi të ligjtë e vetes e që prej ligësisë trembemi para pasqyrës. Ne jemi kaq të rrejshëm. Kaq të rrejshëm. Kaq hipokritë sa qajmë si pa gjë të keq pas ikjes tënde. I vetmi zgjim për ne është zilja e celularit. Lajmi (çfarëdo lajm) për të tjerët (kur lajmi jemi vetë ne dhe asnjëherë nuk jemi të kthjellët). I vetmi zgjim për ne është dhembja e tjetrit (kur dhembjen e kemi thellë e më thellë brenda vetes). Është kohë kolere Adelë e dashur! Kohë kolere. Dhe nuk e di nëse kështu kolerë kanë qenë të gjitha kohët. Dhe nuk e di nëse lutja jote do na bëjë derman, kur ne vetë nuk e njohim lutjen.

Adelë e dashur! Të dielën isha në qytetin tënd që ngjan shumë me timin, me atë që kisha, me atë që kam. (Dje nuk guxova të vija se I kam zët përcjelljet. U lodhëm së përcjelluri…). Dhe para se të hyja në banesën tënde mata rrugët me sy. Dhe njerëzit që kurrë s’mundën të lexonin shpirtin tënd, vështrimin tënd përtej odës së tyre. Ndjesë e dashur për të gjithë ne! Qofsh engjëll në qiellin ku je ngjitur!