Realiteti virtual ka bërë të mundur “ringjalljen” e të vdekurve që të takohen me familjarët e tyre të pikëlluar. Dhe një emision korean përdori teknologjinë për të ribashkuar një nënë me vajzën e saj të vdekur, të kompletuar me doreza të ndjeshme në prekje dhe audio. Emisioni “Meeting You” tregoi historinë e një familje që humbi vajzën 7-vjeçare Nayeon. Ajo ndërroi jetë nga një sëmundje e paspecifikuar ende në vitin 2016. Si nëna ashtu edhe vajza ishte në gjendje të luanin, të prekeshin dhe të bisedonin. Madje vogëlushja e siguroi nënën e saj se nuk kishte më dhimbje.
Ndërsa nëna e konsideroi përvojën si të dobishme, ekspertët kanë ngritur pyetje mbi eksperimentin radikal psikologjik në TV me qëllim argëtimin. Jang Ji-sung, nëna e Nayeon, vuri kufjet e realitetit virtual Vive (VR) dhe u transportua në një kopsht ku vajza e saj qëndronte duke buzëqeshur me një fustan ngjyrë vjollcë.
“Bukuroshja ime, më ke munguar,”- i thotë ajo kopjes dixhitale të vajzës së saj. Kompania koreane Munhwa Broadcasting Corporation projektoi fytyrën, trupin dhe zërin e Nayeon për të qenë sa më saktë të jetë e mundur. Vajza e vogël me sy të ndritshëm dhe flokë të zeza pyeti nënën e saj se ku kishte qenë dhe nëse mendonte për të.
Dhe Jang iu përgjigj: “Të mendoj gjatë gjithë kohës.”
Më pas vajza tha: “Më ka marrë shumë malli.”
Ndërsa nëna e saj iu përgjigj: “Edhe mua më ka marrë shumë malli.”
Fillimisht Jang hezitonte ta prekte fëmijën dixhital por ndërsa Nayeon insistoi ajo i mbajti dorën.
Gjatë kohës që kapi dorën e vajzës virtuale, në sytë e nënës rridhnin lotët,
Babai, vëllai dhe motra e Nayeon, të cilët po shikonin të gjithë ngjarjen nga publiku po qanin gjithashtu.
Në një moment, vajza e vogël vrapon tek nëna dhe i jep një lule e i thotë: “Mami e sheh, unë nuk kam më dhimbje.”
Në fund të këtij udhëtimi magjik, Nayeon u shtri në gjumë, duke thënë se ishte e lodhur dhe nëna e saj i tha lamtumirë.