A kanë efekt maskat? Ja rezultati i studimit më të madh

A kanë efekt maskat? Ja rezultati i studimit më të madh

393
0

 

Nga Carl Heneghan dhe Tom Jefferson, Spectator

A funksionojnë maskat e fytyrës? Në fillim të këtij viti, qeveria britanike vendosi se maskat luajnë një rol të rëndësishëm në parandalimin e Covid-19 dhe i bëri maskat të detyrueshme në një numër vendesh publike. Por a mbështeten këto politika mbi prova shkencore?

Dje u shënua publikimi i një studimi të shtyrë në kohë në Danimarkë, i cili i jep përgjigje kësaj pyetje. Studimi Danmask-19 u krye në pranverë me mbi 3 mijë pjesëmarrës, kur publikut akoma nuk i ishte thënë të mbanin maska, por masat e tjera ishin në fuqi. Ndryshe nga studimet e tjera që marrin në shqyrtim maskat- studimi Danmask ishte një testim i kontrolluar rastësisht, çka e bën atë provë shkencore me cilësi të lartë.

Rreth gjysma e atyre në testim morën 50 maska kirurgjikale për fytyrën, të cilat duhet t’i ndryshonin pas tetë orësh përdorimi. Pas një muaji, pjesëmarrësit u testuan duke përdorur edhe PCR, edhe test për antitrupat dhe u krahasuan me pjesëmarrësit në testim që nuk kishin mbajtur maskat.

Në fund të fundit nuk kishte ndonjë ndryshim të rëndësishëm statistikisht kur binte fjala te infektimi me Covid-19 mes atyre që kishin mbajtur maska dhe atyre që nuk kishin mbajtur.

1.8 përqind e atyre që mbanin maska u infektuan me Covid, në krahasim me 2.1 përqind të atyre që nuk mbanin. Si rezultat, duket se çdo efekt i maskës në parandalimin e përhapjes së sëmundjes në komunitet është i vogël.

Disa njerëz, sigurisht nuk e mbanin maskën siç duhet. Vetëm 46 përqind e atyre që morën në testim thanë se i kishin respektuar plotësisht rregullat. Por edhe nëse sheh grupin e atyre njerëzve që i kanë mbajtur maskat mirë, ndryshimi në rezultat nuk është i madh: 2 përqind e tyre u infektuan gjithashtu.

Kur bëhet fjala për maskat, duket se ka akoma pak prova të mira se ato parandalojnë përhapjen e sëmundjeve të ajrit. Rezultatet e testimit Danmask-19 pasqyrojnë të tjera studime të ngjashme për gripin. Nëntë studime kanë marrë në shqyrtim efikasitetin e maskave, përfshi dy studime për bluzat e bardha- dhe kanë zbuluar se nuk bëjnë ndonjë ndryshim nëse prekeni nga gripi apo jo.

Por në përgjithësi, ekziston një mungesë shqetësuese e testimeve të fuqishme për maskat e fytyrës dhe Covid-19. Ka pasur vetëm tre testime komunitare gjatë kësaj pandemie- një në Guinea Bisau, një në Indi dhe ky i fundit në Danimarkë.

Numri i ulët i studimeve sugjeron se ka një mungesë totale të vëmendjes nga qeveritë për të ndjekur mjekësinë e bazuar në prova. Dhe kjo bie në kontrast me shumat e mëdha që janë shpenzuar nga qeveria për këshilla në lidhje me këto çështje.

Të vetmet studime që kanë treguar se maskat janë efektive në ndalimin e sëmundjeve të ajrit janë studime vëzhguese- të cilat vëzhgojnë njerëzit që zakonisht përdorin maska, në vend që të përpiqen të krijojnë një grup kontrolli të rastësishëm. Këto prova përfshijnë gjashtë studime të kryera në Lindjen e Largët në vitin 2003 pas shpërthimit të SARS 1, të cilat treguan se maskat mund të funksionojnë, veçanërisht kur ato përdoren nga punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe pacientët krahas larjes së duarve.

Por studimet vëzhguese janë të prirura të krijojnë paragjykime: në kulmin e një pandemie, jo shumë njerëz e mbajnë mend nëse e kanë përdorur dhe si e kanë përdorur maskën si dhe çfarë distance kanë mbajtur me të tjerët. Mungesa e një testimi të rastësishëm po ashtu mund të ‘ngatërrojë’ rezultatet dhe mund të mos llogarisë efektet sezonale. Një studim i fundit vëzhgues u tërhoq pas publikimit sepse rënia e infeksioneve ndodhi për shkak të verës dhe niveli u rrit sërish më vonë.

Kjo është arsyeja përse testime të mëdha dhe me kampionë të rastësishëm si ky në Danimarkë janë kaq të rëndësishme nëse duam të kuptojmë ndikimin e masave si maskat e fytyrës. Shumë njerëz kanë argumentuar se është shumë e vështirë që të presësh për studimet e rastësishme- por Danmask-19 ka treguar se këto lloj studimesh janë më se të realizueshme.

Dhe tani që kemi një kërkim shkencor siç duhet dhe rigoroz, në të cilin mund të mbështetemi, provat tregojnë se mbajtja e maskave në komunitet nuk ul ndjeshëm shkallën e infeksionit.