Në vazhdën e veprimeve hetimore që po kryen Prokuroria e Krimeve të Rënda për dosjen “Tahiri-Habilaj”, hetuesit kanë sekuestruar në fundjave dhe librin e hyrje-daljeve pranë Ministrisë së Brendshme. Ky veprim hetimor është kryer, duke marrë spunto nga një bisedë e përgjuar mes dy vëllezërve Moisi dhe Florian Habilaj, ku ky i fundit i thotë se kishte shkuar në Tiranë dhe kishte takuar shefin e madh. Prokurorët e Krimeve të Rënda ngrenë dyshime të arsyeshme se shefi i madh mund të jetë ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Hetuesit dyshojnë se takimi mes Florian Habilajt dhe Tahirit është kryer pranë ministrisë së Brendshme, dhe për pasojë për të shuar çdo dyshim, është sekuestruar libri i hyrje-daljeve pranë ministrisë së Brendshme. Ndërkohë në një dokument që disponon “Shqiptarja.com” thuhet se Habilajt kanë bashkëpunuar ngushte dhe me grupin e Taulant Haxhirajt dhe Renato Avdulajt, grup i cili tashmë është dërguar për gjykim.
Grupi i Haxhirajt e bashkëpunimi
Në periudhën Prill-Maj 2016 shtetasit Shqiptarë Taulant Haxhiraj, Shkëlqim Koçiaj, Reshat Rradhima, Xhovalin Baco etj, në territorin e zonës Administrative Vlorë, pasi siguruan më parë sipërfaqe toke, në pyll apo kullota në pronësi të shtetit ose të personave privatë kultivuan në to bimë narkotike të llojit Cannabis Sattiva.Kultivimi u krye në parcela të madhësive të ndryshme, në sasi nga 4500 deri në 5000 rrënjëbimësh narkotike. Për kultivimin, mbarëvajtjen e aktivitetit dhe ruajtjen e tij, ata aktivizuan një numër personash që u sistemuan në kasolle të ndërtuara pranë parcelave. Krahas veprimtarisë kultivuese personat e mësipërm vendosën lidhje me punonjës të policisë vendore, shtetasit Renato Avdulaj etj,duke ofruar këta të fundit garancinë e tyre, kundrejt përfitimeve të padrejta monetare, për mbarëvajtjen e aktivitetit, nëpërmjet mosdhënies së informacioneve në strukturat përkatëse të policisë, në lidhje me vendodhjen e parcelave me bimë narkotike, nëpërm,jet shmangies së asgjësimit të bimëve si dhe nëpërmjet dhënies së informacioneve personave të përfshirë në veprimtarinë kriminale për lëvizjet dhe kontrollet e ushtruara nga policia. Kohët e fundit, autoritet italiane të drejtësisë sekuestruan sasinë prej 3.5 tonë lëndë narkotike e llojit kanabis, duke arrestuar sit ë dyshuar në lidhje me këtë fakt kriminal, shtetasit Moisi Habilaj etj dhe duke shpallur në kërkim ndërkombëtar shtetasin Nezar Seiti. Shtetasi Moisi Habilaj së bashku me shtetasit Nezar Seiti, Florian Habilaj, Matan Matani, etj, që nga Prilli 2017 e në vazhdim hetohej nga prokuroria pranë kësaj gjykate për veprën penale të trafikimit të narkotikëve. Nga përgjimet e kryera nga prokuroria ka rezultuar se të dyja grupet kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe për pasojë prokuroria ka vendosur të bashkojë dy procedimet penale, për të vijuar hetimet në një të vetëm.