Raporti përfundimtar i Komisionit të Venecias me konkluzionet në lidhje me verifikimin e ligjshmërisë nga ana e presidentit Ilir Meta për zhdekretimin e datës 30 qershor, do të publikohet më datën 11 tetor.
Ky fakt është bërë i ditur nga vetë delegacioni që ndodhet në Tiranë, ku përgjatë dy ditëve zhvilluan edhe një sërë takimesh me përfaqësues të partive politike. Kështu pas përfundimit të takimit të sotëm me Komisionin Hetimor, përfaqësues të “Venecias” se pas fakteve të mbledhura u krijua edhe një ide mbi faktin nëse Meta ka shkelur apo jo ligjin me zhdekretimin e datës së zgjedhjeve.
“Takimet ishin të frytshme. Morëm informacionet e nevojshme dhe kemi krijuar një ide për çështjen. Opinioni do jetë gati më 11 tetor”, -tha një prej përfaqësuesve të Venecias, Kaarlo Tuori.
Kujtojmë se pasi opozita vendosi që të mos hyjë në zgjedhje, Meta zhdekretoi 30 qershorin, duke caktuar si mundësi të dytë 13 tetorin. Por ky vendim solli reagime të ashpra mes palëve, ndërsa maxhoranca ngriti Komisionin Hetimor për shkarkimin e presidentit Meta. Ky i fundit pohoi se vendimi në fjalë erdhi për të shmangur konfliktet që mund të çonin edhe në përplasje civile.
Kujtojmë se që prej ditës së djeshme Komisioni i Venecias ndodhet në Tiranë lidhur me kërkesën deputetëve të mazhorancës për shkarkimin e presidentit, duke pretenduar se Meta ka shkelur Kushtetutën me çdekretin e 30 Qershorit dhe dekretimin e zgjedhjeve më 13 Tetor.
Ndërkohë, dje ekspertët patën takime intensive, duke filluar me përfaqësuesit e opozitës, Oerd Bylykbashin dhe Klajda Gjoshën. Më pas delegacioni takoi Presidentin Ilir Meta, kryetarin e Kuvendit, kryetarin e grupit të PS-së, kreun e qeverisë Edi Rama si dhe ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, ndërsa sot do të zhvillojë një takim edhe me Shoqërinë Civile.