A do ta shpërndajë Presidenti Parlamentin? Ja si përgjigjet këshilltari i...

A do ta shpërndajë Presidenti Parlamentin? Ja si përgjigjet këshilltari i Metës

353
0

Bledar Dervishaj, këshilltar ligjor i Presidentit të Republikës Ilir Meta, iu ka dhënë përgjigje shumë pikëpyetjeve të ngritura pas zhvillimeve të fundit në vend dhe aktit të fundit të Kreut të Shtetit.

I ftuar në News24 në rubrikën “Opinion”, ai foli edhe për mundësinë që Presidenti të shpërndajë parlamentin.

Sipas Dervishajt, nuk është një moment që po vlerësohet aktualisht dhe se po merret një informacion zyrtar se sa deputetë ka Kuvendi i Shqipërisë dhe si janë të shpërndarë në zonat zgjedhore.

Sa i përket arsyeve të Presidentit për dekretin që anulon 30 qershorin këshilltari i Metës tha se argumentet kanë qenë shteruese.

“Ju bëtë një përshkrim kronologjik të procesit si ka nisur ky proces që nga nëntori 2018 kur Presidenti dekretoi caktimin e datës 30 qershor si ditën e zhvillimit të zgjedhjeve. Që këtu nis procesi organizativ. Arsyet pse Presidenti mori këtë vendim kanë qenë shteruese. Kanë qenë 16 faqe arsyetim kushtetues tërësisht ku janë përmendur të gjitha dispozitat ligjore dhe kushtetuese mbi të cilat u ndërmor ky vendim.Ju përmendët rezolutën që aprovoi kuvendi ditën e djeshme, nuk më rezulton që për asnjë moment të jetë bërë një shqyrtim mbi arsyet se përse presidenti mori një vendim të tillë. Këtë prisnim dje”, tha Dervishaj.

Lidhur me kërkesën e Presidentit ndaj KQZ-së, Dervishaj e cilësoi të zakonshme dhe se Presidenti e kryen këtë veprimtari me të gjitha institucionet publike.

“Askush nuk duhet të çuditet për këtë. Është një veprimtari që presidenti kryen me të gjitha institucionet publike. E ka kërkuar jo vetëm përkundrejt KQZ. E bën sepse është garant i Kushtetutës dhe është ai që vlerëson nëse mekanizmat e Kushtetutës funksionojnë. Në shumë rast institucionet nuk janë përgjigjur në kohë, shpresojmë mos të jetë ky rasti.

Presidenti i Republikës ka filluar një proces dialogu me të gjitha forcat politike lidhur me datën e re të zgjedhjeve dhe krizën që po kalon vendi institucionale dhe kushtetuese. Sot jemi në një fazë dialogu dhe duhet t’i përgjigjemi frymës së saj. Kushtetuta ka të përcaktuara qartë rastet dhe kompetencat e Presidentit. Nuk është një moment që po vlerësohet aktualisht. Po merret një informacion zyrtar se sa deputetë ka Kuvendi i Shqipërisë dhe si janë të shpërndarë në zonat zgjedhore. Aktualisht nuk është një moment që kjo të diskutohet”, deklaroi Bledar Dervishaj.