A do jemi sërish infektues pasi të kemi bërë vaksinën? Pyetja që...

A do jemi sërish infektues pasi të kemi bërë vaksinën? Pyetja që po mundon komunitetin shkencor, cilat janë përgjigjet që jepen për momentin

220
0

Ndërsa autoritetet rregullatore në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë (dhe shumë vende të tjera në botë), po vlerësojnë të dhënat për autorizimin e përdorimit të vaksinave të ndryshme kundër Covid-19 që i kanë kaluar tashmë testet klinike, një pyetje e re ka filluar të debatohet midis ekspertëve.

 

Pyetja ka të bëjë me infektivitetin e atyre që vaksinohen. Me premisën që vaksinimi do të jetë në gjendje të shmangë simptomat dhe zhvillimin e sëmundjes, a mbeten infektivë ndaj të tjerëve njerëzit që vaksinohen dhe më pas bien në kontakt me SARS -Cov-2?

 

Kjo është një pyetje mjaft e rëndësishme, për të cilën komuniteti shkencor nuk ka ende një përgjigje të qartë dhe përfundimtare. Pyetja u ngrit disa ditë më parë nga Ilaria Kapua, e cila deklaroi se “cilido që vaksinohet kundër koronavirusit, mund të infektojë dhe t`ua transmetojë sëmundjen të tjerëve në rast se nuk mban maskë”.

 

“Kur flasim për efikasitetin, ne i referohemi sëmundjes. Ka shumë pak vaksina që sigurojnë një imunitet steril, ku virusi është i padepërtueshëm”, shtoi ajo. Në fakt, edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, në një raport mbi funksionimin e vaksinave, theksoi se shumica e tyre kanë si synim kryesor “parandalimin e sëmundjes”, dhe jo domosdoshmërisht “mbrojtjen nga infeksionet”.

 

Pastaj janë disa vaksina si ato kundër hepatitit A apo virusit të papilomës njerëzore (Hpv), të cilat kanë dëshmuar të jenë efektive si kundër sëmundjeve simptomatike ashtu edhe kundër atyre asimptomatikë:një lloj mbrojtje e dyfishtë, që është pikërisht ajo që Kapua e quan imunitet steril.

 

Për ta kuptuar më mirë debatin, është e rëndësishme të bëhet një dallim midis infektivitetit për shkak të virusit (apo një përbërësi të vetëm të tij) që përmban vaksina, dhe infektivitetit për shkak të kontaktit me virusin e vërtetë, që jeton në botën e jashtme.

 

Skenari i parë është jashtëzakonisht i vështirë, siç konfirmohet edhe nga Masimo Gali, specialist i sëmundjeve infektive në Spitalin Sako dhe profesor në Universitetin e Milanos.“Vaksinat përmbajnë viruse të vdekura, të ç’aktivizuara ose të dobësuara”- shpjegoi ai.

 

“Ose disa nga përbërësit e tij individualë, siç është ARN mesazhere. Në çdo rast, këta janë patogjenë që nuk janë absolutisht në gjendje të shumohen. Për këtë arsye nuk ka asnjë arsye për të menduar se virusi që përmban një vaksinë është i aftë të shumohet vetë ose t’a bëjë atë infektiv për të tjerët”- thekson ai.

 

Sa i përket aspektit tjetër, gjërat janë pak më ndryshe. Masimo Andreoni nga Universiteti Tor Vergata i Romës, thotë se për momentin, është e pamundur të thuhet me siguri nëse vaksinat kundër  Covid japin imunitet steril apo jo.

 

“Realiteti faktik është se me siguri vaksinat kandidate më premtues, janë dëshmuar mbi 90 për qind efektive, që është një shifër e jashtëzakonshme për uljen e rrezikut të zhvillimit të sëmundjes. Por këto të dhëna nuk kanë të bëjnë me ndalimin e infeksionit tek ai që vaksinohet.

 

Ne nuk kemi elementë të mjaftueshëm për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje. Kështu që tani për tani nuk mund të themi asgjë përfundimtare”- shprehet ai. Dhe nuk mund të qetësohemi duke parë vaksinat e tjera, pasi thekson Andreoni “është e vështirë të mendosh për modelet e vaksinimit dhe patogjenë që janë kaq të ndryshëm nga njëri-tjetri.”

 

Një nga studimet e pakta të kryera në lidhje me këtë temë, i botuar majin e kaluar, kishte treguar se majmunët e vaksinuara me vaksinës kandidate tëAstraZeneca ishin të mbrojtur nga pneumonia e shkaktuar nga infeksioni Sars-Cov-2 , por kishin ende një ngarkesë të lartë virale në rrugët e sipërme të frymëmarrjes

 

Kjo gjë mund të nënkuptojë se ata ishin ende në gjendje që të përhapnin virusin, edhe pa u sëmurur vetë. Ky nuk është një lajm i shkëlqyer, por as i keq. “Ne duhet të shohim gjysmën plotë të gotës”- thotë Vinsent Mynster, një nga autorët e studimit.

 

“Transformimi i sëmundjes nga pneumonia në një të ftohur të zakonshme,mbetet një hap i madh përpara”- shton ai. Sigurisht, nëse do të ishte kështu, kjo do të thotë që imuniteti i tufës aq shumë i dëshiruar, do të jetë edhe më i vështirë për tu arritur. Por për momentin nuk mund ta dimë me siguri këtë gjë.