Pandemia COVID-19 dhe lufta për mbijetesë e shtresave të margjinalizuara në komunitete...

Pandemia COVID-19 dhe lufta për mbijetesë e shtresave të margjinalizuara në komunitete të vogla

6459
0

Arlis Alikaj

Qeveria i inkurajoi fuqimisht njerëzit të qëndronin në shtëpi përgjatë pandemisë, por dhuna nga partneri dhe nivelet e larta të papunësisë mes grave në komunitete të vogla, i kanë lënë shumë prej tyre pa burime të nevojshme jetese, ose një sistem mbështetës. Në Librazhd, larg Tiranës së mundësive, gjatë Covid-19, gratë e margjinalizuara apo të “harruara” ishin në luftë për mbijetesë. “Një nga gjërat që më preku vërtet gjatë shërbimit tim ishte mungesa e mundësive ekonomike për gratë në komunitet, veçanërisht ato të moshës mesatare ose më të moshuara. Në një qytet si Librazhdi, me shkallë papunësie 41% në vitin 2017 (por të gjithë e dimë se shifra është më e lartë se në ato në letër), gratë nuk punonin jashtë shtëpisë, përveç rasteve kur angazhoheshin në një biznes të vogël në pronësi të familjes”, thotë Majkëll Black, ish-vullnetar amerikan, i cili punoi në Librazhd në disa projekte për ngritjen ekonomike të grave. Rebeka Bylykbashi, përfaqësuese e Klubit të Grave, nismë e Qendrës Mjedisore Për Studime dhe Zbatime për fuqizimin e grave të papuna dhe në moshë në qarkun e Elbasanit, thotë se ekonomia lokale u dobësua në ekstrem dhe kjo ishte një thikë në zemër për mbijetesën gjatë pandemisë. Sipas një studimi të kryer nga QMSZ-ja, rreth 200 gra të zonave rurale u shprehën se ishin vulnerabël gjatë periudhës së karantinës, gjë që ulte nivelin e integritetit të tyre.

“Në qyteza të vogla konservatore, të drejtat e grave nuk respektohen në kohë normale dhe jo më gjatë COVID-19, gjë që vështirësoi, duke i bërë deri të pamundura shumë gjëra. Këto qytete të vogla nuk ofrojnë shumë mundësi as për brezin e internetit, rininë e jo më për shtresat në moshë. Dhe ne, shoqëria civile jashtë Tiranës, por edhe në Shqipëri në përgjithësi, jemi shumë e pazhvilluar”, shton Rebeka.

Gratë dhe vajzat e zonave rurale. Pandemia, dy herë dhimbje mbi supe

Gratë dhe vajzat e zonave rurale në Shqipëri përfaqësojnë pjesën më vitale të zhvillimit bujqësor e rural dhe kontributi i tyre është i paçmueshëm. “Gruaja kontribuon dhe investon në mirëqenien e familjes, jetës komunitare dhe më gjerë, edhe pse ky kontribut shpesh është i pavlerësuar dhe i papaguar”, thuhet në një deklaratë të Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural gjatë një aktiviteti përkrahjeje që synonte ndërgjegjësimin mbi rolin dhe kontributin e grave dhe vajzave në zonat rurale, si dhe mobilizimin e vullnetit politik për më shumë mbështetje në sfidat shumëdimensionale me të cilat përballen kjo shtresë e shoqërisë. Gruaja e zonave rurale është e varfër, edhe në krahasim me burrat në zonat rurale, edhe në gratë e zonave urbane. Ajo ka qasje të ulët në shërbime publike bazë, infrastrukturë, tregje, teknologji dhe informacion. Ka qasje shumë më të ulët në pronësi dhe menaxhimin e fermës; është më pak e arsimuar dhe e papërfaqësuar në jetën sociale, ekonomike dhe politike. “Të ndërgjegjshëm se zhvillimi i qëndrueshëm social dhe ekonomik i vendit nuk mund të arrihet nëse nuk u ofrohet mbështetje grave dhe vajzave në zonat rurale që të luftojnë varfërinë dhe përjashtimin social, këmbëngulim se përfshirja e fuqizimit social-ekonomik të tyre në agjendën e politikë-bërjes është prioritet”, vijon deklarata.

“Skema kombëtare e mbështetjes së bujqësisë dhe zhvillimit rural si një nga instrumentet kryesore mbështetëse të sektorit, edhe pse me kufizimet e veta, duhet të ridimensionohet duke brendësuar në procesin e aplikimit çështjet gjinore. Aplikantet femra duhet të gëzojnë bonus gjinor pikësh, me qëllim ngushtimin e hendekut social dhe ekonomik. Kjo kërkon një rishikim tërësor të procesit të aplikimit për të tejkaluar mangësitë dhe garantuar drejtësinë e procesit. Gruaja vizionare në zonat rurale kërkon mundësitë për të qenë edhe nënë e mirë, sipërmarrëse e suksesshme dhe grua aktive në komunitet. Ajo ka nevojë për trajtim të drejtë”, shprehet Evelina AZIZAJ, koordinatore kombëtare e Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural.

Por si ishte periudha e pandemisë për një grua të papunë, një grua invalide, një grua rome, një fshatare të jeton në Librazhd, në një qytet të vogël konservator, ku burime të vetme të punësimit janë bashkia dhe disa bar-kafe të vogla? Çfarë do të thotë të jesh grua në vitin 2021 në disa qytete të vogla larg Tiranës?

Arjana Novaku, një grua e papunë, ka në shtëpi një person me aftësi të kufizuar, flet për situatën e rënduar që ka krijuar pandemia tek ajo.

“Pandemia ka qenë shumë e vështirë në familjen time dhe për mua, si grua, e vetme, e papunë. Ka qenë shumë stresuese të përballesha me krizën ekonomike dhe kjo gjë mu rëndua pasi duhet të kujdesem edhe për një person me aftësi të kufizuar. Nuk ia dilja dot, pasi edhe unë jam e sëmurë kronike. Ky stres ka ndikuar edhe te fëmijët e mi të mitur. Nuk arrij t’ua plotësoj kushtet që u nevojiten. Jam kryefamiljare e paguaj qira dhe megjithëse kam bërë kërkesa të shumta për ndihmë, kam marrë vetëm llafe, asnjë lloj mbështetjeje. Jam lodhur duke ardhur vërdallë, me shpresën se do ta gjej një zgjidhje, por ka qenë e pamundur…”, përfundon Arjana.

Flitet në konferenca dhe bëhen plan-veprime kudo, por sa arrijnë ato në qytetet konservatore dhe sa e fuqishme është një grua atje? Papunësia duket qartë në burokracitë që hasin gratë nga ana e institucioneve lokale. Specialistë pranë Zyrës së Punës në Librazhd thanë se një numër i konsiderueshëm grash janë regjistruar si të papuna, por ata e lidhin këtë fakt me mungesën e tregut, por edhe kualifikimeve për ato pak pozicione që kërkojnë disa fabrika. Vaibe A. nga qyteti i Librazhdit merr vetëm 1.200 lekë të reja në muaj asistencë sociale. “Një luftë e vërtetë për të mbajtur familjen”, thotë ajo me gjysmë zëri.

Kjo na njeh me anën tjetër të Shqipërisë, atë të mundësive të pakta për këto shtresa…

Sipas statistikave zyrtare të Institutit Publik të Statistikave, INSTAT, shumica e produkteve ushqimore bazë të shportës janë rritur disa herë, në krahasim me vite të tjera. Lista e çmimeve mesatare për artikujt ishte më e lartë në periudhën e pandemisë, krahasuar me vitet e tjera.

Covid-i dhe personat me aftësi ndryshe, në komunitete të vogla

Luljeta Hunçi nga Librazhdi, prindi i Kristinës me aftësi të kufizuara, shprehet se pandemia e mbylli brenda së bashku me hallet e tyre. “Ia kam dalë me shumë vështirësi. As me farmacinë nuk na dilnin llogaritë. Jemi të papunë si familje dhe me pagesën e invaliditetit të Kristinës mbahemi. Nuk mbarojnë listat e borxheve në farmaci dhe dyqane”.

Në foto: Luljeta duke ndihmuar të bijën Kristinën të ulet në karrigen me rrota.

Luljeta vazhdon se Kristina u mërzit shumë gjatë pandemisë dhe askush nuk u kujtua për të. Si në kohë normale, ashtu edhe në emergjenca, ajo ka dëshirën që Kristina të shkollohet.

Kjo është një kategori që edhe në kohë normale, përballet me problematika të rënda, si diskriminimi dhe përjashtimi social. Sipas një studimi të shoqatës Together For Life, 91% e të anketuarve nuk kanë përfituar nga paketat ekonomike. Studimi u fokusua në dy problematika kryesore, situatën ekonomike dhe atë shëndetësore të kësaj kategorie. Anketimi u shtri në gjashtë qarqe të vendit, ku janë përfshirë 360 pjesëmarrës (persona me aftësi të kufizuara dhe kujdestarë të tyre). Dy paketat e ndihmës nga ana e qeverisë ishin paketa për të mbështetur ekonominë dhe kryesisht, ata që ishin në marrëdhënie pune. Vetëm 11 % e atyre nga ky kampion të anketuarish, që kanë qenë në marrëdhënie pune përpara pandemisë, kanë përfituar nga këto lehtësira, thotë zonja Alma Lahe, eksperte pranë kësaj shoqate. Më tej, Lahe ngre shqetësimin se qeveria nuk ka patur një program të posaçëm. Familjet e personave me aftësi të kufizuara janë ndihmuar kryesisht nga të afërm, apo edhe nga shoqata humanitare.

MEDPAK-u është një shoqatë jo-fitimprurëse e krijuar në vitin 1993 nga prindër të fëmijëve me aftësi të kufizuara në qytetin e Librazhdit, për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve të tyre, e shtrirë me veprimtarinë e saj në gjithë Shqipërinë. Sfidë për kryetaren Zela KOKA, si prind me fëmijë dhe aftësi të kufizuara, por edhe pjesë e shoqërisë civile ishte tkurrja apo mbyllja e shumë projekteve dhe reduktimi i stafit me punë të paguar, që ka ndikuar negativisht në shërbimet për fëmijët me aftësi të kufizuar.

Në foto, Zela Koka, kryetare shoqatës MEDPAK.

Ndërprerja e shërbimeve për personat me aftësi të kufizuara, për shkak të mungesës së fondeve

“Kjo periudhë ishte dhe vazhdon të jetë një sfidë, thotë Zela. Për shembull, prej 18 vjetësh ne kemi në partneritet me bashkinë e Librazhdit Qendrën Ditore të Aftësisë së Kufizuar. Numri i fëmijëve që bënin terapi u pakësua sepse nuk kishte transport për të ardhur në qendër dhe, duke qenë se përfundoi projekti, logopedistja u shkëput nga rroga dhe prindërit hasën vështirësi sepse ata nuk arrinin dot të paguanin. Me shumë dhimbje, disa prej fëmijëve kanë humbur aftësitë që me shumë mund e sakrificë i fituan përmes trajnimit tonë”, thotë e mërzitur Zela.

Në një raport të MEDPAK-ut për prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara, të cilët, në kushtet e izolimit, po i arsimojnë fëmijët në familje, pyetjes në lidhje me shpeshtësinë e udhëzimeve të marra nga mësueset, shumica iu përgjigjën se komunikimi me mësuesit është një herë në ditë (rreth 80% e tyre), 23 prindër (9.7%) komunikonin një herë në javë dhe 8.4% e prindërve nuk kishin komunikuar asnjëherë më mësuesit gjatë kësaj kohe, edhe për shkak të mospasjes së një aparati telefonik.

Pyetësori u plotësua nga 238 prindër/kujdestarë në të gjithë Shqipërinë. Zonat me numër më të madh të anketuarish ishin Elbasani, Dibra, Librazhdi, Tirana, Shkodra, Mirdita, Korça etj. (Shih Aneksin, Tabela1). Siç shihet dhe nga grafiku më poshtë, 61% e prindërve që i janë përgjigjur pyetësorit, banojnë në zona urbane, ndërsa 39.1%, në zonat rurale.

 

Nëse iu referohemi studimeve që kanë synuar të vlerësojnë situatën ekonomike të PAK-ut, konstatojmë se këto familje jetojnë në kushte të vështira financiare të lidhura drejtpërdrejt me aftësinë e kufizuara të anëtarëve të tyre. Të pasurit e një fëmije apo anëtari të familjes me aftësi të kufizuara, kushtëzon përfshirjen në punë apo aktivitete fitimprurëse, për shkak të përkujdesjes së veçantë për të cilën kanë nevojë këta fëmijë, duke ndikuar në të gjithë ekuilibrat familjarë dhe shfaqjen e problemeve sociale e shëndetësore që shkakton varfëria. Kjo shpjegon edhe pamundësinë e prindërve për t’u siguruar fëmijëve mjete didaktike të përshtatshme, aparate celulare/kompjuterë, apo edhe për të paguar abonimin e internetit.

Karantina gjatë pandemisë dhe sfidat e reja të së ardhmes

Doris KOKA, pjesëtar i komunitetit PAK, tha se pandemia për të ishte shumë e vështirë. “Ne, thotë ai, po mundohemi si OJF të gjejmë mënyrat për t’i dërguar shërbimet tona në mënyra të reja dhe novatore te prindërit që kanë mungesë kapacitetesh. Në Librazhd mungon infrastruktura, pa harruar që këta prindër janë të lodhur nga jeta e vështirë. Nuk është e lehtë të kesh një familjar me aftësi të kufizuara. Personat me aftësi të kufizuar duan shumë kujdes dhe dashuri. Ata pothuajse kanë qenë të vetmuar në kohë normale dhe gjatë karantinës, kjo vetmi u dyfishua. Prindërit janë të rraskapitur. Gjatë kësaj pandemie, ata dhe fëmijët e tyre, kishin nevojë qoftë dhe për një telefonatë, për t’u thënë se nuk janë vetëm. Por, a e bën njeri? Kemi ende shumë për t’u përmirësuar si shoqëri”.

Roli i pushtetit vendor dhe mësimet e nxjerra nga pandemia

Skënder Alla (në foto, sipër), përfaqësues i shoqatës së invalidëve dhe njëkohësisht, anëtar i këshillit bashkiak Librazhd, ashtu si dhe Zela Koka, tha për gazetarin Arlis Alikaj se gjatë pandemisë aktiviteti i shoqatës së tij ka vijuar duke iu përmbajtur protokolleve të sigurisë përcaktuar nga ministria e Shëndetësisë, duke respektuar distancën e rregullat e tjera. “Karantina ka qenë shumë e vështirë, pasi këta janë një shtresë në nevojë që nuk janë thjesht invalidë të punës që nuk kanë këmbën a dorën, por kanë probleme me veshkat, me mëlçinë, janë invalidë nga mushkëritë, etj., pra, janë më të prekur se të tjerët dhe duan një përkujdesje të jashtëzakonshme”, tha Skënderi. Në lidhje me shërbimin dhënë nga bashkia Librazhd, Skënderi thotë se kjo kategori ka qenë prioritare në dhënien e ndihmës ushqimore. Kanë qenë prioritarë në transportin falas. Janë bërë mbledhje të këshillit bashkiak ku tema e ditës kanë qenë përherë ata. Ka ende vend për përmirësim, thotë ai, siç është transporti inter-urban. “Sipas ligjit 7889 të datës 12.12.1994, të gjithë individët me status invalidi, udhëtojnë me gjysmë bilete nga qyteti në qytet dhe falas brenda qytetit, por shumë faturino të painformuar, thonë që këto nuk hyjnë në punë pasi duan të fusin ndonjë lek në xhepin e tyre. Këtu duhet të ketë mekanizma rregullues dhe ndëshkues nga shteti”, përfundon Skënderi. Gjithkush paguan vetëm kuotën prej 400 lekësh që shërben si kuotë anëtarësimi te shoqata dhe invalidët e rrethit Librazhd, por pajisen me kartonin e librezës së shoqatës dhe përfitojnë kudo që nga bursa falas, transport, rimbursime e taksën e televizionit.

Si e kaluan karantinën gratë e komuniteti rom dhe egjiptian larg kryeqytetit?

Rexhep Shaka, kryetari i shoqatës Barazi dhe Integrim e cila përfaqëson komunitetin egjiptian në Librazhd është njëkohësisht dhe përgjegjësi i sektorit të Shërbimeve Sociale pranë Bashkisë Librazhd. “Periudha e karantinës e cila ka filluar që në muajin mars të vitit 2020 ka qenë njëlloj e vështirë si për gjithë shoqërinë, ashtu edhe për komunitetin egjiptian. Mbase edhe pak më shumë se të tjerët e kanë vuajtur ata, duke qenë se është një komunitet vulnerabël, pa kushte të  mjaftueshme. Ne si sektor kemi pasur një plan të detajuar për të mbështetur këto shtresa qoftë nga ana ushqimore, qoftë me ndërgjegjësim të komunitetit se si të përballonim këtë pandemi e cila ishte e panjohur më parë. Ky komunitet madje pati u ndihmua edhe pak më shumë nga të tjerët. Mensa ishte e hapur çdo ditë për t’u dërguar ushqimet e ngrohta në shtëpi. Këto shtresa si njerëzit me aftësi të kufizuar, jetimët, komunitetet e margjinalizuara u trajtuan njëlloj dhe kishin mbështetje të plotë nga pushteti vendor. Rexhepi thotë më tej se për hir të së vërtetës ka pasur politika sociale edhe në drejtim të strehimit apo shkollimit për këto kategori dhe ndryshime pozitive. Ai e sheh si sfidë integrimin e tyre në shoqëri, pasi ende ka paragjykime dhe si përfaqësues i përzgjedhur i shoqërisë civile, flet për mbështetjen me fonde që duhet të kenë shoqatat e komunitetit nëpër rrethe të vogla, si mbrojtëse të të drejtave të komuniteteve të margjinalizuara.

Në foto, Rexhep Shaka gjatë intervistës.

Në qytetin e vogël të Librazhdit buzë lumit Shkumbin, jeton e ka nevojë emergjente për një banesë të re Tahire Balla pasi rrezikohet çdo ditë nga kushtet e këqija dhe shembja e tokës që ndodh aty shpeshherë. Si për ironi, përballë shtëpisë së kësaj nëne me njëqind halle, shtrihen lokalet e luksit që u ofrojnë dreka e darka luksoze biznesmenëve ose pushtetarëve, asnjëri prej të cilëve nuk i ka hedhur sytë nga ana tjetër e lumit… Askush nuk e ka vënë re këtë shtëpi që ditë për ditë, rrëshqet drejt lumit Shkumbin.

Tahira Balla, përfaqësuese e komuniteti rom, jeton në kushte tejet të vështira ekonomike. Situata që na tregon ajo duket se është gjithnjë larg kur vjen puna te legalizimi i shtëpive apo ndarja e banesave sociale jashtë Tiranës, larg lobimit të organizatave apo dhe vëmendjes mediatike.

Në foto: Tahira Balla

“Pandemia për mua ka qenë shumë e vështirë, shumë keq për mua. Me borxhe e kam kaluar. Jam pa punë. Kam shumë halle e probleme. Jam pa shtëpi. Kam probleme me strehimin. Kur ka qenë karantinë, këta të bashkisë kanë sjellë ndihma, por ne duam të ndihmohemi çdo ditë. Po vuajmë”, përfundon Tahirja.

▶Shihni edhe videon e prodhuar bashkëlidhëse me artikullin: https://www.youtube.com/watch?v=EWXdHTRoMjc

Shperndaje