Rudina flet për filozofinë e saj të të bërit television: Ju i...

Rudina flet për filozofinë e saj të të bërit television: Ju i quani gafa, unë i quaj perla..

645
0

Janë të shumta faqet e memeve që vënë në shënjestër lapsuset dhe gabimet e moderatorëve të ekranit, herë nga shpejtësia, herë nga emocionet, herë nga të qenit nën presionin e transmetimit ‘live’ ose ngarkesës së përditshme. Moderatorja Rudina Magjistari ka vendosur t’u kthejë një përgjigje të gjithëve përmes një postimi në facebook ku ka treguar edhe mënyrën e saj të të bërit televizion. “Kaq i rrallë është spontaniteti në këtë vend, natyralja, e vërteta, sa habiten kur e ndeshin. Dhe i duket se ç’gjëmë ka ndodhur! Mesa duket ka aq shumë falsitet e injorance, sa të jesh vetvetja dhe të bësh një televizion natyral, siç ka qenë filozofi e imja gjithë jetën, duket si herezi. Në vend që të kenaqeni e të shijoni një komunikim joskematik, protestoni se sa poshtë ka rënë televizioni. Po turp, s’ju vjen?! I quani gafa, po nga ato të gjithë bëjmë e të gjithë qeshim me njëri-tjetrin. Kurse unë do ti quaja perla more të uruar, sepse na e rrëmbejnë një buzëqeshje gjatë ditës. Sigurisht, ndryshe nga tuajat, apo edhe nga ata që bëjnë një program një dite të vetme në javë dhe kanë kohë ta krasisin siç duan, ato të miat kane më shumë vizibilitet. Sepse gjërat janë të lidhura: orët televizive në transmetim, intensiteti, publiku, audienca, shtrirja në vite e programit, dhe sidomos po të kthehet në objektivin tuaj, sigurisht që duken shumë.”

 

Më tej Rudina tregon se asnjëherë gjatë përvojës së saj në televizon, nuk ka parapëlqyer t’i parapërgatisë situatat dhe ka besuar tek të qenurit spontane, si një kriter i rëndësishëm i zhvillimit të ekranit.

 

“Nqs s’e keni kuptuar akoma, unë BISEDOJ me te ftuarin kur e intervistoj, sepse nuk jam dhe s’dua aspak te bej gazetaren e lajmeve. Dhe te qenurit spontan është tek unë nje kriter i rëndësishëm i zhvillimit të programit. Kush ka punuar me mua, e di mirë sa s’më pëlqen ti parapërgatis situatat në program, por insistoj që gjithçka të ndodhë në mënyrë origjinale direkt në transmetim. Dhe ky është stili im unik i të bërit televizion, këtu e gati 30 vjet.

 

S’po merrem pastaj me rastet, kur unë vetë i ngacmoj të ftuarit me humor dhe ata “të mprehtët”, që janë mësuar vetëm me standardin e humorit të hungërimave, e quajnë si lajthitjen e rradhës.”

 

Së fundi, ajo ka theksuar se misioni i televizionit është dhe argëtim përveçse edukim dhe informim, duke dhënë edhe një mesazh të fundit për ata që janë ‘bukëshkalë e të paedukuar’.

 

“E di që shumë prej jush, do thonë “po c’merresh me ta”! S’ia vlen! Po ja, që duhet ta shkruaj pikërisht për ta. Që të lexojnë e të kuptojnë, se televizioni në fund fare është ARGETIM, përveçse INFORMIM dhe EDUKIM. Dhe jam krenare që programi im i përmban denjësisht të gjitha këto. Shumë prej jush kanë mësuar pafund nga ky program, ku është prekur çdo lloj teme e dhënë këshilla e mësime në të gjitha format me shumë përkushtim dhe kjo mua më përmbush. Pavarësisht, se është dëshpërues fakti se jeni bukëshkalë e të paedukuar. Ju dashakeqë, që kujtoni se po bëheni interesante, uroj t’ju hyjë ndonjë gjë në kokë nga këto, se po s’hyri në kokë do hyjë në këmbë… Jeni thjesht ca paçavure për të vrarë kohën.”