Ngec kredia për banesa në zonat e prekura nga tërmeti

Ngec kredia për banesa në zonat e prekura nga tërmeti

338
0

 

Kreditimi i pasurive të patundshme ka ngecur për qarqet e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, rezulton se në tremujorin e fundit të 2019-s në qytetin e Durrësit u dhanë vetëm 78 milionë Lekë kredi për individë, të cilat mund të financojnë blerjen e jo më shumë se 20 shtëpive, ndërsa për Lezhën nuk rezulton të jetë dhënë asnjë kredi e re.

Në këtë qark, kreditimi u tkurr me 64 milionë Lekë në fund të Dhjetorit.

Tërmeti ka dhënë efekte edhe në financimin e blerjes së apartamenteve në kryeqytet.

Portofoli i kredisë për shtëpi për individë në Qarkun e Tiranës ka shënuar rritjen më të ulët në pjesën e fundit të 2019-ës, duke u shtuar vetëm me 1 miliard e 147 milionë Lekë, kundrejt një rritje mbi 2 miliardë që ka patur në muajt e tjerë të vitit të shkuar.

Rënia e peshës së kredive për blerjen e pasurive të patundshme, bën kontrast me të dhënat e kredisë së re për të gjithë sektorët në fund të Dhjetorit, e cila nga Nëntori në Dhjetor rezulton të jetë dyfishuar.

Kreditimi ka shkuar kryesisht për financimin e bizneseve, duke patur si qëllim investimin në pajisje por dhe likuiditetin e firmave.

Ndërsa totali i kredisë për financimin e individëve me qëllim blerjen e pasurive të patundshme është tkurrur me 346 milionë Lekë në fund të Dhjetorit.

Kundrejt zhvillimeve të ulta në blerjen e banesave, tregu i qirave ka njohur një zhvillim të shpejtë për Dhejtorin dhe Janarin. Sipas Institutit të Statistikave, çmimi i qirave u rrit me 0.3% në Dhjetor dhe me 1.9% në Janar, kundrejt një periudhe të gjatë që nuk pësonte luhatje