Quhet Ajet Korça dhe është 25 vjeç nga Mokra e Pogradecit. Historia e tij nuk është vetëm e veçantë, por mbi të gjitha frymëzuese dhe shpresëdhënëse. Ai lindi me probleme sa që doktorët i komunikuan familjes se nuk do mund të ecte kurrë. Megjithatë kur ai ishte 13 vjeç gjithçka ndryshoi dhe sot stërvitet dhe bokson, duke kaluar çdo vështirësi për ta shkruar vetë historinë e tij.
“Kur unë linda mjekët i komunikuan familjes sime se nuk do mund të ecja kurrë, megjithatë rastësisht babai im mësoi se në korçë ishte një doktor që mund të më ndihmonte. E takuam dhe nisëm fizioterapinë intensive dhe në moshën 13 vjeçare hodha hapat e parë.Ishte e mrekullueshme, nuk më besohej. Më pas njoha dy miq, të cilët më hapën dyert e palestrës së tyre dhe aty stërvitem çdo ditë. Kam zhvilluar edhe ndeshje boksi. Unë jam i martuar me Xhulianën, e cila ashtu si unë është nga Mokra, ajo nuk flet por ka ditur të më qëndrojë pranë – tregon Ajeti.
Me biçikletën e tij pasi përshëndetet me bashkëshorten niset drejt palestrës, ku i kanë hapur dyert për t’u stërvitur e për të mbajtur muskujt në aktivitet ashtu siç duhet.
Ajeti nuk u dorëzua, nuk e bëri as kur doktorët i thanë se nuk do ecte kurrë. Ai vetë e quan mrekulli por për ne që nuk e njohim atë betejë është padyshim prova e forcës se njeriu nëse ka vullnet e mbi të gjitha besim mund të thyejë çdo ligj, çdo forcë e çdo pengesë.