Gati 300 raste të prekura me virusin e ri në Kinë, 6...

Gati 300 raste të prekura me virusin e ri në Kinë, 6 të vdekur. OBSH mund të shpallë urgjencë ndërkombëtare

386
0

 

Së paku 291 njerëz janë infektuar me një virus të ri në Kinë, ndërsa gjashtë kanë vdekur, thanë të martën autoritetet në Pekin. Shtatëdhjeteshtatë raste të reja u identifikuan vetëm të hënën, tha Komisioni Kombëtar i Shëndetit.

Virusi i ri, i cili u shfaq për herë të parë në qytetin Vuhan të Kinës në muajin dhjetor, u identifikua si një lloj koronavirusi. Koronaviruset janë një familje e gjerë e viruseve, por vetëm gjashtë prej tyre dihet se infektojnë njerëzit.

 

Autoritetet besojnë se shpërthimi i koronavirusit të ri mund të jetë përhapur në 14 provinca kineze, ashtu si edhe në Tajvan, Filipine, Japoni, Kore të Jugut, Tajlandë dhe Australi.

 

Vlerësimet e para të shkencëtarëve janë se virusi mund të merret vetëm nga kafshët, por nuk është përjashtuar as mundësia e transmetimit nga njeriu në njeri.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se do të shqyrtojë të mërkurën shpalljen e një urgjence ndërkombëtare të shëndetit publik, për shkak të virusit.

 

 

Virusi mund të shkaktojë sëmundje nga ftohja e zakonshme deri te Sars-i. Sars – sindromë e rëndë akute e frymëmarrjes – ka shkaktuar vdekjen e mbi 700 njerëzve në botë gjatë shpërthimit të tij më 2002-2003.