Ky është 12 vjeçari Isaelo Xhemali nga Vlora.
Historia e tij nis ndryshe nga ajo e bashkëmoshatarëve të tij që ditën kur prindërit e tij biologjikë e hodhën në koshin e plehrave kur ishte ende foshnjë.
Por, një dritë shprese u shfaq në fund të tunelit të errët në të cilin ai ndodhej, në momentin kur një zotëri nga komuniteti rom e strehoi në shtëpinë e tij.
Sot Isaelo është 12 vjeç. Ai shkon në shkollë, mëson shumë dhe tregon se ka një dashuri të madhe për prindërit të cilët e birësuan.
Ai e pati të vështirë ta besonte lajmin që ishte i birësuar, por më vonë u mësua me këtë fakt duke kuptuar rëndësinë e familjes që e rriti dhe madje duke pohuar se është krenar për këtë gjë.
Duke qenë i ndërgjegjshëm për vështirësitë ekonomike të familjes e cila e rriti, Isaelo mundohet që çdo ditë të arrijë rezultate të larta në mësime e t’jua shpërblejë prindërve të cilët e rritën sakrificën.
“Më dukej e pabesueshme, por pastaj e besova. As i njoh, as i kam parë ndonjëherë. Njoh vetëm këta që më kanë rritur. Këta mbeten familja ime”, thotë vogëlushi për ora news, raporton newsbomb.al.
Deri më sot, prindërit biologjikë nuk e kanë kërkuar, por Isaelo thotë se sërish do të zgjidhte të jetonte në këtë familje që e rriti, pavarësisht se nuk i përket këtij komuniteti.
Ndërsa babai që e birësoi Leonard Xhemali rrëfen momentin kur e gjeti.
“Aty te kazanët teksa mblidhja kanoçet e kam gjetur. Pandeha se ishte mace, kur e kam gjetur me erdhi keq dhe kam qarë. E mora dhe e solla këtu”, shprehet ndërkaq babai i Isaelos.
Familja Xhemali e cila kreu këtë akt solidar nuk është e paktë në numër, përkundrazi ajo përbëhet prej 7 anëtarësh. Kjo familje e përballon jetën mes vështirësive duke gërmuar çdo ditë nëpër koshat e plehrave të Vlorës.
Edhe Isaelo ofron kontributin e tij në familje duke mbledhur shishe për të ndihmuar familjen, sapo mbaron mësimin apo në ditë pushimi.