Nusja braktis vajzën tek shinat e trenit, gjyshja: Më mohoi mbesën që...

Nusja braktis vajzën tek shinat e trenit, gjyshja: Më mohoi mbesën që kur ishte foshnje, as gji nuk i jepte

690
0

“Nxirrte gjoksin u jepte gji fëmijëve të djalit, çupës nuk i jepte. S’kam çupë më thotë, le ta gjejë me kë e ka ai”

“Historia ime” ka sjellë ditën e sotme historinë e pazakontë të një gruaje 60-vjeçare, e cila prej 7 vitesh rrit e vetme mbesën e saj. Ollga Belloshaj i është bërë nënë mbesës së saj, ndërkohë që e ema biologjike e ka braktisur në shinat e trenit.

Ajo ka treguar se djali i saj është martuar me mblesëri para 8-vitesh, por nusja nuk ka dashur të bëjë celebrim me burrin e saj. Nga kjo marrëdhënie erdhi në jetë një vogëlushe. Mosmarrëveshjet e shumta mes çiftit bënë që martesa të mos funksiononte. Ajo u largua nga shtëpia e burrit dhe nuk u kthye më. Sipas Ollgës, e ëma e vogëlushes e braktisi fëmijën e saj, u martua me një tjetër person dhe u largua drejt Greqisë.

Ollga u kujdes për mbesën, e cila sot e thërret atë mama, por problemi i vetëm është se nuk mund ta regjistrojë vajzën si pjesë të trungut të saj familjar sepse i mungon firma e nuses.

 

Mirela Milori: Sa vjeçe je?

Ollga: Sot jam 60-vjeçe.

Mirela Milori: Sa fëmijë ke?

Ollga: Kam 10 fëmijë.

 

Mirela Milori: Si është historia e mbesës tënde?

 

Ollga: Historia e mbesës sime ka ndodhur këtu e 7 vjet. Djalin e fejova, e martova me mblesëri. I bëra dhe dasmën dhe i themi nuses, pas 4-5 muaj do bëjmë celebrimin, jo tha nuk do bëj celebrim tani. Vjen koha që mbush çupa një vjeç dhe e dërgoj tek prindërit. I themi do vish? Jo tha nuk vij më, do martohem… Po çfarë ke? Nuk kam asgjë, as me ty, as me Yllin, por kaq, nuk dua më. Mirë dakord, dakord…

 

Mirela Milori: Pra iku nusja bashkë me vajzën 1-vjeç dhe s’vinin më në shtëpi?

 

Ollga: Po, i them do vij bashkë me vajzën atje, ku do martohesh ti. Mos ma bëj këtë tha, se do të vras. Kë do vrasësh ti, i thashë. Po mua s’më vret dot ti…

 

Mirela Milori: Vajza ishte një vjeçe?

 

Ollga: Po dhe na e sjellë nusja në shtëpi mbas dy javësh vajzën dhe na e lë tek shinat e trenit, është e gjithë lagjia dëshmitare.

 

Mirela Milori: Nusja nuk donte të vinte vetë, ju solli mbesën?

 

Ollga: Po, ajo s’donte të vinte vetë, e ka sjellë me gjithë të ëmën dhe tezen e saj, vetë jo… Del nusja ime me vrap dhe thotë që ka sjellë Lorena vajzën. Shpejt sille çupën tek unë, i thashë. E di çfarë doni ju, u thashë atyre, ju doni një të rrahur të mirë tani, t’ju zbërthej brinjët. E marr çupën dhe direkt shkoj në polici. Pastaj çoj çupën për vizitë, më thotë doktoresha e lagjes, çoje çupën për analiza, se nuk më pëlqen. Analizat e vajzës më dolën si me diabet. Ngrihem me vrap, me ato halle që kisha vij në Tiranë. Më thotë do t’i japësh ushqim se e ka për ushqim vajza. I them të ëmës së nuses, hajde se e kam çupën të sëmurë… Ajo më thotë vajzën e kam martuar, ka ikur në Greqi më thotë.

 

Mirela Milori: Ish-krushka jote të tha që çupa është martuar, ka ikur?

 

Ollga: Po… Pasi rregullohet vajza, e çoj në kopsht privat, deri 6-vjeçe. E çoj në shkollë dhe u lutem atyre të shkollës, ju bëfsha ma merrni se s’kam certifikatë, e kam çuar në gjendjen civile dhe kur të vijë urdhri andej ta bëjmë… Mirë thanë do ta marrim ne.

 

Mirela Milori: E regjistrove, por më shumë e ke regjistruar me miqësi, sesa me dokument?

 

Ollga: Po, me miqësi.

 

Mirela Milori: Unë dua të di pak për jetesën tuaj me nusen. Kishte konflikte me djalin tuaj?

 

Ollga: Jo me djalin asnjëherë. Kjo çfarë bënte nuk e dija, por sëmurej gjithmonë. Çfarë ke Lorenë? Jam e sëmurë vetëm thoshte…

 

Mirela Milori: Si e sëmurë?

 

Ollga: Bërtiste, ulëriste.. O ma, nuk jam për Yllin unë thoshte.

 

Mirela Milori: Vjen vajza në jetë, si ishte marrëdhënia e saj me vajzën që solli në jetë?

 

Ollga: Nuk e donte fare.

 

Mirela Milori: Tani do më thuash të vërtetën, se s’ka nënë që nxjerr shpirtin nga shpirti dhe mos ta dojë?

 

Ollga: Të vërtetën, nuk ka gënjeshtër këtu. Edhe mund të ballafaqohemi me atë. Nuk e donte vajzën. Më merrte fëmijët e djalit dhe të çupës dhe më falni ju vëllezër të mi, u nxirrte gjoksin atyre, u jepte gji dhe çupës nuk i jepte… Që janë me fakte këto.

 

Mirela Milori: Po nuk i thoje pse sillesh kështu?

 

Ollga: I thashë, pse sillesh kështu me çupën, e ke evlatin tënd? Ta gjejë Ylli me kë e ka, thoshte.

 

Mirela Milori: Si, si?

 

Ollga: Ta gjej Ylli me kë e ka. Po si moj ta gjej Ylli? E bëre ti se bëri Ylli…

 

Mirela Milori: Kjo marrëdhënia me vajzën, që ti thua nuk e donte, ishte vetëm kur vajza ishte e vogël apo vazhdoi gjatë gjithë vitit?

 

Ollga: Që gjatë shtatzënisë, e merrte e shtrydhte… I flisnim, e qortonim, e mbanim afër. E merrja, e nxirrja, e merrja përdore dhe dilja nga plazhi. Hajde të keqen nëna, t’u bëftë nëna.

 

Mirela Milori: Keni tentuar të kontaktoni me të ëmën?

 

Ollga: Po në telefon, e gjetëm atë në internet… I nxorrëm edhe çupën. Që të dëgjosh çupën të rrëqethet mishi. I thotë çupa: O Lorena, o mami po jam unë. Ik ti, se s’kam çupë unë, i thotë.

 

Mirela Milori: Si është të rrisësh mbesën pa nënë?

 

Ollga: Gjëja më e shtrenjtë. Gjëja më e lumtur për mua. Kjo mbesë është e veçantë se do ngrohtësi nëne, se s’ka si nëna në botë.

 

Mirela Milori: Është martuar djali më?

 

Ollga: Jo, ka raste plot, por i thotë çupa: O babi, po pse do martohesh, jam unë motër, nënë, babë për ty. Edhe në shkollë habiten mësueset me atë.

 

Zonja Ollga kërkon që mbesa e saj të regjistrohet dhe kërkon të ketë certifikatën për të, që të regjistrohet si duhet në shkollë, por mungesa e firmës së mamasë së vajzës e pengon.

 

Mirela Milori: Ti kërkon firmën e nënës, ia ke thënë?

 

Ollga: Ia kam thënë në telefon, ia kam shkruajtur në telefon, më duhet firma jote që të hedh çupën në trungun tim.

 

Mirela Milori: Çfarë tha?

 

Ollga: S’kam çupë më tha, le ta gjejë me kë e ka ai.

 

Mirela Milori: Çfarë thotë vajza?

 

Ollga: Po ti çfarë ke o ma? Mos u mërzit. Se ‘ma’ më thotë mua… S’donte të rrinte Lorena me mua, të kam ty më thotë./tvklan.al