FC 12 dy vite kampionë të Tiranës, Kampion Plazhi 2025, Top 16 në botë dhe në gjysmëfinalen e Kupës FSHF

FC 12 vazhdon të konfirmohet si një nga ekipet më të forta dhe më të organizuara në futbollin 5×5 dhe 9×9 në Shqipëri. Me një histori që nis që në vitin 2003, skuadra kuqezi ka ndërtuar një traditë të fortë që sot përkthehet në rezultate dhe trofe.

Në total, FC 12 numëron 8 tituj, mes të cilëve spikasin dy tituj radhazi kampionë të Tiranës në 5×5, si dhe suksesi më i fundit, shpallja Kampion Plazhi 2025, duke konfirmuar dominimin e ekipit në çdo format të lojës.

Sukseset nuk kanë munguar as në arenën ndërkombëtare. Duke përfaqësuar Shqipërinë në një kompeticion botëror me pjesëmarrjen e 116 shteteve, FC 12 arriti të renditet mes 16 ekipeve më të mira në botë, një rezultat historik për klubin.

Ndërkohë, edhe në formatin 9×9, skuadra është në një moment shumë pozitiv. FC 12 është në garë për titull në të gjitha kompeticionet dhe aktualisht ndodhet në gjysmëfinalen e Kupës së FSHF, ku do të përballet me Dajtin në një nga sfidat më të forta të sezonit.

Rritja e ekipit lidhet edhe me afrimin e lojtarëve me eksperiencë nga nivelet më të larta të futbollit shqiptar. Emra si Rrapaj, Muca, Zefi, Milori, Mumajezi dhe të tjerë kanë qenë pjesë e klubeve të njohura si Tirana, Flamurtari, Laçi, Rinia, duke sjellë cilësi dhe profesionalizëm në skuadër.

Në fushë, lider i ekipit është kapiteni Endri Kaca, simbol i karakterit dhe mentalitetit fitues të FC 12. Organizimi dhe stabiliteti i projektit mbështeten nga puna e menaxherit Klevis Malaj, ndërsa skuadra drejtohet nga trajneri Emiljano Sula.

Presidenti i klubit, Saimir Allushi, thekson:

 

“FC 12 është një traditë që vazhdon që nga viti 2003. Kemi ndërtuar një projekt serioz, me organizim, cilësi dhe mentalitet fituesi. 8 trofetë e fituar janë vetëm fillimi. Objektivi ynë është i qartë: të luftojmë për çdo titull dhe të përfaqësojmë me dinjitet emrin e klubit.”

Sot, FC 12 është më shumë se një ekip. Është një projekt, një familje dhe një emër që hyn në çdo ndeshje me një mesazh të qartë për rivalët:

 

FC 12 – ose je me ne… ose na sheh duke festuar.

 

Author: vizion