Kremra dhe çajra të skaduara/ Sekuestrohen mbi 10 mijë suplemente ushqimore dhe bimore në Tiranë, shpallet në kërkim administratori i “Limited Charm”

Mbi 10 000 produkte, të cilat rezultuan pa pullën e Agjencisë së Barnave, pa pullën e Ministrisë së Financave dhe pa etiketa në gjuhën shqipe janë sekuestruar në Tiranë. Produktet janë kremra me baze bimore, çajra. Te prodhuar ne Serbi dhe Bosnje Hercegovine. Sipas hetimeve paraprake, malli mbahej për llogari të një subjekti me aktivitet ndërkombëtar në fushën e reklamimit dixhital, ‘Limited Charm’.

Në kuadër të çështjes është shpallur në kërkim administratori i subjektit, Jasmin Trebo, një shtetas nga Bosnja dhe Hercegovina, ndërsa dy punonjës janë proceduar penalisht.

 

Hetimet vijojnë për kapjen e administratorit dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale.

 

Njoftimi:

 

Pas një hetimi me metoda proaktive, kryer në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për të dokumentuar paligjshmëritë që kryheshin në magazinën në kryeqytet, të një subjekti me aktivitet ndërkombëtar në fushën e reklamimit dixhital, u finalizua operacioni i koduar “Audienca”.

 

Nga kontrolli i ushtruar në ambientet e subjektit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare gjetën dhe sekuestruan aty, mbi 10 000 suplemente ushqimore dhe bimore të skaduara, pa pullën e Agjencisë së Barnave dhe pa atë të Ministrisë se Financave, si dhe pa etiketa në gjuhën shqipe.

 

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u shpall në kërkim administratori i subjektit, shtetasi nga Bosnja dhe Hercegovina, J. T., 53 vjeç, si dhe u proceduan penalisht punonjësit që ishin në ambientet e subjektit, shtetasit J. G., 30 vjeç dhe M. Ç., 26 vjeç.

 

Punohet për kapjen e 53-vjeçarit.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.

Author: vizion