Transferimi në Tiranë i Kadastrës së Vlorës, reagon ASHK: Qytetarët nuk preken

Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka reaguar lidhur me zhvendosjen e këtij institucioni nga Vlora. Në një njoftim për mediat Kadastra bën me dije se, procesi i transferimit të drejtorive vendore në Tiranë ka nisur që nën vitin 2021 dhe se ky riorganizim synon përshpejtimin e trajtimit dhe unifikimin e praktikave të punës. “Prej kohësh, proceset kadastrale për disa drejtori vendore janë të lokalizuara në Tiranë, si pjesë e një modeli organizimi që synon optimizimin e burimeve njerëzore dhe proceseve administrative. Aplikimet për të gjitha proceset kadastrale kryhen online përmes portalit e-Albania dhe shërbimet përkatëse ofrohen gjithashtu në mënyrë elektronike, drejtpërdrejt në profilin e qytetarit aplikues. Gjithashtu, dokumentacioni i nevojshëm për trajtimin e aplikimit, përveç ngarkimit në sistemin elektronik, dërgohet edhe përmes Postës Shqiptare pranë drejtorisë vendore, pavarësisht vendndodhjes së saj, për t’u administruar dhe bashkëlidhur me aplikimin e kryer në mënyrë të rregullt dhe të standardizuar. Procesi i transferimit të drejtorive vendore në Tiranë ka nisur që nën vitin 2021 me transferimin e Durrësit e Krujës, për të vijuar më tej edhe me drejtori të tjera si Shkodër, Kavajë, Kamëz -Vorë, dhe Vlorë. Në kuadër të rritjes së efikasitetit dhe të mirëadministrimit të proceseve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, edhe pjesa e mbetur e punonjësve në qytetin e Vlorës, po zhvendoset në Tiranë. Ky riorganizim synon përshpejtimin e trajtimit dhe unifikimin e praktikave të punës”, thuhet në reagimin e ASHK.

 

Author: vizion