Përfundon maratona e rinumërimit të votave, sot shpallen rezultatet e zgjedhjeve në...

Përfundon maratona e rinumërimit të votave, sot shpallen rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë

438
0

Përfundon procesi i rinumërimit të votave për mbi 1400 qendra votimi në Kosovë.

Mësohet se numërimi i votave ka përfunduar dje, ndërsa sot pritet që KQZ-ja të shpallë rezultatin zyrtar, ashtu siç edhe ka njoftuar.

Mediat kosovare raportojnë se PZAP-i ka hedhur poshtë ankesën e LVV-së për numërim të votave të fundit të ardhura nga diaspora. Vetëvendosja ka thënë se ende nuk kanë marrë vendim nëse, lidhur me këtë çështje, do t’i drejtohen ose jo Gjykatës Supreme.

Pas rinumërimit të këtyre votave zyrtarët e koalicionit Nisma – AKR – PD kanë thënë se ky koalicion tashmë zyrtarisht do të jetë brenda Kuvendit të Kosovës. Gjatë ditës së djeshme po ashtu është marrë vendim edhe për 392 pakot me fletëvotime të ardhura nga diaspora, të cilat kanë mbërritur në Kosovë gjatë këtij muaji.

Me këtë rast PZAP-i ka hedhur poshtë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, në të cilën kërkohej që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të obligohej ta bënte verifikimin dhe numërimin e këtyre pakove të ardhura nga mërgata, shkruan më tutje “Zëri”.

 

Të pyetur nga gazeta nëse do t’i drejtohen Gjykatës Supreme pas vendimit të PZAP-it, nga zyra për informim e LVV-së i kanë thënë të dielën “Zërit” se ende nuk kanë marrë ndonjë vendim se si do të veprojnë me këtë çështje.