Partia Socialiste nuk sheh asnjë përgjegjësi të sajën në lidhje me Agim Kajmakun, kryebashkiakun e shkarkuar nga detyra si dhe tashmë të shpallur në kërkim për disa vepra penale.
E ftuar në ‘mbrëmje në Abcnews’, deputetja e PS-së dhe njëherësh drejtuesja e komisionit parlamentar të sigurisë Ermonela Felaj, u shpreh se socialistët nuk kanë asnjë lloj përgjegjësie politike apo edhe morale mbi Kajmakun edhe pse ky i fundit u zgjodh pikërisht nga socialistët në zgjedhjet e 30 qershorit për të drejtuar bashkinë e Vorës.
“Ky rast nuk identifikohet me PS, është një çështje që po e ndjek Prokuroria. Nuk ka asnjë përgjegjësi sa kohë që nuk i kemi dhënë asnjë mbështetje, nuk kemi asnjë lloj përgjegjësie, as morale as politike. Kemi bërë shkëputje nga këta persona dhe kjo është realizuar me ligjin e dekriminalizimit. PS është partia më e votuar e shqiptarëve”, deklaroi Felaj.
Në lidhje me përplasjen mes shumicës qeverisëse dhe Presidentit, Felaj u shpreh se vlerësimin e kandidatëve e për Gjykatën Kushtetuese e bën KED dhe jo Meta.
“Ishte konsumuar zgjedhja e presidentit duke kaluar afati tre ditor, lista kishte rënë dhe nuk mund ti kthehej me asaj liste. Sipas këndvështrimit tim nëse presidenti ruan një gjykim tjetër për mënyrën e përcakitimit të radhës është çështje që i përket vetë presidentit”, tha Felaj.