“Gjithë shtëpia kishte diçka prej vjetërsie. Më shumë mobiliet, që i takonin kohës së mbretërisë ose edhe më herët, asaj të Perandorisë Osmane, me dru të gdhendur dhe pasqyra të zbërdhulëta, të ciflosura në kënde, të cilat ishin kaq ndryshe dhe ekzotike krahasuar me tavolinat 2000-she dhe divanet 9000 lekëshe, që i gjeje në çdo apartament standard të ndërtuar në kohën e komunizmit. Edhe soba ishte ndryshe. E bardhë, me germat gotike gjermane, që i kishin rezistuar kohës, edhe pse qenë rrjepur kudo. Në fakt, të gjitha shtëpitë e asaj lagjeje ishin ndryshe. Kishin diçka prej vjetërsie, që thuajse refuzonte ta pranonte stilin modern dhe uniform, që kishte pushtuar qytetin. Herë-herë më dukej sikur ishin krenare për këtë gjë”.
Bibia, kushërira e stërgjyshes
Ato lëviznin hijshëm në këtë skenografi. Ishte e qartë që ato ishin ndryshe dhe nuk do ta kishin kuptuar dot kurrë veten në pallatet e tulla silikate të komunizmit. Ishin shkolluar në Vjenë, lexonin libra, mbillnin lule, ktheheshin në kohërat e salloneve, në hollet e operave e bisedonin për dirigjentë, në një kohë kur Shqipërinë e kishte mbytur prozaizmi dhe çmenduria e krijimit të “Njeriut të Ri”. Kush ishte e interesuar për politikën, tjetra dinte gjithçka nga ajo që ndodhte përreth, ndërsa më e madhja ishte tërësisht indiferente. Shpesh përplaseshin për origjinën e hershme. Ishin pasardhës të Topiajve apo Kapllan Pashës? Ato ishin tri gra të jashtëzakonshme, që do të linin një gjurmë të pashlyeshme në jetën e një fëmije, që po rritej mes dy botësh kaq të ndryshme nga njëra-tjetra.
“Tirana e Nonës” e Blendi Fevziut, një botim i “UET Press”, është sa një sagë familjare, aq edhe historia e një qyteti. Përmes familjes Toptani, ose më saktë historive të tri grave toptanase, zbërthehet gjithë jeta e kryeqytetit, qysh para se ai të bëhej i tillë. Që nga Perandoria Osmane, te mbretërimi i Zogut, tek instalimi i diktaturës e deri më sot. “Tirana e Nonës” është ngritja dhe rënia e një familjeje që nga lulëzimi, humbja e pushtetit, te shpronësimi dhe humbja e pasurisë. E paralelisht dhe transformimi i Tiranës. Përtej karrierës si gazetar, Blendi Fevziun e njohim si autor të disa librave. Ka prekur romanin, por edhe librat me karakter historik e biografik. Çdonjëri i bujshëm, çdonjëri ka lënë vulën e vet, por asnjëri kaq personal dhe i dashur për autorin. “Tirana e Nonës” është një borxh, që siç thotë vetë autori, kishte ardhur koha t’ua lante tri grave që e rritën, që e mësuan të njihte botën. Një libër kushtuar Stërgjyshes apo Nonës, motrës së saj Ganimetit, apo teta Metit dhe Bibisë, kushërirës së tyre. “Ishin tri gra që shënjuan jetën time. Tri gra, nga të cilat mësova aq shumë dhe tri gra, të cilat së bashku ilustrojnë më mirë se kushdo historinë e trazuar të Shqipërisë dhe qytetit ku jetuan, Tiranës. Por, unë e di shumë mirë. S’kam asnjë dilemë për këtë: e para ishte Nona”. Po përzgjedhim një fragment libri, një copëz nga kapitulli “Tirana e Enver Hoxhës”, ku nuk flitet thjesht për Tiranën e diktaturës, por që përmes retrospektivash edhe për atë perandorake, të “italianëve” dhe të komunistëve.
ganimeti
TIRANA E ENVER HOXHËS
Bibia e njihte Enver Hoxhën. Herë-herë pati shkëmbyer edhe ndonjë fjalë me të në dyqanin “Flora”, që ai e mbante bashkë me kushëririn e saj, Esat Dishnicën. I kishte lënë përshtypjen e një djali të mirë, të edukuar. Druaj se pas vdekjes së burrit, edhe ai profesor, Bibia kishte edhe më shumë dobësi për ta. Për Bibinë, Enver Hoxha ishte një profesor i lënë pa punë dhe që tashmë, për të fituar bukën e gojës, mundohej të shiste paketa cigaresh. — U biiir Enveri, djalë i urtë dhe i sjellshëm! Pak a shumë kështu, me këtë mosbesim politik ua përshkroi shoqeve të veta, përfshirë Nonën dhe teta Metin, në nëntor 1944, kur ai hyri me qeverinë në Tiranë. Ishte 28 nëntor 1944. Bibia kishte dalë në ballkon, përballë tribunës, ku qe vendosur qeveria e re dhe misionet aleate. Shtëpia ngrihej përballë hotel “Dajtit”, më të riut dhe luksozit në Tiranë, ndërtuar nga italianët. Midis tyre qëndronte vetëm fusha e Shallvareve. I pëlqeu atmosfera festive. Njerëzit kishin shpresë. Pak më vonë doli edhe vetë në rrugë, në anën veriore përballë tribunës. Asaj i bëri përshtypje që vetë Hoxha u vendos në hotel “Dajti”, një shenjë që qeveria do të kishte sqimën dhe sofistikimin që, sipas saj, i mungonte Zogut. Tani mendoj se thellë-thellë ajo ndihej mirë nga fakti që Hoxha ishte tosk. Ardhja e tyre në pushtet, nën brohoritjen e aq shumë njerëzve që dolën atë ditë në Tiranë, duhet të ketë qenë edhe një lloj revanshi ndaj paragjykimit, që e kishte shoqëruar gjatë 30 viteve që jetonte në Tiranë. Babai i saj ishte nga Toskëria dhe besoj se ajo s’e kishte pranuar asnjëherë atë refuzimin, që ekzistonte ndaj tyre prej tiranasve autoktonë.
Nona me mbesën Rezi, e ëma e Blendi Fevziut
Nona mendonte ndryshe. Ajo nuk i honepste dot komunistët, as si filozofi, as si formim dhe aq më pak, sepse siç thoshte ajo, ishin masivisht toskë dhe ortodoksë. Qe edukuar në Vjenë dhe kishte një tolerancë të çuditshme ndaj besimeve fetare, por nuk ndante të njëjtën gjë për ortodoksët. Paragjykimi për ta nuk vinte nga Shqipëria, por nga Rusia. Sot e kam vështirë të kuptoj përse Nona nuk e honepste Rusinë. Ndoshta mendonte se prej andej i kishin ardhur shumë të këqija. Teta Meti, si gjithnjë, ishte as këtej dhe as andej. Nuk shprehu ndonjë mëri për hyrjen e tyre në Tiranë, por nuk tregoi as entuziazmin që pa te shumë të njohur. Mbi të gjitha, ato ishin mosbesuese ndaj një djali 37- vjeçar, i cili nuk ngjante fare me politikanët e vjetër dhe të regjur të kohës së mbretërisë. Të tria bashkë nuk u angazhuan gjatë luftës. Kishin më shumë miqësi me drejtuesit e Ballit, por ato qenë miqësi personale dhe familjare. Ndërkohë, simpatizonin luftën që bënin partizanët, madje me mënyrën e tyre e ndihmuan atë me se mundeshin. Veshmbathje, ushqim, ilaçe e herëherë edhe me strehimin e ilegalëve, që vinin nga familje të njohura. Në vitin e fundit, Bibia dhe teta Meti kishin rrezikuar nga pak, duke fshehur njëra dy ushtarë italianë, pas kapitullimit të Italisë, në çifligun e saj dhe tjetra dy familje hebreje. Bibia fliste gjithnjë për Arnon. Arno ishte një ushtar nga Firence, me emrin e lumit që kalonte përmes qytetit. E kishin thirrur në luftë pa mbushur të njëzetat dhe e nisën direkt në frontin italo-grek. Ishte biçikletëndreqës me profesion. I dyti ishte Karlo, një burrë pak më në moshë, që kishte lënë në Trento familjen, gruan dhe dy vajzat. Mbrëmjeve, para se të flinte, thoshte një lutje dhe qante me dënesë mbi foton e tyre. Të dy bashkë ikën nga frika e gjermanëve pas kapitullimit të Italisë dhe trokitën në derën e tyre. Më saktë, trokiti një mik që i njihte dhe shpresoi që tek ajo familje e madhe mund të ishin më të sigurt sesa tek ai. Arno solli me vete edhe një krevat ushtarak fushimi prej metali, që siç thoshte, ishte i një gjenerali. Atij i montohej një strukturë më e lehtë, ku kapej napa që të mbronte nga mushkonjat. Krevati u vendos në dhomën e Bibisë pas luftës. Ajo vdiq po aty, pas 50 vitesh, në 1994-ën. Bibia i dërgoi në çiflig, në Rinas, ku shtynin ditët duke punuar si bujq dhe fshiheshin sapo dëgjonin zhurmën e ndonjë makine gjermane. Në atë kohë, gjermanët kishin konfiskuar një pjesë të çifligut dhe e përdornin si aeroport ushtarak. Arno dhe Karlo u mësuan me jetën e fshatit aq mirë, sa kur u larguan për në atdhe rreth një vit e gjysmë më vonë, qanë të dy. Arno mori me vete edhe Aishen, një vajzë jetime që rritej në shtëpinë e Bibisë dhe që u bë gruaja e tij. Deri në vitet ‘70 e ca, thuajse çdo Krishtlindje vinte një kartolinë e nënshkruar fillimisht nga ata të dy e më pas nga dy fëmijët e tyre. Një vit, kartolina mungoi e më pas gjithë vitet në vazhdim.
NONA NE NJE FOTO NE OBORRIN E SHTEPISE, NE VITET E PARA TE KOMUNIZMIT
NONA NE NJE FOTO NE
OBORRIN E SHTEPISE,
NE VITET E PARA TE KOMUNIZMIT
Bibia shpesh pyeste me vete: — Ç’u bë Aishja e shkretë me Arnon? Nuk mori përgjigje asnjëherë. Kur flisja me të, kuptova që s’kishte pasur asnjëherë frikë për veten sa kohë i strehoi, por qe në ankth mos ia kapnin të dy. Sidomos Karlon, i cili druante se s’do t’i shihte dot vajzat. Teta Meta pati një histori edhe më të komplikuar. Unë e kisha dëgjuar zbehtë nëpër shtëpi, por ajo vetë s’ma tregoi asnjëherë. S’e fliste as me Nonën dhe Bibinë. Historinë e mësova pas viteve ‘90. Kur shkruaja këtë libër, pas pak kërkimesh gjeta në faqen e Muzeut Vad Jashem historinë e saj të plotë….
Pas vitit 1990, befas djalit të teta Metit, Edit, i erdhi një ftesë nga Tel Avivi. Bashkë me gruan ai udhëtoi në Jerusalem me shpenzimet e qeverisë së Izraelit, ku bëri homazhe në muzeun e Vad Jashemit. Në një prej mureve ishin gdhendur emrat e teta Metit dhe burrit të saj, Atifit. Ata qenë shpallur në 1992- shin “Fisnikë mes Kombeve”, një titull i lartë në Izrael. Ndër 25271 persona nga e gjithë bota që mbajnë këtë titull, 75 janë shqiptarë. Nona vetë nuk pati protagonizëm të tillë. Ndoqi me mëri pushtimin italian, me skepticizëm qeveritë e krijuara nga shqiptarët dhe mendoi se gjermanët do të iknin shpejt nga Shqipëria. Në këtë kohë i ndodhi një incident. SS-të arrestuan dy vëllezërit e saj, Pelazhin dhe Petritin, bashkë me familjet dhe i dërguan në kampin e përqendrimit në Prishtinë. Prej aty do t’i dërgonin në Mathauzen. Nona u angazhua vetë te Mehdi Frashëri dhe ata u kthyen nga Prishtina pa marrë rrugën për aty, nga ku vështirë se do të ktheheshin përsëri.
Momentet më të rrezikshme, tregonte ajo, qenë kur në Tiranë mbërriti Divizioni “Skënderbej”, i cili ishte tejet i dhunshëm, masakra e 4 shkurtit dhe sidomos Lufta e Tiranës. Lufta zgjati thuajse tri javë. Vija e frontit në Rrugën e Barrikadave e ndante qytetin në mes. Shtëpia e Nonës ishte në zonën që kontrollohej nga komunistët, ndërsa shtëpia e Bibisë në zonën e gjermanëve. Mes të dyjave nuk kishte komunikim dhe ankthi i sfiliti deri ditën kur më në fund e kuptuan se gjithçka kishte përfunduar pa probleme. Pesë vitet e luftës e ndryshuan radikalisht Tiranën. Sidomos dy vitet e para. Italianët bënë investime madhështore. Shumica e tyre mbanin firmën e një arkitekti të ri, të quajtur Gerhardo Bosio, i cili vdiq 39 vjeç mbi planet rregulluese të qytetit. Bosio i dha formë bulevardit të madh, që niste nga sheshi “Skënderbej” dhe shkonte drejt kodrave të Shën Prokopit. Nën to ishte ndërtuar godina e Fashos ose Korpusi i sotëm i Universitetit. Të dyja anëve të tij shtriheshin komplekset ndihmëse të Dopolavoros, me një sallë tejet luksoze, që sot përbën Akademinë e Arteve të Bukura dhe në anën tjetër, stadiumi, i cili për shumë vite mbante emrin “Qemal Stafa”. Bosio projektoi godinën e Luogotenencës, që sot njihet si Kryeministria dhe një tjetër godinë që mbeti në themele dhe që më pas e ndërtuan rusët. Aty u vendos në kohën e komunizmit Komiteti Qendror i PPSH-së. Sot është selia e Parlamentit. Nga sheshi “Skënderbej”, në drejtimin e kundërt të bulevardit të madh, ndërtuan një tjetër bulevard, që mori emrin “Musolini”, më pas “Stalin”, ndërsa sot njihet me emrin “Zogu I”. Në fund të tij ndërtuan maternitetin e ri modern të qytetit dhe projektuan Stacionin e Trenit, që e përfunduan komunistët. Ndërkohë, Bosio i dha dorën e fundit Pallatit të ri Mbretëror, të nisur nga Mbreti Zog, në kodrat e Saukut. Ndryshe nga plani i Mbretit, ai projektoi një pallat të stilit racionalist, i vetmi i tillë në botë, pra unikal. Kur në 2016-ën vizitova Teheranin, gjeta një pallat të ngjashëm, ndërtuar nga Muhamer Riza Pahlevi, Shahu i Iranit në vitet ‘60. U bëra kurioz dhe nisa të kërkoja në internet. Mësova se ishte projektuar nga një arkitekt italian, që, siç më tregoi një studiues i arkitekturës, qe nxënës i Bosios…
…Në vitet e Italisë u ndërtuan një seri vilash, disa prej të cilave ndër më të hijshmet e Ballkanit. Ato mbijetuan deri në vitin 1990, pa ndonjë dëm të madh. Më pas u zhdukën pak nga pak, bashkë me oborret e tyre magjepsëse nën pallatet e shëmtuara të betonit, që çuditërisht, dukeshin të vjetruar e demode që në lindje … Italianët sollën edhe një risi tjetër në stilin e jetës, që komunistët do ta bënin normë. Deri në vitin 1940, qyteti kishte vetëm vila ose godina familjare, maksimumi deri në tri kate. Pra, secila familje kishte portën e saj, që e mbyllte duke u ndrydhur brenda privatësisë së vet. Italianët filluan ndërtimin e godinave komunale në buzë të Lanës. Ngritën ato që njihen me emrin Pallatet e Aviacionit, të cilat mbeten ende ndër banesat më të lakmuara në Tiranë. Pallatet e Aviacionit nisën si apartamente për pilotët dhe familjet e tyre, por më pas strehuan edhe oficerë të lartë e madje edhe funksionarë vendës. Në Laprakë, ata ndërtuan një seri vilash dykatëshe, shumica ende ekzistuese, për teknikët e aeroplanëve. Të dyja lagjet e zmadhuan dhe i dhanë tjetër dimension Tiranës. Në qytet, ky stil i ri jetese nisi të njihej me emrin “shtëpitë me një portë”. Veç godinave komunale, italianët tronditën jetesën tradicionale të Tiranës. Më e forta ndër to ishte hapja e shtëpive publike. Femra që paguheshin për të shuar epshin e meshkujve, kryesisht oficerëve, zunë vend në qendër, pranë asaj që në vitet e komunizmit njihej si Lidhja e Shkrimtarëve. Shumica italiane, por disa edhe serbe e malazeze, provokuan një drithërimë në jetën e qytetit, që u kujtua gjatë. Madje, akoma më shumë kur veç klientëve italianë, filluan të duken aty edhe djemtë guximtarë dhe moskokëçarës të familjeve të pasura. Qyteti, që njihte me shekuj traditën orientale të xhingijeve, qe i papërgatitur për hiret dhe kurthet e femrës moderne. Tirana kishte tjetër imazh kur komunistët morën pushtetin. Thuajse 25 vjet pasi qeveria e Kongresit të Lushnjës kishte hyrë “nga halli” aty, ai ishte tani kryeqyteti i padiskutueshëm. Njëkohësisht, vendi ku të tria gratë, që do të shënjonin më vonë jetën time, po ndienin çdo ditë rrënimin e fuqisë së familjeve të tyre, por edhe të atyre vetë.
Në fillim të janarit 1945, Tirana ziente nga muhabetet për ballon e madhe që komunistët organizuan në hotel “Dajti”. Lajmi më i ri ishte se Kryeministri i vendit, gjeneral-kolonel Enver Hoxha, qe martuar me një nxënëse të re të Institutit “Nëna Mbretëreshë”, të quajtur Nexhmije Hoxha. Bibija e njihte Nexhmijen. Kishte qenë shoqe klase me vajzat e motrës së saj, Lavdinë dhe Merushen, të cilat vdiqën më pas në Siri. Nja dy fletore të shkollës i ruante, s’e di se si, derisa linda unë. Në momente të vështira, ose kur hallet rëndoheshin, thoshte që do të shkonte t’i çonte Nexhmijes fletoret e harruara tek ajo dhe do t’i kërkonte ndihmë. Nuk e di pse s’e bëri. Kur ajo ndërroi jetë, ndër shumë çanta me foto e letra nga Perandoria Osmane e deri te lutjet për transferim të sime mëje, që i bënte Ministrisë së Arsimit, i mora unë. Midis tyre qenë edhe fletoret e Nexhmijes, që përfunduan në oxhakun e shtëpisë një ditë të ftohtë dimri, diku në fillim të viteve 2000.
Mbërritja çdo mëngjes e Enver Hoxhës me makinën e kuqe të Lik Toptanit në zyrë; veshja e tij kreko dhe fjalët frëngjisht që fliste, ranë në kontradiktë me atë që po ndodhte. Qyteti ishte i terrorizuar. Me qindra vetë u larguan jashtë, derisa komunistët të linin pushtetin. Në fakt, shumë pak prej tyre e arritën atë ditë në vitin 1990. Dhjetëra të tjerë thuhej se qenë ekzekutuar. Disa trupa i gjetën në bodrumin e hotel “Bristolit”, midis të cilëve edhe dy vëllezërit e Musine Kokalarit. Hotel “Bristoli” ishte në Rrugën e Bamit, në fillim të saj. Kalonim aty çdo ditë dhe Nona u binte me dorë hekurave të dritareve të bodrumit dhe më thoshte me zë të ulët: — Këtu i vranë të gjithë!
Të vrarët e hotel “Bristolit” nuk ishin të vetmit. Kasta politike që ishte kundër komunistëve, e angazhuar apo jo me forcat e tjera politike, u arrestua. Shumë prej tyre qenë firmëtarë të Pavarësisë dhe themelues të shtetit shqiptar; të tjerë i shërbenin vendit prej dekadash, natyrisht edhe duke përfituar prej tij. Të gjithë bashkë qenë figura të njohura, por edhe disi të vjetra. Mendohej se ata e kishin politikën profesion, por koha po u punonte kundër. Një grup të rinjsh, që ata i nënçmuan e madje edhe i tallën deri pak javë më parë, tani i lidhi me pranga. I izoloi në burgun e Tiranës apo në disa vila tregtarësh, të cilat qenë konfiskuar ndërkohë. Në fillim të vitit 1945, shumica dolën përpara gjyqit special, që zhvillohej në Kinema “Kosova”, ku sot është Teatri Kombëtar. Gjyqi ndiqej live rrugëve të Tiranës nga altoparlantët të vendosur në shtyllat e korrentit. Prokuror i çështjes ishte Bedri Spahiu, një ish-oficer minor, pa njohuri juridike. Shumë vetë u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan. Të tjerë u burgosën me afate të gjata, midis tyre disa firmëtarë të aktit të Pavarësisë. 45 vjet më vonë, pasi vuajti edhe ai për 30 vite burg, Bedri Spahiu shkroi një ndër artikujt më interesantë të shtypit shqiptar, të titulluar: “Bedri Spahiu revizionon Bedri Spahiun”. E quajti veten një injorant drejtësie dhe kërkoi falje të thellë për viktimat. Ndërsa lexoja artikullin, mendova se si fatet njerëzore përthyhen, shkallmohen e madje edhe priten në mes, pa pasur asnjë faj në regjimet totalitare. Falja e tij, edhe pse e vonë, ishte thjesht morale. Ata njerëz i kishin përzënë pa faj nga kjo botë.
Tirana ishte nën panik, por Bibia pati edhe një rast tjetër që e bëri të besojë se gjërat mbase do të ndryshonin. Në Tiranë arrestuan kushëririn e saj të parë, djalë të ri, që sot nuk e di se çfarë kishte bërë. E mbyllën në godinën e Selvisë, të shndërruar në burg. E ëma që e kishte djalë të vetëm, tejet e tronditur, trokiti për ndihmë te Bibia. Kjo e fundit shkoi vetë në hotel “Dajti” të takonte Enver Hoxhën. E takoi vërtet. Me një mirësi që e bëri për vete, Enver Hoxha telefonoi dikë, bëri një bisedë të shkurtër dhe në fund i tha: — “Nuk ka bërë ndonjë gjë të madhe. Tërhiqjani pak veshin në shtëpi që të mos e përsërisë. Kur të ktheheni, do ta gjeni atje”. Bibia iku nga hotel “Dajti” me gjithë falënderimet për Enver Hoxhën. Ishte hera e fundit që shkeli në atë hotel, ku dikur shkonte kaq shpesh me motrat e saj. Nevzatin, kështu quhej djali, e gjeti vërtet në shtëpi. Por ishte aq i terrorizuar, sa derisa vdiq në mes të viteve ‘80, nuk doli kurrë nga shtëpia, veçse për të shkuar në punë e për t’u kthyer. E kaloi gjithë jetën duke bërë kafshë prej bukëpeshku, që më pas ua falte fëmijëve të lagjes. Bibia e rrëfeu gjithandej historinë me Enver Hoxhën. Për ca ditë, një lloj shprese u vërtit nëpër familjet, që komunizmi kishte nisur t’i shënjestronte si armike. Nona ishte e vetmja që nuk pati asnjë iluzion.
— Nuk e mora vesh Bibinë,- më thoshte sa herë fliste për ndodhinë që dëgjohej shpesh në shtëpi.
— I thuhet derrit dajë?! Kur ma tregonin këtë, komunistët kishin thuajse 30 vite në pushtet.
Bibia ishte zhgënjyer thellë dhe shpejt me Enver Hoxhën. Çdo fillimviti, që nga ai i pari, vijonte refrenin e saj: — Këtë vit bien, e kam parë në ëndërr!
Besoj se Bibia dhe teta Meti ishin penduar për mërinë e madhe ndaj Zogut. Tani “malokët” e tij, që s’i duronin dot dhe i quanin të pagdhendur, sipas tyre, dukeshin aristokratë përpara “lebërve”, që u dyndën në kryeqytet pa asnjë lloj dëshire të zbatonin rregullat e tij. Teta Meti mendonte se në vend që të urbanizohej, Tirana ishte ruralizuar. Mëria ndaj “lebërve”, besoj më shumë sesa me komunizmin, lidhej me intolerancën e tironsave të vjetër ndaj të ardhurve, ndonëse kurrë nuk dëgjova që të bënin një akt të vetëm dhune apo sharjeje ndaj tyre, thellë-thellë nuk i pranonin si pjesë e qytetit; edhe pse paragjykimi i njerëzve në bazë të krahinës nga vijnë më duket ende sot, një nga gabimet dhe të metat e thella që kemi ne si shoqëri. Qyteti ruante pak gjë nga ai i fëmijërisë së tyre.
Në fund të viteve ‘70, kur ato kishin edhe vetë këtë moshë, Tirana s’kishte më ngjasim me qytetin e vogël ku lindën. Mbushur me tregtarë, shehlerë, pronarë të vegjël tokash dhe prindërit apo kushërinjtë e tyre që kontrollonin trekëndëshin Tiranë — Durrës — Krujë. Fuqia e dikurshme qe tretur, edhe pse herë-herë ajo shfaqej në formën e ca grave apo burrave, që vinin në shtëpi për kafe dhe iu drejtoheshin me fjalën zonjë. Pastaj flisnin për emra që i kisha dëgjuar shumë, që kishin lënë gjurmë, por nuk ishin më prej vitesh në këtë jetë. Por të gjithë këta ishin aq të vjetër dhe aq pa ndikim në jetën e përditshme, sa sot kur i kujtoj më ngjajnë me disa fosile, që askush nuk beson se ekzistojnë, por që i zbulon rastësisht aty-këtu, hedhur pa kujdes. Nona ishte e vetmja që nuk u pendua për kritikat ndaj Zogut. Vijonte ta shprehte po njësoj mërinë ndaj tij, siç edhe ndaj Enver Hoxhës. Nuk besoj se ishin të dy njësoj. Zogu u kishte hequr pak nga pak pushtetin dhe një lloj arrogance që i karakterizonte. Ai nuk ua preku fare as bazën ekonomike dhe as ata fizikisht. Enver Hoxha shkoi përtej. Ai e dinte që tashmë ata nuk kishin asnjë lloj pushteti. E dinte që nuk e donin, por ishin të pafuqishëm t’i bënin edhe dëmin më të vogël. Mund t’i linte në jetën e tyre të zakonshme, që kishte humbur krejt shkëlqimin e vet të dikurshëm. Por nuk e bëri. I sulmoi, i shpronësoi, i nxori nga shtëpitë, i burgosi. I bëri të vuajnë jo për atë që ishin, por për atë që kishin qenë. Këtë nuk e kam kuptuar kurrë. Mllefin e atij njeriu ndaj një klase, e cila qe elitë në Perandorinë Osmane, por kishte perënduar në kohën kur ai erdhi në pushtet./PANORAMA.al