Mëngjesim e sotëm në emisionin ‘Ditë e Re’ në RTV Ora i ftuar ishte artisti dhe sipërmarrësi Gëzim Meta.
Në bisedën në studio me moderatorët Kledi Kadiu dhe Arjola Shehu, Meta foli për dashurinë e tij për artin si dhe për marrëdhënien me bashkëshorten Marian. Në studion e ‘Ditë e Re’, ai rrëfeu sesi nga piktor, u bë një sipërmarrës dhe më pas ndërsa punonte në barin e tij ka rënë në sy edhe për rolet që ka marrë në filma të ndryshëm.
I pyetur nga Kadiu se ku ndryshon Shqipëria nga Evropa sa i përket mundësive që u krijohen artistëve, Gëzimi u shpreh:
“Kjo është një pyetje retorike. Çdo njeri që merret me art apo.. çdo lloj profesioni e di mirë diferencën mes Europës dhe Shqipërisë.. Problemet dhe dilemat që ka vendi jonë. Edhe pse Europa të jep më shumë mundësi në të gjitha drejtimet, prapë Shqipëria mbetet vendi jot, frymëzimi i parë…Shqipëria është e pandashme në çdo lloj aspekti. Pavarësisht se nuk të jepen ato mundësi që meriton çdo artist në punën e tij.”
Piktori ka treguar gjithashtu se që në fillim u kishte dhënë pedagogëve idenë se në të ardhmen mund të bëhej sipërmarrës pasi shkonte në orët e mësimit i veshur serioz me kostume. Më pas, ashtu ndodhi dhe ai u bë pjesë e kësaj bote.
Sa i përket marrëdhënies me bashkëshorten, Maria Priftin, vajzën e Stefi Priftit ai rrëfeu se kuptohen shumë mirë pasi janë të dy në një fushë.
Duke treguar për herën e parë kur janë njohur, ai u shpreh:
“Ishte dashuri me shikim të parë. Jemi njohur në një nga ish-studiot e mia, në një nga baret e Tiranës. Kam qene duke hapur ish-studion time, dhe ajo po mendonte se po hapja lloto. Shif unë, shif ajo..unë shihja më shumë se ajo kishte turp. Kuptohemi mire se jemi në një fushë, jemi artistë…”
Në përfundim të bisedës me moderatorët, Gëzim Meta premtoi për surpriza të mëdha në të ardhmen.