Samiti i NATO-s, Trump takim me Stoltenberg javën e ardhshme

Samiti i NATO-s, Trump takim me Stoltenberg javën e ardhshme

338
0

Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe presidenti amerikan Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka deklaruar se do të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg javën e ardhshme, për të diskutuar për shpenzimet ushtarake.

Ky takim vjen në kohën kur presidenti amerikan po vazhdon përpjekjet e tij që të shtyjë vendet anëtare të Aleancës që të paguajnë më shumë për mbrojtjen e tyre.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se të dy liderët do të takohen më 14 nëntor për të biseduar për progresin e aleatëve të NATO-s në rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes që të sigurohet ndarje e barabartë e barrës së shpenzimeve.

Takimi Trump-Stoltenberg vjen para mbajtjes së samitit të NATO-s që është parashikuar të mbahet më 3 dhe 4 dhjetor në Londër.

Ky takim vjen një javë pasi presidenti i Francës, Emmauel Macron paralajmëroi shtetet evropiane se NATO po vdes për shkak se Uashingtoni është i paparashikueshëm nën drejtimin e Trumpit. Ky qëndrim u kundërshtua nga Gjermania por u lavdërua nga Rusia.

Gjatë qëndrimit në Uashington, Stoltenberg do të takohet edhe me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo dhe me anëtarë të Kongresit. Stoltenberg parashikohet që të marrë pjesë edhe në takimin e koalicionit botëror kundër grupit militant të Shteti Islamik (IS).