Gazetari investigativ Artan Hoxha ka publikuar mbrëmjen e djeshme disa mesazhe të një zyrtari të lartë dhe një personi tjetër për një pronë në Jalë që ka nxitur debate në Hipotekën e Vlorës.
Sipas Hoxhës, kjo pronë ka qenë shkaku i largimit të disa drejtorëve njëri pas tjetrit në Hipotekë.
“Një zyrtar i shtetit flet me një person që është i interesuar të marri një pronë në Jalë. I thotë: Thuaji të bindi Ramën, unë do bëj c’të thotë Rama. S’kam asgjë në dorë, unë jam më i parëndësishmi. Ia çon zyrtari i shtetit, edhe vazhdon: Ata vazhdojnë me kërcënime. Uroj të tremben ata lart, por unë s’kam asgjë në dorë”, tregoi gazetari në emisionin “Opinion”.
“Shtetasi që ka fituar me vendime gjykate ka edhe pasaportë greke, ndaj janë futur dhe në lojë autoritetet greke. Prandaj ka ngec sharra në goxha, se po të ishin shqiptarë do ishte ngrit në ajër. Merr një vendim nga Gjykata e Apelit në shkurt të këtij vitit. Gjykata e Apelit i jep të drejtën e pronës, ndërkohë i thotë zyrës së Hipotekës fshije këtë pronë që ka qenë në emër të një personi tjetër me letra të falsifikuara. Dhe do ta kalosh në regjistër të shtetit shqiptar dhe në emër të këtij personi. Çfarë ndodh pasi merr vendimin gjykata drejtori i Hipotekës në Vlorë zbardh vendimin e Apelit dhe e regjistron pronën. Tani të gjithë drejtorët që venë atje iu jepet urdhri që ta pezullojnë vendimin e Gjykatës së Apelit”, tha Artan Hoxha.