Vrasës me pagesë bënë atentatin ndaj Arjan Ndojës/ Merren në pyetje kunati...

Vrasës me pagesë bënë atentatin ndaj Arjan Ndojës/ Merren në pyetje kunati dhe miku i Lul Berishës. Prokurori: S’i pashë atentatorët

512
0

Objektivi i atentatit ishte Landi Muharremi Dyshohet se Landi Muharremi porositi vrasjen e Plarent Dervishajt në qershor Salianji: Landi Muharremi ndihmoi Ramën në fushatë, na kërcënoi me armë në 2015

Qartësohet skema e atentatit në Shkozet. Në polici shoqërohen 20 persona, mes tyre kunati i Lul Berishës dhe anëtari i bandës së Durrësit, Julian Meçe. Meçe dhe Dervishaj shpëtuan nga “kthetrat” e policisë për shkak të alibisë që kishin. Mbi 20 plumba u hodhën nga autorët e ngjarjes, ndërkohë që ende s’ka gjurmë të tyre.

DURRES- Një ditë pas atentatit në Shkozet, ku u plagos prokurori  Arjan Ndoja bashkë me shoferin e tij Andi Maloku dhe mikun e tij me skedë kriminale, Landi Muharremi, dyshimet e policisë dhe grupit që ka marrë nën hetim çështjen, janë hedhur tek banda e Lul Berishës.

Hetimet për këtë atentat të rëndë po kryesohen nga Prokurori i Krimeve të Rënda,  Anton Martini, i cili dje mori në pyetje dhe objektivin e këtij atentati, prokurorin Ndoja. Ky i fundit ka deklaruar se nuk ka qenë shënjestra e atentatit dhe se nuk ka parë atentatorët. Për këtë ngjarje deri më tani është shoqëruar 20 persona në Polici , mes tyre edhe Julian Meçe, anëtari i bandës së Lul Berishës, i cili është lënë i lirë, si edhe kunati i Lul Berishës, Plaurent Dervishaj.

Dervishaj dhe Meçe u morën në pyetje në Policinë e Durrësit, e më pas u liruan, pasi kishin një alibi se në kohën që ka ndodhur ngjarja, ata ishin në një lokal në Durrës. Pasi u bë kqyrja e kamerave të sigurisë, rezultoi se dyshja ishte në kafene, dhe u bë lirimi i tyre. Motivet që çuan policinë tek banda e Lul Berishës, janë tek atentati i 20-qershorit, pasi ka dyshime se porositësi i këtij atentati ka qenë shoqëruesi i prokurorit Ndoja, Landi Muharremi.

Ndërkohë që edhe dinamika e ngjarjes po zbulohet pak e nga pak. Autorët kanë qëlluar me 20 plumba në drejtim të makinës ku ndodhej prokurori, ndërsa 6 prej tyre kanë depërtuar brenda mjetit. Top Channel shkruan se shënjestra e atentatit është Landi Muharremin dhe se  pista kryesore është kontrolli i Hipotekës së Durrësit.

Si ndodhi atentati:

Para atentatit Ndoja ka qenë duke drekuar me shoferin dhe ‘të fortin’ e Shijakut, Landi Muharremin,  në një restorant në zonën e plazhit dhe më pas janë larguar nëpërmjet unazës së plazhit dhe kanë rënë në pritë në autorët pikërisht në momentin kur do dilnin në autostradë. Atentati ka qenë i porositur dhe autorët dyshohet se janë vrasës me pagesë, nga veriu i vendit ose nga Kosova. Autorët kanë qenë me një makinë dhe ndaj makinës së Prokurorit është qëlluar me një breshëri plumbash në momentin e parakalimit. Kanë qenë manovrat e shoferit Andi Maloku, që i kanë shpëtuar jetën Ndojës dhe Lahos, duke devijuar rrugën, dhe ka përfunduar në kanal.

Autorët kanë menduar gjithçka deri në detaje për mënyrën sesi do të kryenin atentatin duke mos lënë gjurmë pas. Pas breshërisë së plumbave, të pajisur me maska dhe armë,  ata  janë larguar nga rruga e Ishmit, duke iu shmangur kamerave të sigurisë. Ata kanë shmangur kalimin nga aksin Durrës, Vorë-Fushë-Krujë, duke e bërë më të vështira hetimet. E vetmja provë që ka në dorë policia dhe Prokuroria është makina tip Benz e braktisur me targa false, që çuditërisht u la e padjegur nga ana e autorëve, dhe brenda të cilës u gjendën dy armë të tipit kallashnikov, 1 bidonë me benzinë dhe dy maska.

Makina e gjetur në Ishëm pritet që ditën e sotme t’i nënshtrohet një ekspertimi për të zbuluar nëse në të ka shenja gishtat apo faktorë të tjerë që mund të çojnë në identifikimin e autorëve. Po kështu grupi hetimor ka marrë pamjet e një sërë kamerash sigurie të cilat po analizohen për të mundësuar shfaqjen e mjetit me të cilin autorët mund të kenë ndjekur veprimet e prokurorit Ndoja i cili bënte çdo ditë vajtje ardhje rrugën Tiranë-Durrës dhe anasjelltas.

Elton Qyno: Është përjashtuar hetimi i shoferit. Ka qenë polic në Krujë, ka nisur punë si shofer privat i prokurorit. Ka dhënë edhe dorëheqjen nga Policia duke u aktivizuar si shofer personal. Janë shoqëruar mbi 30 persona të botës së krimit në Sukth. Persona  që herë pas here kanë patur fërkime me Landi Muharremin dhe me prokurorin Ndoja. Janë marrë në pyetje. Seanca e pyetjes ka naviguar se ku ndodheshin në momentin e ngjarjes, me kë, dhe informacione të tjera që i shërbejnë hetimit. Janë liruar pasi janë marrë në pyetje. Dua të them që janë persona që jo vetëm kanë patur konflikte personale, por edhe konflikte për pronat në Ishëm, Hamallaj dhe Gjirin e Lalzit. Landi Muharremi, i përfshirë në çështjen e pronave në Gjirin e Lalzit. I dyshuar për dhunimin e biznesmenit libanez Fadi Mitri. Ngjarja e 2016 është e rëndë, dhe po shihet dinamika. Dosja është bashkuar për të parë të gjithë dinamikën. Përveç pyetjes së 30 personave, janë marrë mbi 50 kaseta me pamje filmike të sekuestruara, që janë të instaluara në rrugët ku ka kaluar prokurori Ndoja, me shpresën për të zbardhur personat që kanë qëlluar. Atentati, i mirëorganizuar. Të dy janë vëzhguar që prej mëngjesit. Kemi një skuadër të mirëpaguar, të mirëorganizuar, me 5 persona, që kanë qenë në terren, e kanë ndjekur. 2 dyshohet se kanë qëlluar me automatik, 2 të tjerë i kanë pritur. Është skena e njëjtë e Santiago Malkos, tipike, e njëjta, njësoj tek Edison Harizaj, e njëjta edhe tek Plaurent Dervishaj. Dje ka qenë prokurori Ndoja objektivi. Të dy kanë qenë në vëzhgim, bashkë me Landi Muharremin. 60 sekonda iu deshën atentatorëve. Kanë qenë dy breshëri, që kanë qenë të shkurtra. Armët kanë mbi 60 fishekë. Janë qëlluar dy breshëri të shkurtra. Manovra që ka bërë shoferi s’i ka lejuar që të qëllojnë më shumë. Dora është e përgatitur që merr të tilla kontrata vdekjeje. Në nëntorin e vitit të shkuar u vra Edison Harizaj, më pas Plaurenti, më pas Bardhi. Kemi një skenar të njëjtë me të djeshmin. Të gjitha ngjarjet janë pa autor.