Aktivisti humanitar nga Gjermania Manfred Kühle është rikthyer në Drenicë të Kosovës, aty 20 vite më parë i kishte shpëtuar jetën Drenit Bajraktarit.
Si shumë të tjerë, edhe për Drenitin fati e deshi që të vinte në jetë, në një kohë kur Drenica dhe gjithë Kosova po përjetonte terrorin serb.
Sipas mediave në Kosvë, në muajt e parë të jetës së tij, për shkak të kushteve të vështira të jetës në male në Grykën së Kishnarkës, ku jetonte familja e tij dhe banorët e kësaj ane, kishte probleme të rënda shëndetësore.
Në kohën kur mjekët që ishin në Zonën e Drenicës e kishin të pamundur ta trajtonin më tej, shfaqët gjermani Manfred Kühle, në fillim të vitit 1999 e mori Drenitin nga fshati, e dërgon në Prishtinë duke i siguruar një trajtim më të mirë dhe duke i ndihmuar edhe në sigurimin e barnave.
Këtë e bëri duke e kaluar nëpër disa kontrolle policore e ushtarake të serbëve që ishin nga Komorani deri në Prishtinë.
Ndërkohë, pas 20 viteve ndodhi takimi i dytë. Kühle erdhi sërish në Drenicë, por tani në dasmën e Drenitit, i cili u martua me Fatimën, po ashtu një vajzë e lindur në kohën e luftës, që kishte përjetuar të njëjtat probleme shëndetësore.
Teksa mbante plisin e bardhë në kokë, një çifteli dhe një mirënjohje nga familja Bajraktari, mes emocioneve thotë “nderi i madh që më është bërë sonte mua, më bënë të kuptoj se pse i dua dhe pse kam punuar kaq shumë për popullin shqiptar. Shqiptarët janë një popull që kurrë nuk i harrojnë miqtë e tyre, për këtë keni fituar kaq shumë miq në tërë botën”.
Kühle gjatë kohës së luftës dërgonte raporte dhe shkruante për gjendjen e shqiptarëve në Kosovë, dhe po ashtu ndihmonte popullatën, përmes aktiviteteve të shumta humanitare.