Tërmeti i 21 shtatorit shkaktoi dëme të mëdha materiale në Tiranë dhe Durrës, ku shumë banesa u dëmtuan. Mes atyre që humbën pasurinë e tyre, shtëpinë, ishte dhe familja e Mynyr Stafës në Picallë të Petrelës. Pasi lëkundjet e forta prej 5.8 ballësh i shkatërruan banesën, familja me 7 anëtarë u detyrua të flejë në çadër. Duke marrë shkas nga kjo situatë, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me komunitetin e biznesit, ka nisur nga puna për të ndërtuar nga e para shtëpinë e tyre të re.
Veliaj theksoi se fakti që puna filloi menjëherë për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara dhe që të gjithë janë ende në terren, është treguesi më i qartë se kjo nuk është për zgjedhje apo për politikë. “Po të ishte kjo për punë zgjedhje, për politikë, nuk bëhej kurrë. Fakti që sot nuk kemi asnjë nevojë të tillë, por vetëm njerëzillëku që ta mbarojmë këtë punë dhe të dalim faqebardhë nga kjo sfidë që na solli Zoti, natyra, e ta përballojmë me dinjitet. Kjo na ka bërë që të jemi këtu përditë. Kështu që, edhe administratori, edhe Xhemali, gjithë forcat tona në terren kanë bërë një punë fantastike”, tha ai.