E armatosur, xhandarmëria serbe hyn në brendi të Kosovës

E armatosur, xhandarmëria serbe hyn në brendi të Kosovës

436
0

 

 

Xhandarmëria serbe pa asnjë pengesë është parë te xhamia e Sllubicës në brendi të territorit të Kosovës. Imami i xhamisë Jusuf Mustafa tha se ata ishin pesë veta dhe të armatosur.

Xhandarmëria serbe vazhdon të provokojë banorët dhe të shkelë vijën kufitare me Kosovën. Këtë të mërkurë xhandarmëria serbe rreth orës 17 e 50 minuta është parë duke patrulluar te xhamia e Sllubicës.

Lajmin e ka konfirmuar për Rajonipress Jusuf Mustafa, imam i xhamisë në Sllubicë. Sipas imamit Mustafa, xhandarmëria serbe ishte e armatosur dhe ishin pesë veta. “Unë i pashë me sytë e mi dhe u habita, por edhe isha i befasuar sepse ka ndodhur që ata të hyjnë afër xhamisë dhe të kthehen, por kësaj radhe ata ishin duke patrulluar krejtësisht në brendi të Kosovës”, tha Jusuf Mustafa.

Imami Mustafa thotë se policia kufitare ose KFOR-i duhet të jenë të pranishme në këtë pjesë dhe të ofrojnë siguri për banorët e mbetur. “Edhe ashtu ka pak banorë që kanë vendosur të jetojnë, dhe të jetosh në këtë pasiguri është vërtet problem”, mendon Mustafa./Ekspress