Çfarë mesazhi dha në Tiranë Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk?
A ndezi ai ndonjë sinjal pozitiv për hapjen e negociatave në 18 tetor?
A hodhi ai ndopak dritë mbi ankthin nëse Maqedonia na lë pas në rrugën e Integrimit?
Po të shohësh pasqyrimin e udhëtimit të tij në Tiranë përmes mediave zyrtare e gjitha duket rozë dhe fare pranë arritjes së objektivit.
Por po të shohësh nga një këndvështrim tjetër dhe të përpiqesh të dekriptosh sinjalet e gjuhës diplomatike, situata ngjan pak më ndryshe.
Pikërisht këtë duke krahasuar mesazhet që Tusk dha për Shqipërinë dhe Maqedoninë që e vizitoi në të njëjtën ditë.
Ne pamë ato që ai ka shkruar me dorën e vet në llogarinë personale në Twitter.
Pasi takoi kryeministrin Zaev Presidenti i Këshillit të Europës shkroi:
‘Shkupi është vendi më i mirë i mundshëm ku do të dëshiroja t’u bëj thirrje udhëheqësve të Bashkimit Evropian: Tani ju bëni pjesën tuaj. Sepse Maqedonia e Veriut tashmë ka bërë pjesën e saj’.
Pra mesazhi është i prerë dhe i qartë Maqedonia i ka bërë detyrat, tani kryetarët e shteteve të BE duhet të marrin përgjegjësi.
Ndërsa në rastin e Shqipërisë, pas takimit me kryeministrin me atlete, tonet e Presidentit të Këshillit të Europës nuk janë aq të prera dhe pa ekuivoke.
Ai nuk i thotë liderëve europianë: ‘bëni detyrën tuaj’ si në rastin e Maqedonisë së Veriut.
Ai thjeshtë shqipton një formulë politese të stërthënë prej vitesh se hyrja e Shqipërisë në BE është në interesin më të mirë të të gjithë Evropës:
‘Sepse Evropa nuk do të jetë e qëndrueshme dhe e sigurtë pa integrimin e të gjithë Ballkanit në BE. Bëhet fjalë për të ardhmen tonë të përbashkët’.
Vetëm duke dekriptuar këto nuanca të gjuhës diplomatike, gjë që nuk e bëjnë mediat e regjimit, mund të arrish të kuptosh se kush është më i avantazhuar në garën e 18 tetorit.