Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka uruar sot nxënësit, mësuesit dhe prindërit për nisjen e vitit të ri shkollor.
“Të dashur nxënës, prindër dhe mësues, ju uroj nga zemra vit shkollor të mbarë dhe të ndriçuar nga drita e dijes!”, shkruan Basha në Facebook.
Për liderin e PD-së, “lulet që mbajnë sot vogëlushët në duar janë simboli i shpresës dhe besimit tek një e ardhme më e mirë për të gjithë fëmijët e Shqipërisë”, duke shtuar se kjo e ardhme “nuk do të vonojë”.
Një urim për fillimin e vitit të ri shkollor vjen edhe nga kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.
“Një urim të veçantë për të gjithë nxënësit, që ulen sot në bankat e shkollës. Për ata të shkëlqyerit, që na kanë nderuar me rezultatet e tyre anembanë botës. Për ata, që me sakrificat e mëdha të prindërve të tyre përpiqen çdo ditë të jenë më të mirët. Për ata nxënës, që sfidojnë varfërinë, mjerimin dhe ndjekin shkollën në kushte të vështira. Për të gjithë ata fëmijë që, çdo mëngjes marrin bekimin dhe urimin e prindërve për të ecur në rrugën e dijes. Qoftë një vit i mbarë për të gjithë nxënësit në mbarë Shqipërinë!”, shkruan Kryemadhi në rrjetet sociale.