lbert Dervishi, drejtori i rendit publik, ka prezantuar ditën e sotme disa nga masat e marra për fillimin e vitit të ri shkollor.
Dervishi tha se janë planifikuar një sërë masash për të ndaluar hyrjen në ambientet e shkollave të personave që nuk studiojnë aty.
Gjithashtu, drejtori i rendit publik theksoi se kanë rreptësuar masat për parandalimin e përdorimit të drogërave, armëve të ftohta apo bullizmit.
“Sot që është edhe dita e parë e shkollës të gjithë punonjësit e policisë janë të angazhuar në shkollat 9-vjeçare dhe në ato të mesme.
Policia e Shtetit ka planifikuar në veçanti një sërë detyrash lidhur me këtë vit shkollor. Së pari në parandalimin e çdo veprimtarie kriminale që mund të zhvillohet në afërsi të shkollave apo edhe gjatë hyrjes në të, duke evituar hyrjen e personave që nuk kanë lidhje me shkollat 9-vjeçare apo të mesme.
Sigurisht ne do vazhdojmë me projektet sensibilizuese, kemi një projekt që prej 10 vitesh e ushtrojmë lidhur me ndërgjegjësimin dhe parandalimin e përdorimit të substancave narkotike, apo të armëve të zjarrrit apo bulizmit dhe ky projekt do të vazhdojë në të gjitha shkollat, sidomos me ato të klasave të gjashta.
Duke përfunduar, Policia e Shtetit uron të gjithë fëmijët që fillojnë sot mësim në shkollat 9-vjeçare apo të mesme dhe të gjithë mësuesit. Të gjithë efektivat e policisë sot kanë të planifikuar në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme numri kalon mbi 800 që janë planifikuar në të gjitha shkollat”, deklaroi Dervishi.