Tre lajme të mira nga zgjedhjet në Kosovë

Tre lajme të mira nga zgjedhjet në Kosovë

495
0

A.Kurti apo V.Osmani në krye të Qeverisë, një koalicion në pikë të ditës dhe PDK-ja si prijëtare kundër korrupsionit: kur normaliteti shndërrohet në mundësi reale?

1.

Zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë kanë prodhuar lajm të mirë ende pa u mbajtur ato. Në fakt, kanë prodhuar disa sosh që mund të futen në një fjali të zgjatur dhe befasuese: Qeveria e Kosovës mund të udhëhiqet nga Albin Kurti ose Vjosa Osmani, AAK-ja ka nënshkruar marrëveshje koalicioni për drite dhe PDK-ja po përpiqet të prijë në luftë kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Që të gjitha këto janë një evoluim i rëndësishëm për të gjitha subjektet politike veç e veç dhe për Kosovën në tërësi.

Pra, të fillojmë nga së pari. Përgatituni për Qeverinë Kurti. Kështu shkruajnë aktivistët e VV-së dhe për dallim prej herëve të kaluara, kjo tashmë nuk tingëllon si parullë partiake, por edhe si mundësi reale. VV ka treguar një konsistencë në qëndrimet e veta politike gjatë një periudhe dhe ka treguar se mund të lëvizë prej margjinave drejt Qendrës, pra hapësirës së pranueshmërisë politike të njerëzve që nuk janë ithtarë të VV-së. Gjatë viteve të rezistencës ndaj keqqeverisjes dhe dëmtimit të interesave shtetërore, VV dhe Albin Kurti në veçanti kanë treguar po ashtu kapacitet që për këtë të kërkojnë aleanca brenda shtetit dhe jashtë tij. Puna tashmë gati njëvjeçare mes VV-së dhe LDK-së për krijimin e një koalicioni qeverisës krijoi një dimension krejtësisht të ri mes dy partive që synojnë identitetin e qartë evropian, të qendrës së majtë dhe qendrës së djathtë. Hapi i fundit i z. Kurti, oferta që në koalicionin parazgjedhor me LDK-në listës t’i prijë kandidatja e LDK-së, Vjosa Osmani, tregoi pjekurinë e subjektit që synon qeverisjen.

2.

Vjosa Osmani mund të jetë lajmëtare e ndryshimit më të madh në LDK prej vdekjes së dr.Rugovës. Ajo përfaqëson lëvizjen e trefishtë prej margjinave drejt Qendrës, brenda LDK-së. Pozicioni i saj qe margjinal brenda Partisë, si një zë opozitar brenda saj e konsekuent ndaj theqafjes ku po i fuste LDK-në dhe vendin bashkëjetesa me PDK-në. Pozicioni i saj qe margjinal, po ashtu, me faktin se qe zë femre, zë ende jo i fuqishëm sa duhet në LDK, në veçanti, apo në politikën kosovare në përgjithësi. Dhe, pozicioni i saj qe margjinal sepse bën pjesë në një grupmoshë të aktivistëve të “rinj”, e cila nuk është spikatur në udhëheqjen e kësaj partie.

Fakti që LDK-ja, në të gjitha nivelet udhëheqëse të saj, arriti ta kandidonte me konsensus të plotë një grua për kryeministre në saje të meritave të saj, flet shumë për evoluimin brenda LDK-së të prirë nga dr.Mustafa. Dhe fakti se një kryeministre e kandiduar nga LDK-ja nuk tingëllon si parullë aktivistësh të zellshëm, por si mundësi reale, flet po ashtu si në rastin e Albin Kurtit, për lëvizje të rëndësishme brenda shoqërisë kosovare. Fjalori qytetar dhe intelektual i këtyre dy kandidatëve për të drejtuar Qeverinë në shoqëri të tjera mund të duket si normalitet, por vetëm tash normaliteti po duket të ketë gjasa të shndërrohet në mundësi reale.

3.

Nënshkrimi i marrëveshjes së koalicionit parazgjedhor mes AAK-së dhe PSD-së mund të duket si lajm trivial dhe i këtillë ndoshta do të duket në zgjedhjet që do të vijnë pas këtyre të 6 tetorit. Por, për këto zgjedhje, ishte një lajm i mirë për Kosovën, sepse kut matës janë zgjedhjet e kaluara, të vitit 2017. Për dallim prej tyre, koalicioni të cilin e lidhi AAK-ja ishte duke iu afruar mesnatës, orëve të fundit të afatit, kur mund të dorëzoheshin koalicionet parazgjedhore. AAK-ja vendosi të futej në pazare të orëve të fundit, dhe me bekimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese e futi tërë vendin në atë pazar. Qeveria e krijuar prej koalicionit të mesnatës ishte kulminacioni i demonstrimit të kapjes së shtetit nga injoranca – një listë e pafund njerëzish të futur në institucionet e vendit me të vetmin kualifikim – besnikërinë ndaj prijësve fisnorë.

Ndaj, momenti kur kryetari i AAK-së dhe ai i PSD-së dolën në pikë të ditës dhe në suaza të një normaliteti bukur larg afateve të dorëzimit të listave nënshkruan një marrëveshje koalicioni, bënë një hap të rëndësishëm përpara. Treguan, së paku në rastin e z. Haradinaj, se nuk po bëjnë lëvizje paniku prej humbjes, por që synojnë një bashkërenditje resursesh e interesash drejt fitores.

4.

Dhe, në fund, Partia Demokratike e Kosovës ka shndërruar në temë kryesore të veten zgjedhore luftën kundër korrupsionit e nepotizmit. Kjo nuk do ta befasonte kë në asnjë shoqëri në Evropë; çdo parti në cilindo shtet ku korrupsioni është problem shpall si temë kryesore të angazhimit të vet luftën kundër korrupsionit. Natyrisht, çështja është se këtu nuk jemi si në çdo shtet tjetër evropian dhe PDK-ja nuk është si çdo parti në cilindo shtet tjetër. PDK-ja, Partia Demokratike e Kosovës, ka lindur dhe është zhvilluar si një organizatë e ndërtuar mbi aktivitete të ndryshme krimi e me qëllim që nëpërmjet korrupsionit e nepotizmit (dhe klientilizmit) ta kapë shtetin e Kosovës. Në momentin kur PDK-ja shpall luftë kundër korrupsionit e nepotizmit (dhe krimit), i ka shpallur luftë vetes. Dhe, kjo duhet të jetë hutuese për ithtarët e kësaj partie: nëse ajo nuk do të jetë e përfshirë në korrupsion, nepotizëm e klientilizëm, cila do të jetë vlera e saj e shtuar? Përse të votohet për një parti të këtillë kot?

Udhëheqja e PDK-së mund të besojë se ky lajm i mirë për Kosovën – lufta kundër korrupsionit e nepotizmit – është i mirë edhe për PDK-në. Por, në marrëdhënie të tregut elektoral kjo është e njëjtë si shpallja e rrjetit të pikave të karburanteve se prej 1 tetorit nga pompat në vend të benzinës dhe dieselit do të shitet vetëm uji mineral i karbonuar.

Shpjeguar kështu, vendimi i udhëheqjes së PDK-së tregon guxim.

5.

Diçka, në mënyrë evidente, po ndryshon në Kosovë. Më 7 tetor dhe në ditët pas zgjedhjeve të konsumuara drejt ndërtimit të koalicionit qeverisës do të shohim drejtimin dhe thellësinë e ndryshimeve./KOHA