E trishtë/ Nëna e 7 jetimëve apel për ndihmë: Kam frikë se...

E trishtë/ Nëna e 7 jetimëve apel për ndihmë: Kam frikë se do mi shqyejnë fëmijët egërsirat

794
0

“Shqiptarët për shqiptarët” udhëtuan në fshatin Kamiçan të Elbasanit. Është një histori e pabesueshme ajo rrëfehet nga 7 fëmijët jetimë të familjes Muça.

 

Pranvera Muça, 45 vjeç, ka humbur bashkëshortin dy vite më parë. Ajo është nënë e shtatë fëmijëve më i madhi është Ismaili 21 vjeç, më të voglat janë binjaket Kela dhe Klestia 10 vjeç. Jetonin në një shtëpi shekullore mbi 100-vjeçare. “Shtëpia mu shemb”, thotë Pranvera.

 

“Në ndërtuam këtë çadrën, këtu jetojmë tani pasi ra çatia tek shtëpia. Që nga janari këtu jetoj. Çdo ditë i shkoj tek varri babit i them pse na le vetëm? Mami është sëmurë, i them Zotit merre veten time më merr mua”, thotë 15-vjeçarja Xhuljana.

 

“S’kemi shtëpi, kur bie shi ne lagemi brenda. Me merr malli për babin, më merr malli ta shikoj”, thotë në lot 10-vjeçarja. “Na ka marrë malli shumë për babin, na porosiste mos ta linim shkollën, se na duhet, është e rëndësishme”.

 

Pranvera rrëfen se drejtori i shkollës 9-vjeçare i lajmëroi të merrte vajzën me urgjencë nga shkolla. I kishte rënë të fikët në orën e mësimit pasi nuk kishte ngrënë ushqim.

Mamaja dhe vajza e madhe janë të sëmura, vuajnë nga veshkat me zemra, kanë bëre vetëm një vizitë tek mjeku por s’kanë pasur mundësi të blejnë as ilaçet.

 

“Hajde merre vajzën, se ka ardhur pa bukë në shkollë, më thanë. E mora e vizitova, e kam sëmurë”.

 

 

Fëmijët i luten Zotit të shërojnë të ëmën dhe motrën e sëmurë. “I lutem Zotit mos të na marri dhe mamin të mbetemi fare jetimë”.

 

Ushqimi që konsumojnë e mbajnë frymën gjallë janë hithrat e ziera, lakrat e egra apo pak spinaq që ndodhet në natyrë. Pranvera merr një tigan të vogël nga çadra hedh pak lakra e një kokërr vezë. Një pjatë me salcë dhe tigani i vogël më një vezë është vakti i tyre i zakonshëm. Është ushqimi për 7 frymë. Vetë Pranvera nuk ulet me fëmijët, pak më tutje loton e zemra i dhemb.

 

 

“Mërzitemi shumë kur nuk ka bukë, ikim në shkollë ashtu. Kthehemi nga shkolla, fillojmë detyrat, vetëm bukë me salcë hamë, nuk hamë gjellë të tjera. Vetëm me salce e lyejmë bukën ne”, thotë me ngashërima 10-vjeçarja.

 

“Kur zgjohen në mëngjes fëmijët më thonë, a ka bukë thatë? Kur nuk ka ikin të pangrënë, nuk kam çfarë t’u jap me vetë të hanë në shkollë. Ca të bëj? Vjet më dhanë misër. Tre muaj e bëra bukë, pastaj mu mbarua. Fillova t’u zvogëloj kafshatën kalamajve, bukën o bir. Nuk ka më keq, rri e rri djali shtrëngon rripin e pantallonave se i dhemb barku se nuk ha bukë. Është krim. Në këtë çadër do na hidhet egërsira e do më shqyejë fëmijët, nuk kam fuqi më, vetëm rroj me shpresën që më japin fëmijët. Dua që fëmijëve t’u qeshi buza”, thotë Pranvera, e ëma.

 

Dëshirat e fëmijëve janë bazike, duan t’u shërohet e ëma, duan një shtëpi të fusin kokën. Fjalët mezi i nxjerrin nga lotët. Dikush do të bëhet doktor, vajza do të bëhet infermiere të shpëtojë njerëzit. “Nuk kam kushte të bëhem, por shpresën nuk do ta humb, do mësoj. Dua të kem një shtëpi, mërzitemi shumë, në shi lagemi, nuk jetohet këtu” thotë vajza.

“Ndoshta do mendojnë njerëzit për ne, të jemi të lumtur”.