Atdhetar i ditëve të para, Bajram Rama

Atdhetar i ditëve të para, Bajram Rama

1071
0

Bajram Rama, i lindur ne Gllamnik, komuna e Podujevës, shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje. Për shkak të rrethanave, ka emigruar që në vitin 1991 në Gjermani, i detyruar si shumë shqiptarë të tjerë për shkak të përndjekjes nga regjimi serb. Aktivitetet për çlirimin e Kosovës i filloi nga Gjermania në mënyrë ilegale. Ai do të bëhej personazh që do t’i bashkohej aksioneve nga viti 1992-1997, kundër forcave serbe. Në këtë kohë, Bajrami kishte dhënë kontribut, si shok i Zahir Pajazitit. Bajram Rama, për çështjen e çlirimit, do të takohej edhe me Bekim Berishën, Abenë, ku do të dakordoheshin për t’u angazhuar në luftën për çlirim. Një nga pjesët më krenare të jetës së Bajram Ramës, është njohja me Bekimin të cilin e njohu në vitin 1990 në Dubrovnik të Kroacisë, në kohën kur Abeja jetonte në Split dhe ishin përgatitjet për luftën e Kroacisë. Asokohe, Bekim Berisha i jep detyra me rëndësi ku së bashku me bashkëluftëtarin Agim Berisha i kanë kryer me sukses, për të vijuar pas çlirimit të Kroacisë të ketë takime me Bekim Berishën i cili u shpërngul në Gjermani.

Takimin e radhës, pas pavarësisë së Kroacisë, me Bekim Berishën e kishte bërë më 1997, në Bielefeld, nga ku janë takuar në Tiranë me Zahir Pajazitin, Hasan Zenelin dhe patriotë të tjerë. Roli i z. Bajram Rama ishte i autorizuar nga Shtabi i Përgjithshëm për rekrutimin e ushtarëve të rinj nga e tërë diaspora, grumbullimin e mjeteve financiare, furnizime, armatim si dhe pjesëmarrës pothuajse në të gjitha zonat të cilat kishin nevojë për armatim dhe ushtar, kudo që i kërkonin.

Si pjesëmarrës i Luftës së ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z. Rama është shpallur veteran. Ai mori pjesë në shumë raste në luftë frontale, në zona të ndryshme. Gjatë një kalimi të kufirit, Kosovë-Shqipëri, ka rënë në mina. Z. Bajram Rama, thekson se Kosova nuk do të çlirohej pa përkrahjen e Amerikës dhe aleatëve tjerë të NATO-s. Ai i është gëzuar formimit të Ushtrisë së Kosovës, sepse, sipas tij, ushtria është dashur shumë më herët të formohej, por sidoqoftë tani e kemi ushtrinë e formuar duke falënderuar përsëri Amerikën për mbështetjen. Z. Rama para luftës çlirimtare, në Gjermani kishte 6 Agjenci turistike “EUROLINDA”, në qytete të ndryshme të Gjermanisë, të cilat për shkak të pjesëmarrjes së tij në luftë, nuk mundi t’i menaxhoj, duke investuar tërë kapacitetin e tij për çlirimin e Kosovës.