S’ndalen importet nga Kolumbia, 13-fishohen në raport me 2016-ën

S’ndalen importet nga Kolumbia, 13-fishohen në raport me 2016-ën

522
0

Teksa në muajt e parë të këtij viti në portin e Maltës janë kapur katër herë ngarkesa me kokainë brenda kontenierëve, që transportonin mallra nga Amerika e Jugut drejt Shqipërisë, të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se tregtia zyrtare me këto vende, sidomos me Kolumbinë, është shumëfishuar.

 

Shifrat e INSTAT tregojnë se në tre muajt e para të këtij viti, nga Kolumbia u importuan në Shqipëri mallra me vlerë 670 milionë lekë, me një rritje prej rreth 60% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

 

 

Që nga viti 2017, është konstatuar një rritje e ndjeshme e importeve nga shteti i largët i Amerikës së Jugut, i njohur si një nga prodhuesit më të mëdhenj të kokainës në botë. Për periudhën janar-mars, në krahasim me 2016-n, importet nga Kolumbia në Shqipëri janë rritur me 13 herë (shiko grafikun: Importet nga Kolumbia janar-mars). Për tre mujorin e parë të këtij viti, Kolumbia u rendit në partnerin e 33 tregtar të Shqipërisë, sa i përket importeve, nga partneri i 104 që ishte në vitin 2014, sipas të dhënave të INSTAT.

 

Fillimisht, produkti që njohu rritje të lartë nga Kolumbia ishte banania. Sipas INSTAT në tre muajt e parë të 2018-s, importet e bananeve u katërfishuan, në raport me të njëjtën periudhë të 2017-s, duke arritur në 115 milionë lekë. Kujtojmë që në shkurt 2018 u kap në Portin e Durrësit një kontenier me banane që vinte nga Kolumbia, ku ishin fshehur 613 kg kokainë, sasia më e madhe e kokainës e kapur ndonjëherë në vend.

 

Kapja e kësaj sasie, duke se “stepi” importuesit e bananeve, teksa për gjithë vitin importet e këtij produkti ishin 327 milionë lekë, me rritje 11% me bazë vjetore.

 

Teksa importet e bananeve u ngadalësuan (për tremujorin e parë 2019, importet e frutave-bananave ranë me 68% me bazë vjetore), një tjetër produkt gjeti rrugën drejt Shqipërisë. Sipas INSTAT, bëhet fjalë për “Lëndët djegëse minerale, vajrat minerale dhe produktet e distilimit të tyre” dhe konkretisht, sipas statistikave më të detajuara të Comtrade për nëngrupin e koksit dhe qymyrit “Koks dhe gjysëm koks prej qymyrit, linjitit apo prej torfe, karbon i konvertuar“. Ky produkt filloi të importohet për herë të parë në 2017-n dhe në tre muajt e parë të 2019-s ai arriti në 553 milionë lekë, ose 83% e importeve totale nga Kolumbia. Paletet e qymyrit janë një tjetër mjet i preferuar i trafikantëve në Europë. (Psh në 2015-n në Spanjë është kapur një prej sasive më të mëdha të drogës, 1.4 ton kokainë. Autoritet britanike kanë arritur të identifikojë një anije në brigjet e qytetit të Valencias në Spanjë, e cila transportonte drogën nga Kolumbia. Kokaina ishte e kamufluar si qymyr dhe dru.

 

Autoritetet malteze kanë kapur katër herë gjatë këtij viti, kontenierë që vinin nga Amerika e Jugut dhe kishin si destinacion Portin e Durrësit. Nga ngarkesa e fundit që u kap në Maltë të shtunën e kaluar, dy kontenierë përmbanin 20 pako me kokainë secili, me peshë 48 kg dhe me një vlerë tregu 5.4 milionë euro, shkruan Malta Today.

 

Po sipas Malta Today në 15 prill zyrtarët e doganës Malteze kapën 27 pako me kokainë që peshonin 91.25kg, me një vlerë tregu prej 10.3 milionë eurosh. Dy kontenierë kishin mbërritur tranzit në Maltë nga Amerika e Jugut, me destinacion final Durrësin në Shqipëri, shkruajnë mediat e Maltës. Në 8 prill ishte kapur një ngarkesë tjetër me vlerë 2.7 milionë euro me destinacion final Shqipërinë dhe më herët në 25 mars u kapën dy kontenierë që transportonin fruta dhe ishin tranzit përmes Maltës nga Amerika e Jugut në Shqipëri.

 

Të dhënat e INSTAT tregojnë se importet nga 5 shtetet e Amerikës së Jugut, të njohura si vende origjinuese të drogave të forta, Bolivi, Kolumbi, Ekuador, Peru, Venezuelë, u rritën me 40% në tremujorin e parë 2019, me bazë vjetore (shih grafikun: Importet nga vendet e Amerikës së Jugut (Bolivi, Kolumbi, Ekuador, Peru, Venezuelë), por ndikimin kryesor e ka dhënë Kolumbia, që ia ka kaluar dhe Ekuadorit, që ka qenë partneri më i madh nga këto vende (shih grafikun: Importet nga disa vende të Amerikës së Jugut).

 

Drejtori i Agjencisë së BE-së për Drogat (EMCDDA), Alexis Goosdeel, në një intervistë të fundit për “Monitor” ka pohuar se grupet shqipfolëse që kontrollojnë tregun e kokainës janë bërë një kërcënim domethënës për Europën. Duket se disa nga këto grupe që flasin shqip kanë vendosur tashmë linja direkte komunikimi me kartelet e drogës në vendet e Amerikës Latine, që janë prodhuese. “Kjo potencialisht po ndryshon dinamikën e tregut, sepse së pari, do të thotë se këto grupe kriminale shqipfolëse shkojnë dhe komunikojnë direkt në Amerikën Latine me prodhuesit. Në këtë mënyrë, ata mund të rrisin ndjeshëm normën e fitimit nga trafikimi i kokainës dhe kjo përfaqëson një mundësi të madhe korruptimi”, ka pohuar ai.

 

Ai shtoi se kjo është diçka e vëzhguar dhe dokumentuar jo vetëm nga EMCDDA, por edhe nga Europol dhe forcat e tjera policore. Kjo është diçka që duhet monitoruar dhe duhet të kuptohet më mirë se si funksionojnë të gjitha këto grupe të organizuara, cilat janë lidhjet e tyre, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, sepse në çdo rast, tregu i tyre i synuar janë vendet e Bashkimit Europian./Monitor/