A do të ketë një “Pranverë Ballkanike”?

A do të ketë një “Pranverë Ballkanike”?

512
0

Zhvillimet që po ndodhin, të sjellin ndërmend se mund të krijohet një “Pranverë Ballkanike”. Në Shqipëri, opozita dogji mandatet, një rast i paprecedentë, ndërsa paralajmëron se populli do të jetë në shesh për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore. Ky emërtim “Pranverë Ballkanike” u krijua pas protestave prej javësh që po ndodhin në Serbi nga opozita. Protestat kanë filluar me 8 dhjetor, të mbështetura nga një spektër i gjerë opozitar, të krahut të djathtë por edhe të majtë politik. Presidenti Aleksandar Vuçiç thotë se nuk do të shqetësohej sikur në rrugë të dalin edhe pesë milionë njerëz.

 

Krahas kësaj, vazhdon kriza në raportet Serbi – Kosovë, ku kryeministri Ramush Haradinaj ka përjashtuar çdo diskutim për ndryshim të kufijve, që sipas tij do të sillte krijimin e shteteve etnike.

Një protestë masive u mbajt në Podgoricë, me kërkesën e largimit të presidentit malazez dhe kryeprokurorit për krimin e organizuar. Protesta u organizua nga një grup intelektualësh, akademikësh, aktivistësh nga OJQ të ndryshme dhe gazetarësh.

 

 

 

Ky grup njerëzish e akuzon udhëheqësin e përjetshëm të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, për korrupsion sistematik dhe kufizim të lirisë së shtypit. Përveç dorëheqjes së tij kërkohet edhe ajo e prokurorit të lartë shtetëror, Ivica Stankoviç dhe atij përgjegjës për krimin e organizuar, Milivoje Katniç.

 

Maqedonia a Veriut nga ana tjetër nuk po gjen qetësi dhe pas marrëveshjes së arritur me Greqinë, për çështjen e emrit. Tentakulat politike të ish-kryeministrit, Nikola Gruevski shpesh herë sjellin probleme, ndërsa liderët politikë të koalicionit qeverisës po përpiqen të gjejnë një marrëveshje për një kandidat të përbashkët për President.