Moderatorja Alma Çelaj: Fatmirësisht unë konkuroj shumë me veten..

Moderatorja Alma Çelaj: Fatmirësisht unë konkuroj shumë me veten..

1287
0

Është një nga moderatoret më të ëmbla,  më të bukura , më të zgjuar, por mbi të gjitha shumë profesioniste e ekraneve shqiptare, e që me daljen e parë  të saj ka fituar zemrën  e gjithë publikut shiptar . E kemi fjalën  për Alma Çelaj, e cila drejton emisionin “Si të vishemi” në ekranin e TV Scan tashmë prej dy vitesh . Bukuroshen Çelaj e shohim çdo të shtunë në ekran,  që me  freskinë e thjeshtësinë  e saj që e  karakterizon  na njeh me të rejat më të fundit nga moda,  çdo fundjavë së bashku me të ftuarit vip që ajo ka  në studio. Në një intervistë për” Vizion.com .al”  Alma  na tregon se si u gjend në ekranin e  tv Scanit . Gjithashtu  bukuroshja Çelaj  na tregon se  ka studiuar për gazetari dhe se e ka pasur një ëndërr që kur ishte  e vogël që të merrej me  botën e tv dhe  fushën e gazetarisë . Edhe pse  një moderatore e re në televizon, Alma premton shumë për të ardhmen dhe pritet që së shpejti të arrijë majat e karrierës së saj  në botën televizive,  e cila sapo e ka nisur, por qe do jetë një rrugë e gjatë plot me sukses . E pyetur nëse ndjen konkurencë me moderatoret  shqiptare , Alma ka nje përgjigje shume të bukur:  fatmirësisht unë konkuroj me veten thote ajo . Por per planet e ardhshme dhe për gjithça tjeter rreth Alma Çelaj ne kemi pergatitur këtë intervistë për të gjithe adhuruesit e saj .

Alma si u gjende në ekran ?

 

Ekrani më gjeti mua në fakt. Kur kërkesa e oferta përputhen lindin bashkëpunime shumë të mira siç ishte edhe rasti im me Tv Scan. Dhe në shator të 2017 unë nisa si moderatore/gazetare e formatit të modës në Scan Tv.

Çfarë të shtyu për tu bërë pjesë e ekranit?

Që herët kam dashur të jem pjesë e ekranit të vogël. Ndoqa studimet për gazetari politike dhe përgjatë studimeve punoja me kohë të pjesshme në radio, revistë apo edhe gazetë. Kështu që përpos dëshirës madhe për tu bërë pjese e ekranit, punova fort që kur të ndodhesha aty të isha gati.

 Të kujtohet dita e parë e daljes në ekran?

Më kujtohet shumë mirë madje. Dalja e parë si prezantuese ka qënë në Top Channel në emisionin e mëngjesit në një rubrikë prej 15 minutash. Skenari më është dhënë në dorë vetëm pak minuta para daljes live dhe ndrojtja ime bashkë me ankthin bënë që të isha në siklet gjatë çdo minutë. Tani qesh kur kujtoj stresin e ditëve të para edhe pse në çdo dalje unë vazhdoj të kem të njëjtin emocion madje kam edhe një moto timen “Nëse sdo kisha emocion dhe frikën e bukur të ekranit në çdo dalje nuk do isha duke bërë punën e ëndrrave të mia”.

Ti ke ke studiuar për gazetari. Sa të vështirë e shikon për të ecur për para në këtë fushë ?

Unë kam studiuar për gazetari politike siç e përmenda edhe më sipër, dhe njohuritë i kam qoftë për gazetarinë që mbulon fusha të ndryshme, qoftë për të moderuar. Të vështirë nuk e konsideroj të punuarit në këtë fushë, por nuk është një punë e cila mund të bëhet pa patur edhe pasionin brenda. Është një profesion pa orare dhe me shumë impenjim ndaj duhet forcë, dëshire e dashuri për këtë punë. Patjeter edhe mbështetja e njerëzve që na rrethojnë.

Sepas teje ku çalon gazetaria në ditët e sotme?

Ndonëse e re në profesion kam vënë re që gazetaria ka humbur besimin dhe jo për shkak të aftësisë së gazetarëve por për shkak të paaftësisë së tyre për tu mbrojtur nga sulmet që vijnë nga politika apo grupet e tjera të interesit. Ky brez gazetarësh është pionier i valës së rrjeteve sociale dhe portaleve. Unë besoj se këto janë pikërisht e ardhmja e gazetarisë, ndaj ata që i tremben asaj janë të prirur të përpiqen ta përbaltin atë. Nga ana tjetër e medaljes, vetë gazetarët duhet të kuptojnë se aq avantazhe sa sjell teknologjia, mbart me vete dhe po aq disavantazhe. Ajo duhet të jetë një armë më shumë në arsenalin e tyre dhe jo një komoditet që i drejton nga përtacia.

Për të qënë një gazetare e mirëfilltë çfarë duhet sipas teje ?

Lexo, kërko dhe shkruaj çdo ditë. Dhe mos harro të jesh kureshtar!! Për këto jam e sigurt që janë parimet bazë për secilin prej nesh duke mos lënë jashtë edhe të qënit objektiv dhe jo paragjykues apo gjykues për çdo lloj situate apo personazhi që na vjen përballë.

Ti je një moderatore e re, ku e shikon veten në të ardhmen ?

Në televizion e asgjëkundi tjetër. E dua këtë punë dhe uroj që të realizoj qoftë edhe një pjesë të vogël të ideve e projekteve që kam në mend. Por diçka është e sigurt, do jem gjithmonë në ekran dhe nuk ka gjë që më bën të heq dorë nga ky profesion.

Si prezantuese e re që je ndien konkurencë ?

Jam rritur me bindjen që secili nga ne ka rriskun e vet dhe që e vogël nuk kam ndjerë konkurencë as kur shoqa e bankës merrte 10 dhe unë 9. Fatmirësisht unë konkuroj shumë me veten duke u përmirësuar dita- ditës.

 

“Si të vishemi” një emision mode, si erdhi ky format ?

E gjeta në fakt gati në Tv Scan dhe kam ndryshuar subjektin e disa aspekte të tjera të xhirimit. “Si të vishemi” është një format mode tashmë që ka në fokus një personazh VIP i cili vishet dhe vlerësohet gjatë emisionit. Ky format shërben që ta njohë publikun me të ftuarin VIP paksa më ndryshe, ta shohë në aspektin estetik dhe jo vetëm.

E meqën se ky emision ka tendencat më të fundit të modës ti sa e ndjek modën ?

Të gjitha ne vajzat kujdesemi të informohemi mbi modën dhe unë nuk bëj përjashtim. Emisioni më ka bërë të jem më e kujdesshme dhe pothuajse çdo ditë lexoj nga revistat prestigjoze online për të qënë në dijeni të çdo risie si dhe njihem me sfilatat e fundit falë “Vogue”.

Për të qënë nje vajzë e sukseshme mjafton vetem bukuria ?

Bukuria është shumë e rëndësishme. Kurrësesi nuk do thoja të kundërtën veçse do thoja që paraqitja e mirë është domosdoshmëri ndërsa bukuria është një plus që është mirë të shkoj për shtat edhe me bukurinë e brendshme.

Cilat nga moderatoret shqiptare do ta merrje si model ?

Asnjërën. Të gjitha janë shumë të mira në fushën e tyre dhe gëzohem kur shoh që ekrani ka një përqindje të lartë të prezantueseve femra. Si model nuk marr asnjë pasi jo vetëm unë, por të gjitha prezantueset e reja duhet të jenë versioni më i mirë i vetes së tyre.

Me thuaj tre tipare dalluese te Almës ?

E dashur shumë, te paktën kështu thonë, e gjej të mirën kudo edhe kur gjërat marrin për dreq dhe e treta, jam shumë e dhënë pas filmave.

Çfarë urren më shumë ?

Moskorrektësinë. Jam shumë e përpiktë e më bezdis shume neglizhenca e të tjerëve në takime pune ose jo.

 Çfarë e nevrikos Almën ?

Kur gjërat nuk shkojnë sipas planit. Edhe në shoqëri jam unë ajo që në udhëtime zgjedh gjithçka, që nga transporti e deri tek hoteli apo apartamenti në booking. E kur diçka nuk shkon mirë ose më del jashtë planit, nevrikosem shumë çështë e vërteta. Sapo zbulova një tipar të keq timin me këtë që thash, qënkam shumë kontrolluese.

Më trego një moment më të siklecëm që ke përjetuar ?

Vonesat e personazheve VIP në emision kur i fton. Kemi patur një të ftuar këtë sezon që e telefononim nga vendi i xhirimit dhe ajo se hapi kurrë. Të nesërmen dha një justifikim të vogël po që nuk piu ujë farë, (shaka) gjithmonë mbetemi miq të mirë me secilin nga të ftuarit e emisionit.

 Istagram apo fesbuk ?

Instagram sepse është kthyer në një punë të dytë për të gjithë ne, pra nuk ka të bëjë më vetëm me përmajtjen që qarkullon por edhe sesi biznesi po drejtohet në Instagram për të investuar në influencues të ndryshëm dhe duke e bërë më frytdhënëse kohën e shpenzuar aty.

Çfarë hobesh ka Alma ?

Më pëlqen ta shpenzoj kohën duke parë filma dhe mesa kam numeruar jam mbi 600 filma të parë në 3 vitet e fundit. Një hobi tjetër është qitja por që me kohë të kufizuar në aq hapësira sa ofron Tirana për këtë lloj sporti.

 Ti  fitove dhe një çmim si  si gazetarja më e pëlqyer si u ndjeve ?

Çmimi që fitova në  dhjetorin e 2018 ishte për “Gazetaren më të pëlqyer” dhe ky çmim u dha nga drejtoresha e “Scan Media Group” , Elvana Hana. Ky lloj vlerësimi do të thotë shumë për mua e ndonëse e re në këtë fushë motivon për më shumë punë dhe impenjim.

Çfarë do ti këshilloje të gjithë moshatarve të tua për të arritur aty ku duan?

Duajeni shumë veten e duke dashur veten mund të doni gjithë të tjerët rreth jush. Më besoni që energjia e mirë mund t’ju sjelli gjithë të mirat.