Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, të mërkurën, është shprehur se biznesi në vend nuk po merr me kredi tek bankat, por tek krimi duke lënë si garanci kokën. “Biznesmenët shqiptarë nuk po marrin më kredi tek bankat se kjo kërkon shumë garanci, por i marrin tek kriminelët që lënë si garanci kokën. Prandaj ndodhin edhe vrasjet. Ai ti jep me një normë të caktuar fitimi, kur nuk përputhen të ardhurat, e ke kokën në rrezik”,- tha Malaj në ‘Opinion’. Ai foli edhe për uljen e euros në kursin e këmbimit në vend, duke e shpjeguar se kjo ulje ka ardhur për pasojë të dy faktorëve; nga njëra anë kërkesa e ulët në treg dhe nga tjetra, futja e sasive të mëdha nga jashtë. “Ka raste kur në treg ka hyrë një valutë e madhe euro, por mundet që edhe kërkesa të jetë e ulët. Kur bashkohen këto dy faktorë, pra kërkesë e ulët dhe hyrje e valutës, rënia bëhet drastike”, – u shpreh ish-ministri.