AlbKalustyan: Rrezikojmë kontrata deri në 3.7 milionë dollarë

AlbKalustyan: Rrezikojmë kontrata deri në 3.7 milionë dollarë

675
0

Kompania shqiptaro-amerikane “AlbKalustyan”, ka reaguar ne lidhje me publikimin në media të pamjeve të fabrikës, në vend të magazinës së kompanisë së bananeve (ku u sekuestrua lëndë narkotike). Sipas kësaj kompanie kjo po çon në anulimin e kontratave tona në SHBA. “Kompania shqiptaro-amerikane “AlbKalustyan”, me një përvojë të hershme në grumbullimin, përpunimin dhe eksportin e bimëve mjekësore e aromatike, gjendet përballë nga katastrofe financiare, për shkak të informacionit të gabuar transmetuar në katër media televizive.

Lajmi i sekuestrimit të mbi 600 kilogramëve kokainë, në magazinën e kompanisë së vogël të bananeve që ndodhet pranë nesh, është shoqëruar edhe me pamje të fabrikave tona. Kjo ka shkaktuar menjëherë reagimin e klientëve tanë në tregun amerikan, të cilët kanë pezulluar blerjet e këtij viti, duke i shkaktuar aktualisht kompanisë një dëm prej 3.7 milionë dollarë. Kompania bën të ditur, se pamjet e fabrikave tona, ashtu siç duket edhe nga kronikat televizive të transmetuara në 4 media, nuk kanë të bëjnë aspak me magazinën e kompanisë së bananeve, të cilës mediat i referohen me zë, si vendi ku u sekuestrua lënda narkotike. Në fotot e kronikave, ku shkruhet për një magazinë bananesh ku u kap kokaina, në planin kryesor dalin të dy fabrikat tona (fabrika e esencave me 2 kate dhe fabrika e përpunimit të bimëve me 4 kate). Pra, komenti me zë dhe titra nuk përputhet me figurën. Aty nuk del fare ose del një sekuencë kalimthi, magazina e bananave. Kjo ka detyruar drejtuesit tanë të kompanisë të vihen në lëvizje për të sqaruar fillimisht klientët. Xhevit Hysenaj, ka shkuar në SHBA, për t’u spjeguar nga afër klientëve pozicionin e pastër të kompanisë. Ndërkohë, ortaku amerikan po bën një letër sqaruese për Ambasadën Amerikane në Tiranë. Kërkojmë të sqarojmë pozicionin tonë, si një sipërmarrje me përvojë e të përkushtuar në rritjen e vlerës se prodhimeve tona të eksportit. Prej vitesh, kompania nderon në tregjet më të largëta emrin e Shqipërisë, me bimët dhe esencat vajore, nën emrin “Made in Albania”. U kërkojmë mediave në fjalë të sqarojnë publikun, se pamjet e transmetuara të fabrikës sonë ishin të gabuara.

“AlbKalustyan” ka dhjetëra të punësuar në të gjithë vendin, dhe angazhon me punë sezonale mijëra persona. Ndaj, dëmtimi i kësaj kompanie, ka pasoja edhe për tregun e punës. Për kontributin në ekonomi dhe shembullin e mirë të sipërmarrjes, vitin e kaluar “AlbKalustyan” u vlerësua me çmimin “Bleta e Artë””-përfundon reagimi i kësaj kompanie.