Valdete Thoma jeton në lagjen “1 Maji” në Vlorë. Vuan nga një sëmundje e rëndë dhe pensioni i invaliditetit prej 14 mijë lekësh nuk i mbulon as mjekimin.
Ndërprerja e energjisë për disa borxhe të vjetra të gati 10 viteve më parë e ka zhytur më thellë në mjerim. “Kam 20 ditë që më është prerë energjia. Kam bërë një kërkesë te OSHEE dhe te ministria, por nuk më ka ardhur përgjigje. Këta të OSHEE-së më kanë hyrë nga muri, hajdutshe, për të më prerë energjinë”, thotë Valdetja. Në shtëpinë e Valdetes, përvec errësirës mbizotëron dhe lagështia. Bashkëshorti i ka vdekur, ndërsa djali i vetëm punon ku të mundet. 70-vjeçarja thotë se kërkon borxhe te fqinjët, por dhe kjo nuk mjafton, ndaj dëshpërimi ka zëvëndësuar turpin dhe sot ajo kërkon ndihmë publikisht. “Jam në gjendje të keqe, nuk jetoj dot më. Jam e sëmurë me tumor. As për ilaçe nuk më del. Më vjen prapë fatura 27 mijë lekë, me çfarë ta paguaj? Ia kam thënë fatorinos, mos më vër aforfe. Po kalbem në ujë”, thotë e përlotur e moshuara. Ligji nuk kursen, por as hallet. Në shtëpinë e Valdetes, dritat do të vijnë kur detyrimet të shlyhen, ndoshta me ndihmën e njerëzve të mirë që sigurisht nuk mungojnë. Por, 70-vjeçarja nuk është e vetme në Shqipëri. Ndaj, bamirësia nuk është gjithnjë zgjidhja e fundit për të ndihmuar ata që jeta u ka marrë pak më shumë se të tjerëve.
Top Channel