Rama, shuplakë ambasadorëve: Si ka mundësi që keni qenë kaq të leshtë?!

Rama, shuplakë ambasadorëve: Si ka mundësi që keni qenë kaq të leshtë?!

495
0

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me ambasadorët shqiptarë përfaqësues të diplomacisë jashtë shtetit ku shprehu kritika ndaj rolit të ambasadorëve lidhur mungesën e angazhimit të tyre në diplomacinë ekonomike. Rama tha se e kishte të vështirë të kujtonte të kishte ardhur një sipërmarrës ekonomikë në zyrën e tij që ta kish adresuar ambasadorët. “Si ka mundësi që keni qenë kaq të avashtë, ose për ta thënë shqip kaq të leshtë për të gjetur mekanizmat e duhura, hartuar formulat?. Na njohin pak, s’na njohin fare, ose më keq akoma na njohin keq. Nuk di ta justifikoj këtë boshllëk. Nuk di të pajtohem me mungesën e interesit ose qoftë të kuriozitetit të dërguarve tanë nëpër botë… Nuk di ta kapërdij dot mungesën e ideve, propozimeve apo shqetësimeve prej vetë jush në adresën tonë”, tha Rama, që sakaq e shtoi akoma më shumë ironinë: “Ende kemi diplomatë delenxhi e parazitë për të cilët ju bëj thirrje të ngrini zërin në komunikimet tuaja me lidershipin politik të Ministrisë së Jashtme. Ndërkohë ende gjendet ndonjë timonier allçak”. Rama foli për një raport tre mujor që do të pasqyrojë në mënyrë të detajuar aktivitetin e secilit ambasador në diplomacinë ekonomike. Në varësi të kësaj Rama tha se do të bëhet më pas vlerësimi për ambasadorët apo dhe largimi i tyre. Gjithashtu në bazë të këtyre raporteve do të matet dhe varet edhe puna e ministrit të jashtëm “Diplomacia ekonomike të jetë shtylla qendrore e aktivitetit të përditshëm e jo çadra e aktiviteteve që nuk sjell asgjë. Do të kërkoj e pres çdo tre muaj pasqyrë të detajuar të personalizuar për secilën përfaqësi që ka bërë përpjekjet në kuadrin e gjerë të marrëdhënieve ekonomike tregtare dhe sa janë reflektuar në marrëdhëniet ekonomiko-tregtare”, tha kryeministri Rama.