Kjo që shihni në foto është vrima nga u vodh një bankë në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.
Skandal.al ka mundur të sigurojë një foto të ambjentit nga u grabit banka.
Paratë, siç shihet edhe nga foto, ndodheshin në një dhomë me mure të zakonshme dhe vetëm një derë të blinduar.
Skenari i autorëve të vjedhjes së 200 milionë lekëve në filialin e bankës tek ish-Blloku, duket se ka qenë i mirëmenduar në detaje.
Pasi kanë depërtuar në bodrumin e boshatisur prej 3 vitesh, autorët kanë hapur dy të çara në mur me dalje në dhomën kasafortë, ku ndodhet banka.
Hyrja e parë, siç është bërë me dije edhe më parë në bodrumin ngjitur me bankën, është kryer nga dritarja që ndodhet në pjesën e pasme të pallatit në drejtimin nga ish-pallatet “Agimi”.
Pasi kanë hyrë në bodrum për herë të parë, autorët kanë thyer bravën e derës së jashtme të këtij ambienti.
Hyrja kryesore në bodrum dhe dera e hekurt e saj, nga ku kanë lëvizur më pas autorët krejt lirisht, ndodhen në krahun e vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha, në zonën e ish-Bllokut.
Brava e vjetër e derës është gjetur në tokë e thyer dhe e shkatërruar, ndërsa autorët kanë vendosur një bravë të re. Ky veprim mendohet se është kryer të premten në mbrëmje, më 5 gusht.
Të gjitha lëvizjet tjera autorët i kanë kryer nga shkallët dhe porta e përparme e bodrumit, duke mos ngjallur dyshime tek askush, pasi kishin çelësat e bravës që kishin vendosur vetë. Kështu, ata kanë nisur hapjen e vrimave në murin e bodrumit, që ndahej vetëm nga dy shtresa “tek tullë” me dhomën kasafortë ku mbaheshin paratë e bankës.
“Muri ishte i amortizuar dhe tek tullë, shumë i lehtë për t’u hapur nga keqbërësit”, thanë burimet e Prokurorisë.
Por, për të realizuar këtë veprim, autorëve të krimit u janë dashur mjete si kriko, tuba metali, bombola gazi e oksigjeni, dalta, çekiç etj., të gjitha të gjetura në vendin e ngjarjes. Këto materiale janë futur aty nga ana e përparme e bodrumit, duke përdorur çelësat e bravës së vendosur nga autorët në derë, pas thyerjes së bravës së parë të saj.