Gëzim Boçari, një zë i ndershëm nën siglën e APD

Gëzim Boçari, një zë i ndershëm nën siglën e APD

4581
0

Nga Eglantina Alliaj

Gëzim Boçari, kandidon nën siglën e Aleancës Popullore për Drejtësi në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Profesor në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Mjekësor Tiranë, zoti Boçari rrjedh nga një familje që në kohë të ndryshme ka kontribute të njohura patriotike, dhe historikisht i ka shërbyer interesit kombëtar. Një person aktiv në jetën publike, ka punuar mbi 20 vjet me shoqatat e pronarëve, dhe për problemin e pronave, njihet si një ndër kundërshtarët publik të të gjitha qeverive. I angazhuar me problemin e pronave me APD,  Prof. Dr. Gëzim Boçari, kandidat për deputet thekson në një intervistë për “Vizion.com.al”, se pronarët duhet që të ndëshkojnë me votë politikanët përgjegjës për burokracinë, për anarkinë dhe korrupsionin me pronat e pronarëve që zotëron në administratën shtetërore dhe në gjykata. Për professor Boçarin, APD ka dallim themelor me 17 partitë e tjera që garojnë në këto zgjedhje. Ky ndryshim sipas tij është tek abuzimi i të gjitha partive politike për 27 vjet me pushtetin, të gjitha partitë ekzistuese janë derivate të Partisë komuniste të degraduar në imoralitet. Ka pranuar të bëhet pjesë e kësaj force politike dhe të kandidojë për deputet, pasi sipas tij, APD është fillimi i pluralizmit dhe i opozitës reale të demokracisë u shpall në 1990-91 por u devijua në kleptokraci. Ndaj, ai apelon të gjithë shqiptarët, që të votojnë APD dhe  të   mendojnë në interesin dhe perspektivën e familjes dhe të shoqërisë shqiptare.

 

Zoti Boçari, ju jeni kandidat për deputet i Aleancës Popullore për Drejtësi, në qarkun e Tiranës. Nga ju erdhi ftesa për të kandiduar, dhe si e pritët?

Ju falenderoj për intervistën pasi më mundësoni të sqaroj diçka me shumë tani në prag të zgjedhjeve për Partinë e re : Aleanca Popullore për Drejtesi që konkuron si subjekt i pavarur me siglën APD nr 17. Ky formacion politik u shpall publikisht me 28 Janar 2017, në Pallatin e Kongreseve në prani të mbi 3000 pjesëmarrësve. Organizatori i kësaj force politike është z. Bilal Kola, që vjen nga shtresa e të përndjekurve politike. Në konventën e 28 Janar 2017, nismëtari z. Bilal Kola, u zgjodh njëzëri dhe kryetar i Partisë. Pa dyshim ai është përfaqësues i përshtashëm ose më i miri dhe më i afti për të përfaqësuar këtë shtrese. Z. Bilal Kola është i pastër politikisht dhe moralisht dhe superior ndaj kryetarëve të forcave të tjera politike që konkurojnë në këto zgjedhje për faktin se është jurist, i formuar në perëndim, i diplomuar në Britaninë e Madhe ku ka kryer edhe diplomën master, dhe për origjinën dhe historinë e familjes dhe moshën e tij, nuk mund të ketë asnjë detyrim nga e kaluara komuniste dhe nuk ka mundësi ta ketë gëlltitur “lugën e çorbës së prishur”  . Unë e pranova me kënaqësi  programin dhe statutin e nismës: Aleanca Popullore për Drejtesi , angazhimi solem i së cilës është që « Ne të gjithë sëbashku duam të mbrojmë, përfaqësojmë dhe realizojmë të drejtat Kushtetuese si dhe Të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut, për tre shtresat dhe shtyllat më vitale të shtetit shqiptar, por njëkohësisht, më të margjinalizuara dhe më pak të përfaqësuara politikisht, të shoqerisë shqiptare :Të Përnjekurit, Pronarët dhe Diaspora shqiptare »  Që në fillim u bëra pjesë e kësaj force politike dhe me shpalljen e fushatës zgjedhore pranova të jem kandidat  për Tiranën i APD.

APD, është një parti e re. Çfarë e dallon këtë formacion të ri politik nga partitë ekzistuese?

Në Shqipëri janë të rregjistruara mbi 60 parti politike dhe në këto zgjdhje konkurojnë 18 sigla , disa janë parti  dhe disa janë grupime partish. APD ka dallim themelor me 17 partitë e tjera. Ndërsa të gjitha partitë parlamentare të deri sotme kanë abuzuar për 27 vjet me pushtetin pasi  janë parti të aktivitetit sorosian të modelit të Katovicës, që duhet të transformohen në parti, pasi janë klane monorkratike që nuk kanë doktrinë madje janë përgjegjëse për shkeljen e detyrimeve kushtetuese të vitit 1991 dhe kriminalizimin e shtetit. Të gjitha partitë ekzistuese janë derivate të Partisë komuniste të degraduar në imoralitet. Ramiz Alia ndër të tjera,  në tetor 1989 të pranishmëve në Byronë Politike u tha:  “Sistemi ynë ka kapitulluar përballë atij Kapitalist, ndaj jemi të detyruar të ndryshojmë strategji në dy drejtime: Në respektimin e të drejtave të njeriut dhe në krijimin e pluralizmit politik.

            Të drejtat e njeriut janë diçka brenda nesh dhe mund të abuzohet me to deri diku, por pluralizmi do të bëhet se s’bën! Do te nxisim të krijohen parti sa të duan, të majta, të djathta dhe të qendrës. Por gjithësesi këto parti duhet të kontrollohen e të drejtohen nga ne; programet e themelimit të këtyre partive do t’i formulojmë ne. Në krye të tyre duhet të nxirren njerëz që të përkrahin strategjinë tonë. Partia që do të marrë pushtetin do ta shajë komunizmin në themel e në çati. Në këtë mënyrë do të fitojmë simpatinë e Perëndimit dhe të dis i denc ës  antikomuniste. Ata që janë në burgje, të dënuarit dhe të persekutuarit politikë do të thonë për ne: « Edhe këta e urrejnë komunizmin ». Do të afrohen dhe do të na përkrahin . Ne na intereson karta morale e tyre. Do t’i afrojmë dhe do t’u japim punë të parëndësishme, por nuk do t’i lëmë kurrë të marrin pushtetin, sepse po të marrin fuqinë fillojnë e hakmerren dhe ne bëhemi hyzmeqarët e tyre. Në zbatim të të drejtave të njeriut duhet që t’u japim edhe kompensim në para të burgosurve dhe te sekuestruarve e të shpronësuarve t’u kompletojmë komoditete banimi. Do t’u japim nga një letër në dorë që u njihet prona, por këtë (pronën), nuk do t’ua japim asnjëherë. Do t’i ngatërrojmë në forma të ndryshme njeri me tjetrin që të kalojnë në gjykatë, ku do të zbatohet rotacioni: nga gjykata e shkallës së parë në të dytën  dhe, për shkak difektesh teknike, kthim për rigjykim në shkallën e parë. Këta janë të moshuar dhe fuqi nuk kanë. Duhet të kemi kujdes nga fëmijët e tyre. Por edhe këtyre, duke u dhënë një pasaportë dhe me pak presion i largojmë jashtë. Ata që do të pretendojnë dhe do të këmbëngulin do të lëndohen ! Pasuria e tëra na përket ne, se ne e bëmë”. Ky udhëzim i Ramiz Alisë, deri sot, është realizuar me fanatizëm, duke kultivuar kulturën e vjedhjes dhe të papërgjegjshmësë në popull. Ndryshimi i APD qëndron në  vizionin, misionin, programin, gjithëpërfshirjen, përfaqësimi dhe drejtimin e denjë i këtij subjekti politik.   APD është fillimi i pluralizmit dhe i opozitës reale të demokracisë u shpall në 1990-91 por u devijua në kleptokraci. Nëse kryetarët e PD dhe PS z. Sali Berisha dhe z. Fatos Nano do kishin zbatuar detyrimet kushtetuese, APD nuk kishte pse të krijohej ose të paktën unë nuk kisha motiv të angazhohesha në politikë pasi ndihem mirë në fushën e mjekësisë. Shkaku pse unë angazhohem në politikë është prona . Jam angazhuar me APD , kauza e të cilës është korigjimi i gabimeve të politikanëve të modelit të Katovicës që me partitë e tyre plotësojnë fasadën e pluralizmit fallco .   

 

Cilët shtresë të shoqërisë shqiptare do të përfaqësoni në parlamentin e ardhshëm?

Pretendoj se jam një nga përfaqësuetit e subjekteve të shpronësuar që kërkojnë respektimin e të drejtës së pronësisë konform detyrimeve kushtetuese.

 

Për të gjithë votuesit që nuk ju njohin, kush është Gëzim Boçari?

Unë jam Gëzim Boçari, Profesor në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Mjekësor Tiranë. Rrjedh nga një familje që në kohë të ndryshme ka kontribute të njohura patriotike. Pasuria e familjes time, në Vlorë, veç mirëqënjes së familjes historikisht gjithmonë i ka shërbyer interesit kombëtar. Pas vitit 1945, prona e familjes time, ashtu sikurse edhe e pronarëve të tjerë, u konfiskua nga rregjimi i diktaturës komuniste.  Lidhur me pronën, në këto 26 vjet qytetarët janë nëpër procese gjyqësore me Shtetin, në konflikte me njëri tjetrin dhe konflikti ka hyrë dhe brenda familjes. Shkak  janë drejtuesit kryesorë të politikës, që në këtë fushatë po kërkojnë vota për të drejtuar shtetin. Janë po ata politikanë që pronarët i kanë mashtruar, duke bërë pak ose aspak për të atë që ju takon me ligj. Shteti që kemi është si shtëpia pa themel se po nuk zuri vend prona nuk ze vend shteti. Politikanët e modelit të Katovicës, në dukje janë treguar neglizhentë por në fakt janë treguar si ujqër dhe kanë punuar vetëm për tu pasuruar.

Çfarë merr përsipër për pronat, grupi i APD, që do të dali me votat e popullit ? 

APD me grupin parlamentar që do të dalë nga vota e popullit merr përsipër të bllokojë dhe anullojë ligjin e fundit të qeverise nr 133/2015, deklaratë që e ka bërë dhe kryetari i PD z. Lulzim Basha. Ligji 133/2017 nuk e zgjidh problemet dhe as konfliktet me pronat që po vazhdojnë të shtohen. Këtë ligj e ka kundërshtuar Shoqata Kombëtare e të Shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi”, Koalicioni i Shoqatave të Bregdetit, Presidenti i Republikës dhe Avokati i Popullit dhe subjekte të tjera, gjithësej tetë subjekte. APD merr përsipër te realizojë ligjin për pronat që kthimi dhe kompensimi i pronës të bazohet në origjinën e pronës dhe detyrimet Kushtetutuese sepse zbatimi me përpikmëri i Kushtetues është detyrim në rradhë të parë i Kuvendit dhe i organeve shtetërore, që korrupsionin 26 vjeçar të krijuar me pronat t’a zgjidhin vetë organet shtetërore, sepse ato e kanë krijuar. Lidhur me kompensimin ai do të bëhet me vlerën e vitit 2008, sepse këtë e ka përcaktuar Gjykata e Strasburgut. Në këtë mënyrë çdo trung familjar do të gëzojë të drejtat, që prej 26 vjet vazhdojnë t’ju mohohen, nga  politikanët e papërgjegjshëm, që fajin dhe paaftësinë e tyre  ja hedhin njëri tjetrit.

 

Ligji për trajtimin e pronave nr 133/2015 u miratua Gjykata Kushtetuese. ..

Po Gjykata Kushtetuese, ju nënshtrua politikës, shkeli të drejtat e njeriut dhe detyrimet Kushtetese të Shtetit, u tregua e papërgjegjëshme  pasi nuk përcaktoi se cilat prona duhet të kompensohen konform nenit 181 dhe 41 të Kushtetutës, por kjo është temë që kërkon përballje publike me Kryetaren e ATP ose 5 antaret e Gjykatës Kushtetuese që shkelën Kushtetutën dhe mbrojtën modelin e sistemit sorosjan të Katovices, ku çdo gje e përcakton paraja dhe e zgjidh paraja. Ligji 133/2015 me të ashtuquajturin kompensim në vlerë, që jep Agjensia e Trajtimit të Pronave, praktikisht maskon mafien e trojeve turistike dhe të gjitha problemet e pazgjidhura dhe mashtrimet e bëra me pronat prej 1991 e deri sot. LSI , PS dhe PD pretendojnë të zhvillojnë ekonominë dhe veçanërisht turizmin, por pa kthyer pronën tek i zoti, këto janë mashtrime elektorale

Ju nuk e pranoni se qeveria po jep kompensime ?

Kompensimi kështu siç e ka konceptuar Agjensia e Pronave dhe Gjykata Kushtetuese, është ti vendosësh çmim pronës së pronarit autokton thjesht  për ti mbyllur gojën, por në esencë kjo është shitje e atdheut. Sondazhet tregojne se mbi 50% e rinisë synon të emigrojë. Mendoj se realisht kjo shifër është më e madhe. Ky është dëmi më i madh që ka pësuar Kombi Shqiptar në shekuj , përfshi dhe pushtimet e ndryshme dhe në esencë është genocid dhe spastrim etnik dhe ftoj   kryeministrat e pas vitit 1991 të ballafaqohet për të mbrojtur dinjitetin dhe qëndrimet e tyre për këtë pikë.

Cili është mesazhi juaj për qytetarët dhe opinionin publik?

Bashkimi PD me PS dhe parti të tjera, realisht do çojë në shkrirjen dhe reformimin e tyre dhe të spektrit politik në Shqipëri. Unë i njoh mirë problemet dhe mundësinë e zgjidhjes së pronës pasi kam fituar edhe çështje në Gjykatën e Strasburgut. Siç është sqaruar dhe në programin e APD të publikuar në faqen ëëë.apd.al, kjo është parti e djathtë , por për kushtet aktuale jam i bindur se kjo forcë politike do votohet në mënyrë masive si nga të djathtët por dhe nga ata që deri sot kanë votuar PS apo LSI që janë quajtur të majtët. Ka kryetarë partish që ju bëjnë thirje mbështetësve të tyre të mos votojnë. Ju falenderoj për mundësinë që më jepni dhe i bëj apel të gjithë shqiptarëve, që të votojnë dhe të  mendojnë në interesin dhe perspektivën e familjes dhe të shoqërisë shqiptare. Njerëzit  e ndershëm duhet të ndëshkojnë me votë politikanët përgjegjës për burokracinë, për anarkinë dhe korrupsionin me pronat tona dhe pasuritë e shtetit, korrupsion që zotëron në administratën shtetërore dhe në gjykata. Në se media do ta zgjojë dhe sqarojë popullin,  APD nr 17 në këto legjislaturë  do të jetë surpriza e bukur për pronarët dhe për të gjithë popullin shqiptar.