Binjaket Zalli: “Kur studentët tanë nëpër botë na përshëndesin në shqip”

Binjaket Zalli: “Kur studentët tanë nëpër botë na përshëndesin në shqip”

3296
0

Argita dhe Detina janë shkencëtaret e reja nga Patosi i Fierit, që flamurin e Shqipërisë po e valvisin anekënd globit. Lexoni rrëfimin e plotë për vështirësitë dhe suksesin në fushën akademike dhe të shkencës për mjekësi molekulare.

Nga Sabina Veizaj

Ato janë kaq të thjeshta, të edukuara për t’u patur zili. Nëse vëren portretet e tyre ndërsa i dëgjon teksa flasin gjatë një bisede të zakonshme , mendon se janë dy studente që ende nuk kanë arritur të shkëputen prej dialektit të Fierit. Janë shumë të hijshme e bartin shumë dashuri, të cilën e përcjellin me aq delikatesë dhe pa e kursyer. Ato janë motrat binjake Zalli. Argita dhe Detina janë shkencëtaret e reja nga Patosi i Fierit që flamurin e Shqipërisë po e valvisin anekënd globit.  Ato janë diplomuar për biologji molekulare në Angli dhe më pas rrugëtimi i tyre ka përvijuar shumë i suksesshëm në fushën akademike dhe të shkencës. Argita dhe Detina kanë vazhduar postdoktoraturën;  Argita për imunologji në Angli dhe Detina i është përkushtuar zbulimeve në fushën e kancerit  në Harward. Ato janë larguar nga Patosi që në moshën 13 vjeçare drejt Anglisë me prindërit e tyre për një jetë më të mirë.  Aktualisht pedagoge në kolegje prestigjoze në Angli, kërkuese shkencore, themeluese të fondacionit shkencor jofitimprurës “We speak science”, rrëfejnë për Vizion.com.al rrugëtimin e tyre drejt suksesit, dashurinë dhe lidhjen me Shqipërinë si në sferën private dhe profesionale, pasionet, planet për të ardhmen.   

Aktualisht si po shkon karriera juaj në fushën e shkencës? Me se po merreni konkretisht?

Argita: Deri tani shumë mirë, së shpejti  do të publikojmë një gazetë shkencore në fushën e hematologjisë. Për më tepër jam shumë e emocionuar sepse së shpejti do filloj të punoj në një projekt shumë interesant, për të cilin nuk mund të jap ende detaje. Tashmë jam petagoge në ‘Imperial College London’ (dhe ndjehem shumë e privilegjuar). Pjesën më të rëndësishme të kohës do ta kaloj duke ndihmuar studentët e shkencës (shkencëtarët dhe doktorët e ardhshëm) në projekte të ndryshme në shkencë, duke i ndihmuar të bëjnë kërkime shkencore dhe zbulime në fushat thelbësore të shkencës.

Detina: Karriera po shkon shumë mirë. Unë  jam pedagoge në “Queen Mary University of London”. Gjendem shumë mirë këtu. Aktualisht jam duke drejtuar disa kurse të ndryshme në fushën e biologjisë celulare.

Keni ecur shpejt drejt suksesit apo rrugëtimi ka dashur kohën e vetë?

Argita: Jam e kënaqur me mënyrën se si karriera më ka ecur deri tani dhe ndihem shumë e privilegjuar, e bekuar të jem pedagoge e të punoj në një nga katër universitetet më të mirë në botë. Kam punuar vërtet shumë për të arritur këtu, jo vetëm me tru, por edhe me zemër dhe ndihem me fat që më është vlerësuar puna. Që dikush pa në sytë e mi pasionin dhe vendosmërinë dhe shpresoj që me kohën të eci vazhdimisht drejt një suksesi më të madh .

Detina: Besoj se  rrugëtimi ka pasur nevojë për kohën e vet. Suksesi nuk ka qenë apo është rastësi. Besoj se është punë e vështirë, këmbëngulje, mësim, studim, sakrificë, por mbi të gjitha është dashuria për punën. Në karrierën time, deri më sot, ka pasur momente të larta por edhe të vështira. Shpeshherë më është dashur të marr edhe vendime të vështira, si përshembull të largohem nga familja për një kohë të caktuar (qëndrimi në Amerikë;  apo tani që jam mami i Destin, më duhet të largohem nga ai disa ditë në vit për të dhënë mësim në Kinë, Japoni, Hong Kong) për të arritur atë çfarë kam dëshiruar edhe ëndërruar. Megjithatë, të gjithë eksperiencat pozitive dhe negative më kanë forcuar dhe më kanë bërë të jem më e sukseshme qoftë profesionalisht, qoftë në jetën private. Në fakt, mezi pres të rritet edhe pak Destin që ta marr me vete kudo.

Vullneti apo zgjuarsia iu ka çuar aty ku jeni dhe aty ku dëshironi të shkoni?

Argita: Të dyja janë thelbësore për të arritur diku. Do të shtoja gjithashtu mirësjelljen dhe durimin. Te jemi të gatshme të punojmë në një punë skuadre, në harmoni me kolegët e tjerë. Shpeshherë duhet të merremi edhe me punë që nuk janë në fushën e preferencës tonë, duhet të pranojmë sfida me vetveten  dhe duhet të kuptojmë se suksesi vjen pas eksperiencës dhe se për të arritur diku duhet të presim kohën e vet.

Detina: Vullneti pa zgjuarsi apo zgjuarsia pa vullnet janë si një ëndërrimtar që ëndërron pa punuar. Besoj të dyja; vullneti dhe zgjuarsia na ka shpënë ku kemi dëshiruar të shkojmë. Pa njërën apo tjetrën nuk mund të ecësh përpara besoj.

Si i mbani lidhjet me Shqipërinë në fushën private dhe atë profesionale?

Argita: Kam një lidhje shumë të fort me Shqipërinë, si në fushën private dhe atë profesionale.  Vij pothuajse dy herë në vit të takoj të dashurit e zemrës: gjyshin, gjyshen, dajot, tezet, hallat, shoqërinë e vjetër, të cilët më mungojnë shumë. Për më tepër sa herë që vij e organizoj kohën në mënyrë të tillë që të bëjmë konferenca në Tiranë (në bashkëpunim me skuadrën e We Speak Science) në fushën e shkencës. Për shembull vjet organizuam një konferencë në fushën e kancerit, në mënyrë që të edukonim publikun e thejshtë për trajtimet e kancerit. Që ata të kuptojnë trajtimet që po marin (duke u bazuar në shumë mesazhe që Detina dhe unë kishim marrë nga njerëz të ndryshëm për trajtimet në lidhje me këtë temë). Ndërsa pjesa e dytë e konferencës u përkiste studentëve të mjekësisë dhe profesionistëve. Folëm për trajtimet e reja në fushën e kancerit si edhe si të shkruajmë një CV dhe Cover Letter (letër motivimi) për të ndihmuar studentët e të gjitha fushave.

Detina: Me Shqipërinë jemi shumë të lidhura privatisht. Pjesa më e madhe e familjarëve tanë ndodhen në Shqipëri dhe ne mundohemi të jemi sa më shumë të pranishme në jetët e tyre. Po të tregoj një histori të shpejtë. Kisha 1 muaj pa folur me gjyshi Llazin  dhe mu duk një kohë jashtëzakonisht e gjatë. Ndërsa udhëtoja për në Japoni, e telefonoj nga aeroporti. Nuk më përgjigjej. E telefonoj edhe nga brenda aeroplanit para se të nisej, por gjyshi përsëri nuk më përgjigjej në telefon.  Më në fund, pas shumë përpjekjesh kur mbërrita në Japoni më doli në skype. I thashë “ po sa i rrezikshëm je bërë o gjyshi, të kërkon një javë dhe mezi del”. Historia ishte që gjyshi i kishte mundur të gjithë miqtë e tij në lojen me “Domino” dhe ata ishin mërzitur dhe nuk po i flisnin me gojë.  Herë tjetër, i thashë, të përdorë strategjinë tjetër që “ ti bëjë të gëzuar duke i lënë të fitojnë”. Për sa i përket lidhjeve profesionale, mundohemi të jemi të lidhura duke organizuar konferenca të “We Speak Science”. Pothuajse çdo vit në vitet e fundit kemi organizuar një dhe ka qenë një eksperiencë shumë e bukur edhe për ne që kemi takuar shumë studentë ekselentë  me një perspektivë jashtëzakonisht të madhe në fushën e mjekësisë, shkencës, por edhe më tepër.

 

Pse patjetër doni të bëni diçka  për Shipërinë?

Argita: Sepse Shqipëria është prindi im i dytë. Shqipëria përfaqëson hapat fillestarë të jetës; dashurinë, fëmijërinë, edukimin, mundimet dhe sakrificën. Për më tepër ashtu si unë dhe Detina, shumë studentë të shkëlqyer punojnë fort për të arritur përpara, përse të mos i ndihmojmë me sa kemi mundësi?  Kur i shikon që arrijnë suksesin, të duket sikur edhe ti ke arritur një sukses të vlefshëm për ndihmën që ke dhënë. Për më tepër jemi gjithmonë të gatshme të organizojmë konferenca e të edukojmë dhe sensibilizojmë  njerëzit e thjeshtë.në fusha të ndryshme të mjeksisë, në mënyrë që ata të marrin vendime të informuara për jetën e tyre.

Detina: Sepse është vendi ynë. Pavarësisht se jemi larguar prej shumë vitesh, është shumë e vërtet që ndjesinë që të jep vendi ku ke lindur, nuk e gjenë në asnjë vend tjetër.

Emigracioni është një temë e nxehtë në çdo kohë. Tani që keni një pozicion shoqëror të rëndësishëm falë punës tuaj, e ndjeni peshën e të qenit emigrante?

Argita: “Imperial College London” ku punoj është  institucion ndërkombëtar  dhe multi-kultural e mbi të gjitha mirëpret njerëz nga vende të ndryshme të botës. Dhe për këtë nuk e ndiej veten emigrante. Jam në kontakt të mirë e të vazhdueshëm me njerëz të profesioneve dhe kombësive të ndryshme. Ndihem mirë në këtë rreth shoqëror. Edhe kur jam prezantuar përpara studentëve nuk ka patur asnjë probem. Ndihem shumë e respektuar dhe e vlerësuar nga studentët dhe kjo është dukur pasi kam fituar “UCL Medical Student’s Top Teaching Award”, pasi kam drejtuar një kurs në fushën e imunologjisë / neuro-imunologjisë për studentët e mjekësisë në UCL. Ndërsa, në “Imperial” pothuajse këtë vit pas çdo leksioni, studentët më kanë duartrokitur dhe duartrokitjet  zakonisht nuk janë traditë pasi përfundon leksioni. Kjo më bën që të punoj sa më fort edhe ta adhuroj punën time.

Detina: Tani, pas shumë vitesh nuk e ndjej më peshën e të qënit emigrante. Mund të them që kam kolegë të shkëlqyer anglez, amerikan, japonez, europian (nga vende të ndryshme të Europës), dhe ndihem vërtet mirë. Besoj se pozicioni akademik ka influencuar shumë. Njerëzit më të kulturuar nuk i shikojnë emigrantët si “kërcënim”          apo si “njerëz pa dije”. Fatkeqësisht, kjo nuk është e vërtetë për të gjithë nejrëzit e tjerë.

Detina ti ke dhënë mësim në Harward, tani në Kinë, Japoni, Hong Kong. Si reagojnë studentët kur u thua që je nga Shqipëria? Ka ndodhur të kesh studentë shqiptarë?

Po është shumë e vërtetë. Pas Harvardit, lëviza në Londër, ku jam pedagoge e “Queen Mary”. Universiteti ku punoj është duke bashkëpunuar me disa universitete në Japoni, Kinë, Hong Kong. Kështu që më duhet të udhëtoj disa herë. Mund të them se të japësh mësim në vende të ndryshme të botës është një gjë shumë e bukur edhe sepse takohesh me kultura të ndryshme dhe çdo herë që udhëtoj mësoj diçka të re.  Studentët  para se unë tu jap mësim,  nuk kanë pasur shumë dije për Shqipërinë, por pasi unë i mësoj, kanë një ide shumë më të mirë. Kjo është sepse, unë zakonisht para se të jap leksionin tim të parë, u bëj një prezantim të prejardhjes time dhe i tregoj për Shqipërinë. Ata janë shumë kuriozë në përgjithësi dhe më pyesin shumë gjëra; për traditat tona, vendin tonë. Mu bë shumë qejfi që në vizitën time të fundit në Japoni, një student më afrohet dhe më thotë “Mirëmëngjes”, dhe kur mbaroj mësimin “Mirëupafshim”. Ndërsa, në Kinë, një student tjetër po më fliste për lidhjet e Enver Hoxhës me Mao Zedong. Deri tani, nuk kam rastisur ti jap mësim ndonjë studenti shqiptar në këto vende.

A ju del koha për jetën private?

Kjo është një pyetje që ma bëjnë të gjithë. Biles, në një  intervistë të punës që pata, një nga komentet e eprores time aktuale ishte: “Do jem e ndershme me ty edhe do të them, se kur shoh CV tënde, jam e shqetësuar. Si i bën gjithë këto gjera? Të del koha për të fjetur, për të ngrënë, për një jetë private? Është e vërtetë që sidomos këtë vit, kam punuar shumë dhe jashtë orarit të punës, sidomos me editimin e librit “Good Morning Hope”, që shpresojmë të publikohet këtë vit, si dhe me angazhime të tjera profesionale në fushën e mjeksisë dhe shkencës. Por përpiqem që të shtunën ta kem pushim, në mënyrë që ta shpenzoj sa më shumë kohë me bashkëshortin tim të dashur, Redin dhe me dreka familjare.

Po për pasionet; pianon, të shkruarit, modën si e gjeni kohën?

Për sa i perket modës,  jam vërtet shumë e apasionuar. E gjej kohën dhe do ta gjej gjithmonë sepse përpara se të jem shkencëtare apo lektore, unë jam një femër.

Pse një libër – ditar për jetën tuaj?

Vendimin për librin e mora në Francë, kur isha veçse 13 vjeçe gjatë rrugës për në Angli. Kishim ndalur në një fushë të hapur dhe binte shi. Shumë emigrantë ishin shtrirë për tokë, të lodhur, të rraskapitur e të humbur në pasigurinë e udhëtimit. Mora aparatin fotografik (dhuratë nga një shok i babit që kishte shkuar në Greqi) nga valixhja dhe i thashë tim eti se do ti fotografoja njerëzit dhe se do ta prezantoja këtë fotografi në librin që do të shkruaja.  Duhet të shkruaja për gjithçka që kisha parë dhe që kishte ndodhur. Por, babi nuk më lejoi ti fotografoja (haha) dhe tani e kuptoj përse. Me anën e librit dëshirojmë të tregojmë historinë tonë, historinë e Shqipërisë, historinë e shumë shqiptarëve dhe ti tregojmë botës se panvarësisht nga rrethanat e vështira nga të cilat kemi ardhur dhe u kemi mbijetuar,  jemi një popull me vlera, popull i zgjuar, i ndershëm, punëdashës, zemërgjerë, familjar dhe dimë  të mbajmë emrin e Shqipërisë lart .

Cilat janë planet për të ardhmen? Po në lidhje me Shqipërinë?

Të vazhdoj me përparimin në karierë si petagoge në fushën e shkencës e mjeksisë, në projekte shkencore. Në lidhje me Shqipërinë, kur të vijmë përsëri, do të organizojmë patjetër një konferencë me skuadrën e “We Speak Science”, e cila është një skuadër e shkëlqyer. Ajo është e përbërë nga studentë të rrallë, si në edukatë edhe në punë.

A ka ndryshuar marrëdhënia mes binjakeve kur karriera ju ka ndarë për disa kohë, jeni martuar e Deti eshte bërë me fëmijë?

Asnjë gjë nuk ka ndyshuar pavarësisht angazhimeve të ndryshme në karierë. Si Deti edhe unë kemi një punë të ngjashme dhe i kuptojmë angazhimet e njëra -tjetrës. Përsa i përket femijës, këtu do të korigjoja edhe do të thoja se jemi bërë me djalë. Destini është një mrekulli e vërtetë, një dashuri  tepër e madhe. Sa herë që Deti shkon në Kinë për të dhënë leksione, unë pothuajse shpenzoj çdo ditë me djalin tim* (haha).

Faleminderit shumë Sabina! Ishte një inetervistë shumë e këndshme.Vërtet u kenaqa sepse më nxite të kujtoja rrugëtimin që kam bërë nga fëmijëria deri tani.