Kolegji Zgjedhor shtyn për më 22 maj datën e shqyrtimit të ankimimit të PAP, Partia Aleanca Popullore e cila kërkoi të shpallen të pavlefshme listat e kandidatëve për deputetë të regjistruar për zgjedhjet e 18 qershorit. Kolegji Zgjedhor vendos të thërrasë 15 partitë që janë regjistruar për zgjedhjet e 18 qershorit. Kreu i kësaj partie, Artur Dojaka, tha se nuk do të tërhiqej nga ankimimi, pasi një proçes ligjor konsiderohet i tillë vetëm kur vendosin gjykatat.
“Përkundrazi do të të vazhdojmë pranë Kolegjit Zgjedhor me ankimimin që nuk është asgjë tjetër përveçse ankimim në mbështetje të ligjit dhe shtetit ligjor. Nuk mund të lë pa përshëndetur marrëveshjen e mbrëmshme mes kreut të PS dhe atij të PD, gjë e cila i hap rrugë gjithë proçesit. Por në fund të fundit ne pas 27 viteve tranzicion ne duhet të kuptojmë se proçesi nuk është thjesht marrëveshje e disave në veçanti por është një proçes ligjor. Proçesi ligjor mund të quhet i tillë vetëm në momentin që vendosin gjykatat dhe e tillë është dhe dita e sotmë në Kolegjin Zgjedhor ku ne presim vendimin.
Listat u dorëzuan jashtë afateve- Është shumë i qartë, është thjeshtë një llogari matematike, mund tu citoj dhe shkeljen ligjore që ka ndodhur, është neni 67 i kodit zgjedhor që parashikon specifikisht këtë: Partia politike që është regjistruar si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend depoziton pranë Komisionit të Zgjedhjeve listën shumëemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve. Kjo tashmë është thjesht një aritmetikë e thjeshtë që do interpretohet në Kolegjin Zgjedhor, jo më kot unë po shkoj vetë tani ta mbroj këtë çështje personalisht, paçka se nuk jam jurist, jam ekonomist. Duke patur dhe një lajm të mirë që vjen nga orët e para të mëngjesit se dy partitë kryesore kanë vendosur ti hapin rrugë proçesit zgjedhor, ky është lajm i mirë për të gjithë dhe le ta mbyllim ashtu si i takon Shqipërisë moderne të 2017 që gjithçka të zgjidhet përmes një proçesi ligjor.
Ankimimi mbështet marrëveshjen- Nuk ka asnjë lloj synimi për sfumim të marrëveshjes dhe as arsye tjetër. Jemi në vazhdim të asaj që kemi ankimuar dhe nuk shohim asnjë arsye pse ne të tërhiqemi nga vazhdimi i ankimimit. Jemi forcë politike e përgjegjshme. Në mbështetje të marrëveshjes, ne po i japim hapësirën që për ne është rruga e vetme që mund ti mundësojë gjithë forcave politike me një proçes ligjor të çertifikuar tashmë përmes proçesit të Kolegjit Zgjedhor të marrin pjesë në zgjedhje. E shoh si mbështje të marrëveshjes së arritur.