Gjatë gjithë sezonit veror nuk kanë qenë të pakta shkrimet dhe zhurma mediatike që në sezonin e ri televiziv, me gjithë ndryshimet dhe lëvizjet që po ndodhin në ekranet e njohura, të prekura do të ishin edhe motrat Vjollca, Luana dhe Marina.
Por me gjithë zërat se Luana dhe Marina ishin lënë në hije nga drejtuesit e Top Channel apo, edhe aludimeve se vajtje-ardhjet e shpeshta në Kosovë, përveҫ lidhjeve private, fshihnin edhe projekte të reja televizive, asgjë nuk u konfirmua nga dy bukuroshet e njohur të ekranit. Përkundrazi, në heshtje ato konfirmuan edhe një herë se do të vijojnë të jenë pjesë e programeve të tyre në Top Channel.
Të paktën kjo është e sigurt për Marinën në Procesin Sportiv, praninë e së cilën e konfirmoi me anë të një statusi moderatori i këtij programi, Edi Manushi. Programi sportiv, si ҫdo vit, nisi i pari sezonin e ri televiziv, kështu që Edi dhe Marina rikthehen sonte në ekran.
Ndërsa për Luanën, edhe pse nuk ka ende një konfirmim nga ajo, e sigurt është që rubrika e saj e së dielës “Pa limit” do të vijojë, meqenëse televizioni ka nisur audicionet për aktorët pjesëmarrës, pas largimit të Dorit dhe Devisit. Këtyre dy të fundit, siҫ është bërë e ditur, iu është besuar programi i përnatshëm në “Fiks Fare.”
Kështu, me gjithë zhurmën mediatike, duket se motrat Vjollca do të vijojnë të jenë në ekranin e Top Channel edhe për këtë sezon.
Pavarësisht lidhjeve personale që kanë me Kosovën, Luana dhe Marina ende nuk kanë ndonjë projekt konkret për të qenë pjesë e ekravene atje. Ose, të paktën, tani për tani, akoma jo. /Class