Ka një tërheqje të lehtë, të valëve të të nxehtit afrikan në vendin tonë duke sjellë edhe rënie të lehtë të temperaturave të ajrit, por moti mbetet sërish i kthjellët në të gjithë vendin. Parashikohet që vranësira të lehta e kalimtare të shfaqen gjatë orëve të pasdites në zonat malore përgjatë shtrirjes lindore.
Temperaturat e ajrit mbeten sërish të larta si në mëngjes dhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 18°C deri në 40°C. Era do të fryjë mesatare në tokë por deri e fortë në det me shpejtësi mbi 40 km/h nga drejtimi veriperëndimor duke bërë që në brigjet detare të krijohet dallgë 3 ballë.
Kosova
Territori i Kosovës vijon prej disa ditësh nën ndikimin e të nxehtit Afrikan i cili ka sjellë rritje të ndjeshme të temperaturave të ajrit, ku temperaturat minimale në orët e para të mëngjesit regjistrojnë 16 gradë C në qytetin e Mitrovicë. Ndërsa maksimumet do të ngjiten deri në 35 gradë C në zonat Jugperëndimore të Kosovës.
Përsa i përket kushteve të motit mbetemi me intervale të gjata me kthjellime, por do të ketë dhe kalime të pakta vranësirash të cilat nuk do të mund të sjellin reshje në Kosovë.
Maqedonia e Veriut
Vijon vala e të nxehtit Afrikan, në republikën e Maqedonisë së Veriut duke sjellë sërish mot të kthjellët dhe të nxehtë në të gjithë territorin ku priten maksimume deri në 37 gradë C.
Në fakt, republika e Maqedonisë së Veriut do të jetë në epiqendër të kësaj vale duke thyer edhe rekorde historike përsa i përket temperaturave të ajrit. Parashikohet që pasditja vonë të sjellë, vranësira të lehta e kalimtare në pjesën më të madhe të MV por nuk priten reshje.
Europa
Si pasojë e zhvillimit të një qendre të fuqishme ciklonare në Veri-Verilindje të kontinentit do të kushtëzojë kushtet e motit për Vendet Nordike dhe Europën Lindore ku vranësirat dhe shirat do të jenë dominante. Më problematike situata do të paraqitet në Norvegji dhe Finlandë, të cilat do të kenë dhe mini-stuhi të forta ere. Po ashtu, Alpet e Europës si edhe zonat përreth tyre paraqitet nën ndikimin e stuhive tropikale ku rrebeshet e shiut si edhe stuhitë e erës do të jenë prezente. Përsa i përket, pjesës tjetër të Europës mbetet nën dominimin e motit të kthjellët dhe temperaturave të larta si pasojë e valëve të nxehtit Afrikan.