I vranë të atin në sy, nëna i piu helm nga dhimbja/...

I vranë të atin në sy, nëna i piu helm nga dhimbja/ Si mori hak për babanë adoleshenti që ngeli jetim 5 vjeç, i hyri në oborr dhe e ndoqi nga pas

426
0

Zbardhen detaje të reja nga vrasja që tronditi këtë të hënë Lezhën, ku adoleshenti Florian Përvathi vrau në oborrin e banesës së tij 65-vjeçarin Lekë Lekgjonaj. Gazetari Elidon Ndreka raporton për “BalkanWeb” se ngjarja ka ndodhur për hakmarrje, pasi 17-vjeçarit i kanë vrarë babanë në sy në vitin 2009. Gjithçka në atë kohë ka ndodhur pas një konflikti të çastit mes dy familjeve, ku vëllai i 65-vjeçarit Lekgjonaj ka vrarë me armë babanë e adoleshentit, që në atë kohë ishte vetëm 5 vjeç, Gjon Përvathi. Siç raporton gazetari Ndreka për “BalkanWeb”, tragjedia në familjen Përvathi është rënduar, pasi menjëherë pas ngjarjes së rëndë ka vrarë veten, duke pirë helm, edhe nëna e Florian Përvathit. Mësohet se ky i fundit ka qenë i pranishëm në konfliktin mes dy familjeve dhe në momentin kur babai i tij është qëlluar për vdekje. Ndërkohë, Florian Përvathi, tashmë 17 vjeç, ka marrë hak për vdekjen e të atit, duke vrarë vëllanë e vrasësit të babait të tij. Mëngjesin e sotëm, ai ka shkuar te shtëpia e 65-vjeçarit Lekgjonaj, ka hyrë në pjesën e portës së shtëpisë dhe i është vënë nga mbrapa viktimës, duke e qëlluar dhe duke i shkaktuar plagë. Pas disa sekondash, ai i është afruar dhe e ka qëlluar sërish, duke e lënë të vdekur në vend. Menjëherë pas ngjarjes, i riu është vetëdorëzuar.

 

Sa i përket autorit të vrasjes së babait të të riut, dyshohet se ndodhet në një vend në Australi. Ai ka kryer disa vite burg dhe më pas është larguar nga Shqipëria.