80% e ndërtesave të larta në Amerikë s’kanë kat të 13-të; Pse...

80% e ndërtesave të larta në Amerikë s’kanë kat të 13-të; Pse ky numër dhe e premtja e kësaj dite konsiderohet ters

400
0

E premte, datë 13. Sa herë e keni menduar dhe i jeni trembur? Shumë kultura në botë e cilësojnë këtë ditë dhe numër si ters, të tjera, fatsjellës. Kërkuam dhe grumbulluam faktet më domethënëse e interesante, që mbështesin njërën apo tjetrën teori. Ndërkohë, ky që mbani në duar është numri 13 i revistës Living e ne jemi të bindur se do të na sjellë fat…

 

Të gjithë e dinë se e premtja e dates 13 konsiderohet ditë tersi. Por pse ka një reputacion kaq të keq ky numër? Një arsye është sepse, si e premtja, ashtu dhe numri 13 kanë lidhje me Krishtërimin. Jezusi u kryqëzua ditën e premte e që nga ajo kohë, kjo ditë është cilësuar “ogur i keq”. Në Mesjetë, dasmat nuk bëheshin të premteve, po ashtu atë ditë nuk udhëtohej. E premtja ishte “dita e xhelatit”. Dikur thuhej se po të shtroje 13 njerëz në një tavolinë ishte fat i keq, se Juda Iskarioti, dishepulli i cili tradhtoi Jezusin, ka qenë mysafiri i 13-të në Darkën e Fundit.

 

 

Është e paqartë se kur u bë një lidhje mes së premtes dhe numrit 13, por nuk përmendet askund e premtja e dates 13, para shekullit të 19-të. Këto lloj besimesh janë një mënyrë që njerëzit të mbajnë nën kontroll ankthin që kanë kur janë të pasigurt. Dhe pse s’ka dëshmi që duke besuar në simbolet fatsjellëse është e dobishme, besëtytnitë si e premtja e datës 13, përfaqësojnë një lloj fobie. Frika nga e premtja e datës 13 quhet “paraskevidekatriafobia”, teksa ajo nga numri 13, “triskaidekafobia”. Shumica e njerëzve të zakonshëm mendojnë se 13-a është ters. Disa kultura, duke përfshirë egjiptianët e lashtë, e cilësonin numër me fat, të tjerë thjesht i shmangin numrat, duke u bazuar në fobitë e tyre. Më shumë se 80% e ndërtesave të larta në Shtetet e Bashkuara s’kanë kat të 13-të dhe shumica dërrmuese e hoteleve, spitaleve dhe aeroporteve e shmangin përdorimin e numrit në dhoma e porta. Numri 4 shmanget në pjesën më të madhe të Azisë, për shembull. Në pjesën më të madhe të saj, ku tetrafobia është normë, numri 4 zor se përdoret, si në jetën private, ashtu dhe publike, falë tingëllimit të ngjashëm që kanë në gjuhën kineze fjalët “katër” dhe “vdekje”. Por ka dhe kultura që 13-ën e cilësojnë fat… Në Itali nuk mbahet ters 13-a, po 17-a.

Shkëputur nga revista LIVING (2015) nga Gentian Minga