Një vogëlushe 8- vjeçare nga Fife në Skoci, e quajtur Darcy McGuire, ka ndërruar jetë nga një kancer i rrallë në kocka. Sëmundja i ishte shfaqur që në moshën 3 vjeçare dhe ndonëse kishte bërë vizita të shumta te mjekët, këta të fundit nuk kishin arritur ta diagnostikonin kancerin.
Vetëm pas katër vitesh e sëmurë, kur sëmundja kishte avancuar me hapa gjigantë, është bërë e ditur që vogëlushja kishte kancer. Pasi zbuloi se ishte e sëmurë, Darcy ka ndihmuar të ëmën në përgatitjen e funeralit të saj dhe po ashtu ka dhuruar mijëra paund për bamirësi.
Herën e parë që Darcy ishte dërguar te mjeku, ajo kishte vënë re një gungë në shpinë dhe kishte dhimbje të vazhdueshme, por disa herë, mjekët i thanë asaj se nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar. Edhe kur vajza kishte filluar të binte ndjeshëm në peshë dhe të binte në agoni, mjekët ishin shprehur se ishin thjesht dhimbjet e rritjes. E ëma shprehet se nëse sëmundja do ishte zbuluar më parë, e bija do të kishte ndonjë mundësi për të shpëtuar.